Liverpooli po kalon momente tensioni në zyrat e klubit. Pas largimeve të fundit dhe negociatave të vështira me disa prej yjeve të tij, tani edhe Ibrahima Konaté ka refuzuar ofertën e parë për rinovimin e kontratës.

Mbrojtësi francez, që do të hyjë në vitin e fundit të kontratës në korrik, ka ndërprerë bisedimet dhe ka shprehur pakënaqësinë ndaj formulës së propozuar nga klubi.

Sipas The Guardian, përfaqësuesit e lojtarit po kërkojnë rritje të pagës bazë, pasi oferta aktuale mbështetet kryesisht në bonuse të lidhura me paraqitjet.

Kjo skemë nuk e ka bindur Konaten, sidomos kur krahasohet me rinovimet më të favorshme të shokëve të skuadrës si Salah dhe Van Dijk.

Ky zhvillim ka ndezur alarmet në Anfield, vetëm pak kohë pas humbjes së bujshme të Alexander-Arnold, i cili u transferua te Real Madridi për vetëm 12 milionë euro.

Konaté (26 vjeç) është kthyer në shtyllë të mbrojtjes që nga transferimi i tij nga Leipzig në vitin 2021. Por me drejtuesit e rinj të klubit dhe nën drejtimin e trajnerit të ri Arne Slot, Liverpooli nuk duket i gatshëm të bëjë lëshime financiare për asnjë lojtar – për të shmangur gabimet e së kaluarës.

Situata nuk kufizohet vetëm te Konaté. Andy Robertson ka kontratë deri më 2026, por është në radar të Atletico Madridit, ndërsa portieri Caoimhín Kelleher është larguar tashmë drejt Brentford për 21.2 milionë euro.

Për të mbushur boshllëqet në mbrojtje, Liverpooli ka vënë në shënjestër emra të rinj. Jarell Quansah, një talent i akademisë, pritet të transferohet te Bayer Leverkusen. Parat nga shitja do të përdoret për të financuar ardhjen e një qendërmbrojtësi të ri.

Emri më i përfolur është ai i Marc Guéhi nga Crystal Palace, i cili ka njoftuar se nuk do të rinovojë dhe kërkon një klub që i garanton minuta në fushë për të qenë gati për Kampionatin Botëror të ardhshëm. Newcastle dhe Tottenham po ashtu janë të interesuara për të.

Megjithë investimet e mëdha në sulm, përfshirë Florian Wirtz dhe Jeremie Frimpong, me një kosto totale prej 171 milionë euro, dilemat më të mëdha të Liverpoolit mbeten në prapavijë. E ardhmja e Konaté do të jetë vendimtare për të kuptuar drejtimin që do të marrë klubi gjatë verës. /Telegrafi/