Egnatia mori një fitore 3-2 kundër Bylisit ditën e sotme. Rrogozhinasit hodhën një tjetër hap pozitiv, duke shkuar në vetëm një pikë diferencë me vendin e 3-të.

Abdurrahman Fangaj ka folur pas ndeshjes në emisionin “Sport Magazine”, të moderuar nga Drilon Xhepollari dhe të transmetuar në “Ora News“, ku ka treguar objektivin e Egnatias për këtë sezon. Fangaj është kthyer edhe pas në të shkuarën, teksa zbulon se dëmtimi i pësuar i hoqi mundësinë e transferimit te Lokomotiva e Zagrebit.

“Sigurisht që jemi të kënaqur me këtë tre pikësh. Ishte një tre pikësh europe dhe jemi shkëputur nga ekipet e mbijetesës. Kam gjetur ambientin e duhur që të shfaq më të mirën time. Dëmtimi? Më erdhi në një moment kur isha pranë transferimit jashtë kampionatit shqiptar. Gjithçka ishte e kryer. Më erdhi si diçka e papritur. Një moment i vështirë, por kisha në mendjen time të rikthehesha më i fortë dhe ia dola. Kanë qenë dy ekipe, Lokomotiva e Zagrebit dhe një ekip në Çeki.

Kemi një ekip shumë të fortë me shumë lojtarë me eksperiencë. Objektivi ynë është ai që ka thënë edhe presidenca, jemi për Europë. Ne kemi objektivat tona dhe do të japim maksimumin të marrim vendin e tretë”, ka thënë Abdurrahman Fangaj./sport-ekspres/