Ali Mema eshte nje nga emrat e medhenj te futbollit shqiptar. Ka shkelqyer ne shumicen e karrieres me skuadren e Tiranes, por nderkohe ka luajtur edhe me Vllaznine, ne nje transferim enigmë në Shkodër. Gjate aktivizimit te tij me kuqeblute, ai eshte perkrahur shume nga tifozet shkodrane, por ka patur edhe momente qe i ka zhgenjyer ata.

Si “Mbret” në Shkodër dhe fletë-rrufetë, pse refuzoi të luante ndaj “17 Nëntorit”!

Transferimi i Ali Memës te “Vllaznia” u prit me entuziazëm dhe simpatia e lidhja e tij me Klubin Sportiv, qytetin, tifozët, familjet, futbollistët, etj., ka qenë dhe mbetet unike edhe sot.

I gjithë mjedisi e ka jetuar ardhjen e tij dhe, nëse ka një futbollist që është pritur e trajtuar si “Mbret”, është Ali Mema, kur ishte në Shkodër. Janë 18 muaj, ndër më të bukurit e karrierës së tij. Në familjen Dedja, Duria (nëna e Mendu Dedjes) i ka shërbyer me gjithçka.

Një fakt i rëndësishëm është se në aspektin sportiv te “Vllaznia”, Mema u përshtat shpejt duke injektuar egon, shpirtin e sakrificës. Por kur vinin përballjet me “17 Nëntorin”, kanë qenë momentet më të vështira, gjatë karrierës shkodrane të Ali Memës.

“Para një sfide, kur flitej se Alija ishte në pikëpyetje nëse do të luante apo jo, trajnerin Xhod Shaqiri, e thërrisnin në Komitetin e Partisë”, kujton legjenda e futbollit, Ramazan Rragami. “Pse nuk po don me lujt Mema tesh? – e pyesin. – Ai asht titullar dhe duhet me kenë në fushë”. Si një strateg, Shaqiri gjykonte se është më mirë të mos e aktivizojë dhe kështu vepronte.

Mirëpo të nesërmen, qytetarët sportivë pasionantë shkodranë, të painformuar, shpërthejnë në fletë-rrufe ndaj trajnerit Shaqiri, por mos aktivizimin e Memës!

Por, edhe në një sfidë tjetër “17 Nëntori” – “Vllaznia” (Kupë Republike, takimi i dytë), në pjesën e parë, Mema godet traversën e portës veriore të kryeqytetasve, që mbrohet nga Gud Tafaj, por në pushim, me sinqeritetin që e karakterizon, i është drejtuar trajnerit: “Nuk mundem, e kam shumë të vështirë të luaj kundër Tiranës”.

Janë pjesë të memories sportive, në veçanti asaj shkodrane, të klubit “Vllaznia” për të cilin ai luajti deri në sekondën e fundit. “Alija, Alija dona gol!”, ka bërtitur stadiumi “Vojo Kushi”, kur kërkohej goli i shumëpritur. Sa herë është kthyer atje si kundërshtar, vetëm e kanë duartrokitur.


Letër qeverisë dhe ministrit, Beqir Balluku

Qëndrimi shumë mujor pas përfundimit të 6 muajve të zborit në Shkodër me “Vllazninë” e detyroi të atin e Memës që t’i shkruante një letër qeverisë, në të cilin i kërkonte kthimin i Ali Memës në shtëpi, pranë familjes.

Një kërkesë e tillë, i’u dërgua edhe Beqir Ballukut, si ministër i Mbrojtjes Popullore që ishte. I kërkohej motivi i qëndrimit të tej zgjatur pa arsye dhe kthimin e Ali Memës pranë familjes, pasi ishte i martuar dhe me fëmijë. Letra humbi dhe nga dikasteri nuk pati asnjëherë përgjigje zyrtare.

Mema qëndroi te “Vllaznia” edhe në muajt e parë të kampionatit, të 1968-ës, i cili u zhvillua në harkun e një viti kalendarik, duke fituar me tiranasit titullin kampion në muajin dhjetor, pas një rivaliteti deri në fund me “Partizanin”.