Fantazisti i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, do të luajë në kampionatin skocez për 3 vitet e ardhshme, pasi Sasuolo ka vendosur ta shesë për 4 milionë euro te Gllasgou Rejnxhërs. Kontrata e lojtarit kuqezi me ekipin e madh skocez është deri në vitin 2027. Lëvizja është konfirmuar nga vetë klubi në faqen zyrtare.

Më parë diskutohej që 25-vjeçari të huazohej nga klubi skocez, me të drejtë blerjeje verën e ardhshme, por Sasuolo këmbënguli për shitjen përfundimtare.

Evidentohet fakti që mesfushori kuqezi luajti në “Euro 2024″ dhe që në 100 ndeshje në Serinë A ka dhënë 11 asiste. Lojtari shqiptar ka luajtur në Itali fillimisht me Empolin, për të kaluar më pas te Sasuolo në janar të 2022-shit dhe gjatë kësaj kohe ka shënuar 4 gola në 49 ndeshje me ekipin që ra në Serinë B. Për Bajramin kishte edhe oferta të tjera, por skocezët kanë plotësuar kërkesat e Sasuolos.

“Jam i kënaqur që i bashkohem një klubi të madhësisë së Rejnxhërs.

Ata janë një klub i njohur në mbarë botën, të cilët kanë fituar shumë trofe dhe kanë konkurruar në një finale evropiane vitet e fundit.

Kam pasur disa biseda të mira me trajnerin dhe besoj se Rejnxhërs është lëvizja e duhur për mua në këtë pikë të karrierës sime.

Mezi pres të takoj të gjithë bashkëlojtarët dhe tifozët e mi të rinj në të ardhmen e afërt”, deklaroi Bajrami.