Nga Maringlen ZHIVANI

Trajneri shkodran Samuel Nikaj ka mbyllur aventurën e tij të rradhës në Kosovë me ekipin e Prizrenit, duke e ngjitur një Kategori më lart. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Nikaj shpjegoi arsyet e largimit nga Prizrenit, ndërsa tha se është në pritje të ofertave dhe projekte serioze për të ardhmen e tij.

“Unë nuk e kam parë të arsyeshme të vazhdoj më tek Prizreni, për arsye ndoshta ambiciet këtë vit, nuk ma merr mendja se do të jenë për të shkuar lart. Unë jam një trajner, i cili nuk motivohem duke qëndruar në mesin e tabelës.

Ka trajnerë të tjerë që motivohen duke qëndruar në mesin e tabelës, punojnë me brezin e ri, sepse këtë politikë ka këtë vit klubi. Unë do jem gjithmonë mik i atij klubi. Do mundohem t’i ndihmoj sa të kem mundësi me futbollistë dhe me çdo gjë tjetër, por si trajner e shoh pak të vështirë të vazhdoj te ai ekip.

E ardhmja? Do shoh në vazhdim ndonjë projekt serioz. Gjithmonë, në qoftë se, është serioz. Në qoftë se, projekti nuk do të jetë serioz, atëherë normalisht edhe të bëj një pushim, pse jo.

Ndoshta pas 20 viteve punë, kurrë pa u ndalur asnjë vit, ndoshta mund të ketë ardhur koha për të pushuar pak dhe pastaj, në vazhdim të kampionatit, në qoftë se do vijë ndonjë mundësi e mirë për të marrë ndonjë ekip në ecje e sipër, pse jo”,-tha për “Shkodra Sport”, trajneri Samuel Nikaj.