Humbja e titullit kampion për Vllazninë në boks javën që shkoi, ka qenë e programuar dhe e organizuar nga vetë presidenti I Federatës Shqiptare të Boksit Gjergj Leqejza. Kjo deklaratë e fortë është lëshuar nga trajneri I ekipit shkodran dhe njëkohësisht I kombëtares shqiptare Zef Gjoni pasditen e sotme në një konferencë për shtyp. Këtë akuzë, ai e ka mbështetur në disa fakte dhe argumenta të dhëna që sipas tij mjaftojnë për të kuptuar se gjërat kanë qenë të organizuara. “Besoj se të gjithë sportdashësit shkodranë i kanë ndjekur në të tre ditët e kampionatit ndeshjet e tij që janë transmetuar nga Tv Rozafa dhe janë bindur për padrejtësitë që na janë bërë. Ata janë bindur me vonesë por në fakt unë që në momentin e mbërritjes në Tiranë, e kam kuptuar se diçka nuk shkonte. Shokë e miq të mi, por edhe gjyqtarë apo drejtues të tjerë të Federatës, më thonin se presidenti yt (shënim: Gj. Leqejza) ka vendosur të ta humbë titullin dhe t’ia japë Tiranës këtë gjë. Ia arriti dhe duhet të jetë i kënaqur me këtë por këtu fillon lufta jonë me të. Vërtetë mua më ka mërzitur por më vjen keq për djersën e derdhur të sportistëve gjatë gjithë vitit sepse ata mendonin që duke u shpallur kampion, meriton ndonjë trajtim ushqimor më shumë apo diçka tjetër. Sa për mua, dua të them se nuk më ka mërzitur aq shumë, përkundrazi më ka motivuar së tepërmi për të punuar edhe më shumë që në garat e ardhshme t’i tregojmë gjithë Shqipërisë, por edhe z. Leqejza se kush është Vllaznia”- ka thënë ai.Këto akuza duket se kanë trazuar edhe njëherë ujërat në boksin shqiptar dhe Zef Gjoni këtë herë duket I vendosur më shumë se kurrë për ta çuar luftën deri në fund për largimin e presidentit Leqejza nga ky post pasi sipas tij, prej tre vitesh nuk ka dhënë asnjë kontribut financiar për këtë Federatë dhe janë të tjerë të gatshëm për ta zëvendësuar. “Gjithnjë ekipet e tjera më kanë akuzuar se u kam vënë një president jo të denjë për boksin. Në fakt, unë e kam propozuar për atë post por prej vitesh që është president nuk ka hedhur asnjë lekë. Në kushte të tilla, do të kërkojmë largimin e tij. Nuk kam asnjë personale me të. Na janë ofruar dy-tre vetë të tjerë që duan të jenë presidenta dhe të investojnë për këtë sport. Njëri prej tyre, ofron rroga të majme për 5 trajnerë të ekipeve dhe për 5 sportistët më të mirë të vendit, plus edhe disa shpërblime të tjera. Në rrethana të tilla, z. Leqejza më mirë të largohet me nder nga boksi sesa ta largojnë në mënyrë të turpshme”- i ka bërë thirrje publike Gjoni presidentit të kësaj Federate. Post- kampionati në këtë mënyrë ka sjellë jo pak polemika. Humbja e titullit kampion nga Vllaznia është shoqëruar me akuza të forta të pjestarëve të saj, fillimisht në adresë të gjyqtarisë dhe tashmë në adresë të presidentit. Mbetet për t’u parë se si do rrjedhin ngjarjet deri në fund.
Gjergj KOLA