Komisioni i Apelit në FSHF lë në fuqi dënimin ndaj Tërbunit që reth një muaj më parë u ndëshkua me rrëzimin në Kategorinë e Dytë.

Për shkak të dhunës së ushtruar nga lojtarët, stafi dhe tifozët ndaj arbitrave të ndeshjes me Turbinën, skuadra pukjane ka zyrtarizuar rrëzimin ndersa cërrikasit fitojnë edhe ndeshjen në tavolinë 3-0.

Me vendimin nr.31, datë 05.04.2023 Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka vendosur të marrë ndaj FK Tërbuni masat disiplinore si më poshtë vijon:

FK Tërbuni, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në mënyrë të përsëritur, duke shkaktuar akte dhune dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes në bazë të Neneve 30/1, 30/4/a, 31, 39/1, 65/1 dhe 65/3/c të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 kundër KF Turbina dhe dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Sipas nenit 116/1/a të KDS, gjoba të aplikohet në masën 50%.

Në zbatim të Neneve 27, 28, 63, 64/2, 65/4/d të KDS, FK Tërbuni përjashtohet nga aktiviteti futbollistik për sezonin 2022-2023 dhe zbritet në një kategori më të ulët.

Më datë 18.04.2023 Nr.782/1 prot. FK Tërbuni, ka paraqitur ankim me objekt:

Kundërshtimin i Vendimit Nr.31 Datë 05.04.2023 të KDS lidhur me sanksionet e vendosura ndaj FK Tërbuni.

KOMISIONI I APELIT TË DISIPLINËS

Pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjet në tërësi si dhe duke u bazuar në nenet 76 e vijues të Kodit të Disiplinës Sportive,

VENDOSI:

Lënien në fuqi të Vendimit Nr. 31, pika 1, datë 05.04.2023 të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS/TAS) Lozanë Zvicër.