Nelson Hysa ka përjetuar një nga netët më të veçanta të karrierës së tij në boks, duke kurorëzuar paraqitjen në “O2 Arena” të Londrës me një fitore të madhe dhe titullin e Kampionit të Globit.
Boksieri shqiptar nuk i la shumë hapësirë kundërshtarit të tij norvegjez, Thomas Narmo, duke e mbyllur duelin me nokaut që në raundin e dytë. Për Narmon, kjo ishte humbja e parë në karrierën e tij, pasi deri në përballjen me Hysën kishte qenë i pamposhtur.
Pas triumfit, Hysa ndau emocionet e tij me ndjekësit në rrjetet sociale, duke vënë theksin te mbështetja e jashtëzakonshme që mori nga shqiptarët e pranishëm në Londër.
“Mbrëmë, në një O2 Arena të mbushur me shqiptarë, realizuam një ëndërr të madhe. U shpalla Kampion i Globit, duke fituar me KO në raundin e dytë ndaj një kundërshtari të pamposhtur”, shkroi Hysa.
Boksieri shkodran theksoi se suksesi i tij nuk duhet parë vetëm si një arritje personale, por si një triumf i përbashkët me të gjithë ata që e mbështetën.
“Kjo fitore nuk është vetëm imja. Kjo është e të gjithë shqiptarëve që ishin aty, që më mbështetën dhe që e bënë atmosferën magjike. Nga zemra, faleminderit. Ne sapo kemi filluar”, u shpreh Hysa.
Atmosfera në “O2 Arena” ishte një tjetër element i veçantë i mbrëmjes, me praninë e madhe të tifozëve shqiptarë që e kthyen duelin në një festë të madhe sportive.
Me këtë sukses, Nelson Hysa i shton një tjetër kapitull të rëndësishëm karrierës së tij dhe tashmë synon të vazhdojë ngjitjen në arenën ndërkombëtare.


