Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, tha këtë të premte në një konferencë për shtypin se Erling Haaland nuk është fajtor për problemet në ndeshjet e fundit të skuadrës së “qytetarëve”.

Guardiola deklaroi se futbollistët e tjerë të City-t duhet ta gjejnë më shpesh Haalandin.

Që kur u bashkua me City-n verën e kaluar nga Borussia e Dortmundit, Haaland ka shënuar jo më pak se 32 gola në të gjitha garat, por ka shënuar vetëm një në gjashtë ndeshjet e tij të fundit (golin e tretë në fitoren 3-1 kundër Arsenalit, në Premier League).

Në ndeshjen kundër Leipzigut, Haaland, 22 vjeç, gjuajti vetëm një herë në portë dhe e preku topin 22 herë. Leipzigu dhe City barazuan (1-1).

I njëjti rezultat që “qytetarët” regjistruan në ndeshjen e fundit të Premier Legue-s, në shtëpinë e Nottingham Forestit.

“Është faji ynë. Erling ka qenë i mirë gjatë gjithë sezonit. Kur mbaron një ndeshje, një sekondë më vonë, e di nëse ai ishte i përfshirë apo jo dhe kush duhet të përfshihej më shumë. Nuk kam nevojë për statistika, e di saktësisht,” – ishin fjalët e trajnerit të City-t.