Ka vetëm disa muaj që ka nisur rrugëtimin e tij në çiklizëm dhe menjëherë ka shkëlqyer. Luis Margjoni dy ditë më parë u shpall kampion kombëtar për vitin 2025 në garën e kronometrit individual për kadetët dhe një ditë më vonë e humbi në finish vendin e parë në garën e rezistencës, por u rendit i dyti dhe u shpall nënkampion.

Specialistët e këtij sporti e vlerësojnë maksimalisht këtë 15 vjeçar për të dhënat që ka dhe shohin tek ai një element me një të ardhme të sigurtë për çiklizmin shkodran dhe shqiptar. I ka fituar thuajse të gjitha garat e zhvilluara këtë vit dhe padyshim që synimet e tij janë të vijojë në këtë rrugë edhe në të ardhmen.

Duke folur për “Shkodra Sport” pas suksesit në kampionatin kombëtar, Luis Margjoni u shpreh: “Sigurisht që jam i lumtur për titullin kampion në garën e kronometrit, por kuptohet që kam pak keqardhje pse nuk dola i pari edhe në garën e rezistencës. E humba në finish me një sportist që stërvitej në Itali, por jam i bindur se mund të isha unë i pari. Ndoshta edhe një problem teknik me biçikletën time më penalizoi, gjithsesi jam i kënaqur për këto arritje”.

I pyetur se çfarë është çiklizmi tashmë për të, sportisti i Vllaznisë do të shprehej: “Unë tashmë e konsideroj një pjesë të rëndësishme të jetës time. Po lidhem çdo ditë e më shumë me të dhe nuk e kuptoj veten pa këtë sport shumë të bukur. Synimet e mia janë për të ecur përpara dhe për të arritur sa më shumë suksese në të ardhmen. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e ekipit të Vllaznisë dhe do të punoj fort për ta respektuar në maksimum fanellën kuqeblu që mbaj të veshur”.

Po kujt ia dedikon këto sukseset e deritanishme Luisi? Përgjigja e tij është e qartë dhe e menjëhershme: “Padyshim familjes që po më mbështet në këtë pasion timin dhe po ashtu edhe trajnerit tim, profesor Leonat Kola që punon pa reshtur me mua dhe gjithë shokët e ekipit për ta rritur edhe më shumë emrin e Vllaznisë dhe për ta çuar aty ku ka qenë gjithmonë”.(www.shkodrasport.com)