Ishte një brez i rrallë, që në kombëtaren e Shpresave arriti një nga nivelet më të larta në futbollin europian. Rikthim në episodet dhe odisenë e një grupi talentesh që edhe sot kujtohen menostalgji dhe nderim

Nga Bledar Kuka

E veçanta e atij brezi ishte se u rrit i pandarë nga njëri-tjetri. Emrat e tyre vazhdojnë të mbahen mend mirë edhe sot, ndonëse kanë kaluar 30 vjet që nga arritja e tyre e madhe. Sulejman Demollari, Mirel Josa, Sokol Kushta, Hysen Zmijani, Fatbardh Jera, Halim Mersini, Adnan Ocelli, Agim Canaj, Albert Topçiu, Arben Vila, Vladimir Skuro, Skënder Hodja, Dedja, Popa, Kokalari, Çanga, Ndreu, Liti, Shkëlqim Muça apo Sefedin Braho.

Kjo ishte ushtria e vogël shqiptare e përfaqësueses së 21-vjeçarëve (U21) nën drejtimin e trajnerit Ramazan Rragami dhe ndihmësit të tij Ikonomi, e cila më 19 nëntor 1983, arriti të prekte kualifikimin për në çerekfinale të kampionatit europian.

Asnjë skuadër shqiptare futbolli, përfaqësuese apo klubi, nuk ka arritur dot deri në 8 më të mirët, shpërthim që u nderua nga anketa e të madhes revistë angleze e britanike, “France Football”, me vendin e 8-të ndër të gjitha skuadrat e futbollit botëror! Po, po, botëror.

 

Në vend të parë Hamburgu kampion i Europës, i dyti Aberdini i Aleks Fergusonit fitues i Kupës së Kupave, më pas Danimarka e Lerbit dhe Elkjerit që eleminoi Anglinë në grupet e Europianit, vijnë me radhë Roma, Liverpuli, Anderlehti i madh, Gremio e Brazilit dhe më pas Shqipëria U21 duke lënë pas Francën e Mishel Platinisë dhe Belgjikën e trajnerit Gi Tis dhe të shkëlqyerve Shifo, Vanerberg, Van der Elst, Vandereiken, Verkauteren, Pfaf, Gerec, Këlemans.

Edhe në vitin 1983 Shqipëria ishte pak a shumë ajo që kishte qenë përherë, ndonëse ndryshimi kishte bërë të vetin. Pallati i Kongreseve kishte nisur të ndërtohej vetëm një vit më parë, ndërsa diku atje përpara po priste të ngrihej Piramida e famshme, kushtuar Enver Hoxhës. Kompleksi i Dinamos po merrte formë, ashtu si edhe disa salla sportive dhe terrene të tjera. Aty-këtu, mund të përdorej pa frikë fjala luks.

Djemtë që do ta përfaqësonin në eleminatoret e atij europiani U21 ishin nga ata të rrugëve të Tiranës, Shkodrës apo Vlorës, pa pretendime pasi nuk mund t’i kishin, thuajse krejt barazitarë me të tjerët, me ndryshimin e vetëm dhe tepër të rëndësishëm që dilnin jashtë vendit.

Kur shorti u vuri përballë Gjermaninë Perëndimore, Austrinë dhe Turqinë, thuajse askush nuk kishte shpresa, edhe pse ky ekip Shpresa kishte dalë kampion i Ballkanit më 1977 dhe 1981, veçse me breza të tjerë.

Siç thonë edhe sot këta djem, tashmë në moshën 50-vjeçare, “ne nuk kemi pasur kurrë besim në vetvete”. Nuk mund të kishin për shkak të izolimit. Duhej të ishe mbinjerëzor që të kishe, ndërsa portieri i ekipit kombëtar të viteve 70-të, Koço Dinella, duhej të hipte në karrocerinë e ndonjë Skode apo Zisi për të shkuar nga Tirana në Gjirokastër apo për të ardhur që andej.

Shumë futbollistë shqiptarë ndjenin kompleksin e inferioritetit ndaj të huajve që kur nuhasnin erën e mirë të deodorantëve që ata përdornin, ndërsa tanët e kishin të vështirë që të fshihnin djersitjen. Ramadan Shehu, ish-lojtar tepër i talentuar dhe ende sot trajner, e thotë pa droje se në 1970, shkonte prapa portës për të bërë nxemjen dhe për të parë nga afër Johan Krujfin që pinte cigare të holla, ndërsa 17 Nëntori (Tirana) barazonte 2-2 në “Qemal Stafa” me Ajaksin tepër të madh të Amsterdamit.

Aq më pak mund të kishe besim kur përballë do të ishte Gjermania Perëndimore, nënkampione në fuqi e Europës për moshën, pas finaleve të humbura vetëm për një gol ndaj Anglisë. Në 1982, një vit para se të vinte në Shkodër, Gjermania Perëndimore doli nënkampione me lojtarë të tillë si Imel, Mëlman, Fon Hesen, Alofs apo Litbarski dhe me trajner Berti Fogtsin.

Veçse, ai brez ishte rritur bashkë. Në 10 mars të 1982-it, pikërisht në kohën që gjermanët dilnin në finalen e Europianit, skuadra shqiptare dërrmonte 4-0 Qipron me dy gola të Sulejman Demollarit dhe një gol të Sokol Kushtës, ndërsa i treti kishte qenë autogol i Zahariasit. Në portë ishte Guga, që më pas nuk luajti titullar tek Shpresat, por edhe të tillë që do të njiheshin më vonë si Dume, Pashaj, Iliadhi apo Lekbello. Ndër ta, Demollari e Kushta u ngjitën menjëherë tek Shpresat.

Skuadra e Rragamit dhe Ikonomit e la shenjën që në ndeshjen e parë në Austri, fituar 2-1 më 29 shtator 1982.

Prova e dytë ishte sërish jashtë fushe. Turqia i priste në Manisa më 26 tetor, në stadiumin e “Manisasporit”, një skuadër që nuk ishte favorite, por që nuk mendonte të linte pikë ndaj një vendi tepër të vogël si Shqipëria. Nuk dihet, ose të paktën unë nuk jam në gjendje ta shpjegoj, se përse portieri Halim Mersini, vlonjati i bërë i njohur tek Shkëndija e më pas tek 17 Nëntori, duhej të luante me mbiemrin Durimi. Formacioni ishte i fortë: Durimi (Shkëndija, 17 Nëntori), Zmijani (Vllaznia), Hodja (17 Nëntori), Jera (Vllaznia), Ocelli (Partizani), Popa (Labinoti?), Skuro (Naftëtari ?), Demollari (Dinamo), Canaj (Dinamo), Topçiu (Dinamo), Vila (17 Nëntori).

Një skuadër e vërtetë në një ndeshje të vërtetë, fituar me golin e shënuar nga Topçiu, lojtari që nuk kishte mbushur 22 vjeç dhe që më pas do të ishte në formacionin e Dinamos. Me 6 pikë fituar në dy përballje jashtë fushe, Shqipëria U21 ia kishte dhënë paralajmërimin Republikës Federale Gjermane. Përballja e madhe do të luhej në marsin e vitit tjetër, më 1983 dhe muajt që kaluan sollën edhe disa ndryshime. Çanga (Vllaznia), Noga (Dinamo), Liti (17 Nëntori) dhe Josa (17 Nëntori) ishin në formacion.

Stadiumi “Vojo Kushi”, sot “Loro Boriçi” ishte i mbushur aq shumë në atë 29 mars sa rrallë mbante mend në historinë e tij. Ndoshta edhe më shumë sesa në përballjen e Vllaznisë me Austrinë e Vjenës në 1978. Shkodranët, të paktën për një herë, nuk patën nevojë t’u hipnin biçikletave të tyre të famshme për të ardhur në Tiranë, me 110 kilometra rrugë.

Sulejman Demollari shënoi i pari, brenda 20 minutave, por Rajnhold Mati, barazoi pa kaluar çerek ore. Ky Mati shënoi 6 herë në 7 ndeshje për U21 e vendit të tij, ndërsa për 7 sezone me radhë ishte tek Bajerni i Mynihut, nënkampion i Europës më 1982 e 1987, 21 gola në 100 ndeshje në Bundesligë. Ende nuk i kishte mbushur 21 vjeç. U duk se gjithçka do të shkatërrohej përballë turqve në Shqipëri. Diçka që fare mirë mund të na kujtonte bëmat e kombëtares shqiptare edhe me trajnerët e huaj, që bie në theqafje sapo kalojnë 3-4 ndeshjet e para në grupe.

Por, nuk ngjau ashtu. Në një ndeshje nervoze që po shkonte drejt barazimit të bardhë, Agim Canaj, djali flori i mirë dhe sot trajner tepër punëtor, arriti të shënonte. Ishte minuta e 83-të. Shqipëria, e mësuar të humbiste në fund, ia kishte dalë të dilte e fituar pikërisht ashtu. Ishte e martë, veçse jo ditë tersi, 10 maj i vitit 1983. Në skuadër ishin edhe Hysen Dedja (Vllaznia) e Sokol Kushta.

Stresi ndaj Turqisë ia la vendit gazit e haresë ndaj Austrisë, një ndeshje që u luajt ashtu si ndaj Gjermanisë, në djepin e futbollit tonë, në Shkodër. Albert Topçiu vallëzoi para portës, kuptohet ndihmuar nga shokët, duke shënuar dy gola. Një tjetër, nga sulmuesi Arben Vila. Ky rezultat 3-0 në atë fillim qershori, data 7 dhe sërish e martë, treguan se kjo Shqipëri e kishte seriozisht. Kokalari, Ndreu dhe Shkëlqim Muça iu bashkuan asaj skuadre.

Prova e fundit, ajo finale, ishte rezervuar për në Trir (Trier), qytetin jo edhe aq të vogël me më shumë se 100 mijë banorë. Aty do të flitej për futboll, por Triri mund të flasë aq shumë për historinë. Në tregun e vjetër të qytetit ndodhet një shtëpi e kuqe, e vjetër, ku është shkruar latinisht në dy vargje: Trembëdhjetë shekuj para Romës, Triri ishte në këmbë/le të mbesë në këmbë dhe i përjetshëm, amen!

Legjendat janë të shumta, edhe apo për princin asirian që e themeloi aq larg, thellë në histori, por e vërtetuar është që Triri është ndoshta qyteti më i vjetër në Gjermani, krenari për të cilën “hahet” me Vormsin dhe Këlnin, ndërsa e sigurt është se aty në brigjet e Mozelës, pranë të famshmes Porta Nigra, u ngrit Peshkopata më e vjetër e krishterë në Veri të Alpeve. Ai kryepeshkop i Tririt ishte aq i rëndësishëm saqë bënte pjesë në shtatë të tillë që zgjidhnin Perandorin e Shenjtë Romak.

Në këtë qytet plot histori, shkuan nja 20 djem nga Shqipëria e vogël dhe e mbyllur, padyshim edhe e varfër në krahasim me Gjermaninë Perëndimore, edhe pse koha e tallonit ende nuk kishte mbërritur. Veçse, në Trir ndodhet edhe shtëpia-muze e Karl Marksit, klasikut më të madh të komunizmit që lindi pikërisht aty në 1818, dhe delegacioni shqiptar nuk mund të mos shkonte aty për të bërë një vizitë.

Siç e thotë me të drejtë Besnik Dizdari, gazetari që u ndodh aty, emocionet padyshim që ishin të mëdha. Në nëntor, Gjermania është thuajse e ftohtë, madje qëllon edhe tepër e ftohtë. Natyra nis të bëhet gri, gjë që ia rrit seriozitetin asaj që pritet të ndodhë. Skuadra shqiptare vendoset në hotelin “Vajs”, në rrugën Mertesdorfer, ndërsa ndeshja u luajt në “Mozelshtadion” (Moselstadion), ndërtuar më 1980, ende i parikonstruktuar në atë kohë.

Në ata 90 minuta që u kaluan në fushë, në prani të rreth 18 000 tifozëve, skuadra shqiptare ia doli të ishte thuajse e barabartë. Natyrisht, jo aq sa një ekip që e dinte veten se ishte i madh dhe që kishte mbi supe kërkesën dhe dëshirat e dhjetëra milionë njerëzve. Gjithsesi, menjëherë pasi Mikael Rumenige, vëllai i vogël i Karl-Hajnc Rumeniges, do të kalonte të vetët në epërsi, tiranasi Mirel Josa do të barazonte. Ndoshta, Mireli, do ta ketë shumë pak mendjen te kjo histori, ndërsa nxitonte nga një kurs trajnerët me Federatën Shqiptare të Futbollit për tek skuadra e tij Skënderbeu në Korçë që po i kalon disa probleme pikërisht tani.

Por, emri i tij mbetet aty. Në minutën e 38-të shënoi Rumenige i vogël dhe në të 41-ën barazoi Josa. E shtuna e 19 nëntorit mbeti shqiptare pas kërtij barazimi, kur Shqipëria U21 preku çerekfinalet e kampionatit europian. Në fushë ishin Durimi, Zmijani, Hodja, Jera, Ocelli, Liti, Demollari, Canaj, Josa, Vila (Kushta), S. Braho (Topçiu).

Edhe mund të komentohet për ato ndeshje. Mund të thuhet se Sefedin Braho ishte jashtë moshe, i vitlindjes 1952, pra gati 31 vjeç, ndonëse rregullat e kohës ishin që 1 apo 2 lojtarë mbi moshë lejoheshin.

Po ashtu mund të diskutohet nëse ishte shkelje që Durimi (Mersini) luajti duke qenë i vitlindjes 1961, Skënder Hodja i vitlindjes 1960, Leonard Liti i vitlindjes 1961, Fatbardh Jera i 1960-ës, Vila i 1961-it dhe Shkëlqim Muça po i 1961-it.

Veçse, nëse shikon të paktën skuadrën gjermane, do të vëresh se lojtarët nuk ishin të gjithë të lindur më 1962 dhe 1963, por edhe më 1961. Të tillë ishin Alois Rajnhart, 102 ndeshje për Nyrembergun dhe 156 ndeshje për Leverkusenin, 4 ndeshje për kombëtaren gjermane, nënkampion i Europës U21 më 1982, Helmut Vinklhofer, 140 ndeshje në Bundesligë me Leverkusenin dhe Bajernin, Volfram Vutke, 274 ndeshje në Bundesligë (Shalke, Mynshengladbah, Hamburg, Kaizerslautern), 37 ndeshje e 12 gola për Espanjolin, 4 ndeshje e 1 gol për Gjermaninë, Martin Trib, 165 ndeshje në Bundesligë dhe Peter Rajhert (Reichert), 175 ndeshje, 48 gola në Bundesligë (Shtutgart, Karlsruhe).

Ajo ishte një skuadër shumë e mirë, me portierin Rydiger Folborn, 401 ndeshje për Leverkusenin në Bundesligë, kampion i Europës U18 dhe lojtarë si Hënerbah, 184 ndeshje për Këlnin në Bundesligë, Gynter Shefer, 331 ndeshje për Shtutgartin, Ulf Kuasier, 126 ndeshje në Bundesligë me Manhajmin dhe Herbert Vas, 247 ndeshje e 74 gola në Bundesligë, TSV 1860 Mynih, Leverkusen, 11 ndeshje e 1 gol për Gjermaninë.

Pas kësaj ndeshjeje, përballë ishte Italia. U eliminuam me rezultat minimal (dy ndeshjet, 1-0 për italianët). Gjithsesi, viti 1983 mbetet i veçantë në sportin tonë. Ishte vit kur Pavlina Evro doli nënkampione e Europës në atletikë dhe kur Emanuela Kola u shpall kampione e Europës për të reja në qitje.

Dhe ishte vit kur kampione u shpall Vllaznia e, një vit më pas, Labinoti i Elbasanit. Nëse shtojmë edhe titujt e 17 Nëntorit (Tiranës) në 1982 e 1985, na del periudha më e gjatë gjatë së cilës dy superklubet e ministrive, Partizani e Dinamo, nuk fituan dot asnjë kampionat. Që nga viti 1946, kur ishin themeluar të kuqtë, kjo gjë nuk kishte ngjarë asnjëherë.