Merkatoja në futbollin shqiptar po arrin pikën kulminante. Sot po shkruajmë vetëm për katër skuadrat e para, sipas renditjes së kampionatit të fundit të Superiores. Konstatojmë merkato pa fre, goditje të bujshme, rikthime futbollistësh nga jashtë. Kjo tregon që po qarkullojnë financa të konsiderueshme. Po bëhet merkato për Kupat e Europës, por edhe kampionatin. Shpresojmë që paraqitja e skuadrave tona në Europë të jetë vërtet dinjitoze, ndërsa kampionati i ri kombëtar edhe më i bukur e luftuar, në funksion të interesimit më të madh të tifozëve. Sepse, fundja, ky sport luhet për ata që vijnë në stadium, më së shumti.

Partizani – Pas largimit të trajnerit Colella dhe drejtorit Marini, merkatoja e kuqe nisi me zëvendësimin e të dyve. Një trajner kroat ka ardhur në krye të “demave”, puna e të cilit mbetet të shihet në Kupat e Europës fillimisht, ndërsa si drejtor është graduar Abilaliaj, një ish-sulmues i Partizanit, njohës i mirë i futbollit dhe i klubit kampion të vendit në fuqi.

Bie në sy një merkato e kujdesshme të të kuqtë, duke ruajtur grupin që u shpall kampion dhe përforcuar sulmin. Spikat afrimi i Grezdës, ish-lojtar i kombëtares, plot talent, që ndoshta te “demat” do të rilindë, falë disiplinës që e karektirizon atë klub. Njohja me trajnerin kroat është po ashtu shtysë që Grezda të spikasë me kampionët e Shqipërisë. Përforcim cilësor mund të konsiderohet edhe sulmuesi Keko, ardhur nga Korabi, që konsiderohet si Skuka i ri. Rinovimi i kapitenit Telushi është dëshmi e vazhdimësisë, mjaft e rëndësishme në futboll, ashtu sikurse rinovimi për disa vite i Rrapajt, që përfaqëson të sotmen dhe të ardhmen e mesfushës së kuqe. Kjo do të thotë se mesfusha e Partizanit do të vazhdojë të jetë e fortë dhe kreative. Me Grezda, Mba, Da Silva dhe Keko, sulmi i kampionëve do të jetë i frikshëm për cilindo kundërshtar.

Tirana – Merkatoja bardheblu duket më aktive se kurrë. Tirana nuk mund të harrojë se humbi titullin me “fotofinish”, se doli pa asnjë trofe si rrallëherë, ndaj duket e vendosur për t’u kthyer në majë. Këtë e demonstrojnë përforcimet e bëra, sa të krijiohet bindja se po del edhe jashtë mundësive të veta financiare. Marrja e Latifit nga Vllaznia, kthimi i Dokës nga jashtë, zëvendësimi i portierit kosovar me një emër të sprovuar si Selmani, pjesë edhe e kombëtares kuqezi për disa kohë, janë sinjale të qarta për rivalët.

Mbi të gjithë, rikonfimimi i trajnerit Orges Shehi në stol tregon se bardheblutë kanë ambicie maksimale, sikurse nuk mund të jetë ndryshe për klubin e futbollit më të titulluar në Shqipëri. Duhet përmendur fakti se Tirana ka një fidanishte (akademi) cilësore, ndaj i kthen me siguri sytë andej, prej nga merr talente të reja, që për pak vite spikasin në kampionatin shqiptar dhe pastaj shiten jashtë vendit për shuma të konsiderueshme. Ky është një dimension shtesë i klubit të drejtuar nga Refik Halili (shitja e talenteve jashtë), ndryshe nga të tjerët në Superiore.


Egnatia
– Nuk ka prishur grupin e sezonit të kaluar, por ka bërë dy goditje të spikatura deri më tani. Në mesfushë ka afruar Aleksin, me përvojë kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilin ia rrëmbeu Tiranës. Në mbrotje ka shtuar Jankun, një shtyllë e spikatur në Superiore, së fundi me Bylisin. Presidenti Demrozi, trajneri Tetova dhe stafi teknik rrogozhinas po mbikqyrin me vëmendje tregun, qoftë vendas, por edhe të huaj, për të përforcuar më tej skuadrën, që për herë të parë në histori do të luajë në Kupat e Europës. Ky “kungull në sqetull” i shtuar për Egnatian, shto këtu edhe ambiciet maksimale për sezonin e ri, ku do të synohet patjetër titulli kampion, kërkon një grup të plotë dhe cilësor, nënkupto këtu edhe stolin e rezervave, jo vetëm formacionin titullar.


Vllaznia
– Skuadra më e “shpërbërë” në merkaton e deritanishme, po të kemi parasysh largimet e shumta, gati gjysma e grupit që mbylli sezonin e kaluar. Që nga portieri Zogovic, kapiteni Gurishta, mesfushorët Jonuzi dhe Marku, për të përfunduar me Latifin, janë si të thuash “shtylla kurrizore” e larguar e kuqebluve. Mesa duket, drejtuesit e klubit shkodran kanë preferuar të ndjekin strategji tjetër, t’ia ndryshojnë fytyrën Vllaznisë, e cila edhe pse provoi me disa trajnerë pas Brdaric, nuk ka qenë në lartësinë e emrit të vet.

Mbetet të shihet se si do të shkojnë punët në kampin shkodran, ku për momentin nuk ka “tam tame” me nota të larta, por në futboll është më mirë të qëndrosh me ‘këmbët në tokë”, se sa të fluturosh pa krahë… Në këtë drejtim mendojmë se shkon edhe emërimi i trajnerit Migen Memelli në stol, si dhe “krasitja” e të ashtuquajturve “emra të mëdhenj” në skuadër, me të cilët nuk u nxor gjë në dritë.(Marrë nga “Xhoda Sport”)