Vllaznia e 101 viteve është shquar gjithmonë për futboll të bukur. Çdo kundërshtar që ka ardhur në Shkodër është kënaqë duke luajt sepse përballej me një kundërshtar që luante futboll sulmues dhe nga kjo kishin edhe mundësi t’i shënonim, madje edhe ta mundnin.

Kënaqësia shtohej edhe më shumë pastaj kur në fund të ndeshjes, merrnin edhe duartrokitjet e publikut shkodran, çka nuk ndodhte në asnjë stadium tjetër të Shqipërisë.

Për tifozët shkodranët gjithmonë ka patur rëndësi loja e bukur dhe spektakli në fushë. Madje ka pasë qarkulluar edhe një thënie shumë e bukur e një tifozi të thekur të Vllaznisë së atyre viteve, pikërisht e Mujec Dalipit që thoshte: “Dy shtylla janë baraz me një gol”.

Çfarë kishte dasht me thanë me këtë shprehje? Mesa duket, përderisa topi i ka shkuar shumë pranë rrjetës, emocionet kanë qenë të mëdha kur ai ka goditur edhe shtyllat dhe nëse ndodhte dy herë kjo gjë, atëherë tifozët shkodranë e konsideronin gol, pavarësisht se në fund ndoshta rezultati ka qenë 0-0.

Për tifozët e Vllaznisë e rëndësishme ka qenë gjithmonë të shkojnë në stadium e të kënaqen. Diçka që ndoshta askush tjetër në Shqipëri nuk e mendonte kështu. Në fakt nuk e mendojnë as tifozët e sotëm kuqeblu të cilët kanë ndryshuar shumë me ata.

Për të ilustruar këtë shkrim të tifozëve po publikojmë foto të fotografit të njohur të atyre viteve, Paulin Palushi, të cilat tregojnë më së miri mënyrën entuziaste si shkodranët mbushnin stadiumin dhe mbështesnin Vllazninë.
© shkodrasport.com