Ekipi i Tërbunit që prej ditës së djeshme ka nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik, teksa ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore. Një nga risitë e këtij ekipi është se përgatitjet këtë herë nuk do të zhvillohen në Shkodër, por në kryeqytet. Ky është vendimi që kanë marrë drejtuesit e klubit.

Ende nuk është e qartë pse është vendosur në këtë mënyrë, për kushte më të mira stërvitore, apo mundësi për të marrë më shumë lojtarë cilësorë nga kryeqyteti e rrethinat e tij, por e vërteta është se Tërbuni nuk do të stërvitet më në Shkodër, por në kompleksin “Republic” në periferi të Tiranës.

Një vendim i tillë pritet të sjellë shumë ndryshime edhe në përbërjen e skuadrës sepse nëse deri në sezonin e kaluar baza e ekipit kanë qenë futbollistët shkodranë, tashmë kjo nuk ka për të ndodhur sepse shumica e tyre e kanë të pamundur të udhëtojnë çdo ditë drejt Tiranës për t’u stërvitur.

I vetmi deri tani që mesa duket ka vendosur të mos e braktisë skuadrën pukjane është sulmuesi Jurgen Gjini. Të tjerët mësohet se kanë filluar t’u bashkohen ekipeve të tjera dhe njëri prej tyre ishte Anderson Filipi që tashmë është bërë pjesë e KF Shiroka. Por jo vetëm ai. Edhe të tjerë pritet t’u bashkohen skuadrave veriore.

Ndërkohë Tërbuni nën drejtimin e trajnerit Anxhelo Suta e ka nisur seancën e parë stërvitore me vetëm 16 futbollistë, por në ditët në vijim skuadra pritet të kompletohet me lojtarët e tjerë dhe objektivi edhe për sezonin e ri pritet të jetë ngjitja një kategori më lart, paçka se duket një objektiv i vështirë për t’u arritur.(www.shkodrasport.com)