Më 12 mars ka qenë dita e fundit kur futbollistët shqiptarë kanë kryer stërvitjen e fundit para vendimit të pezullimit të aktiviteteve sportive. Pritja 66-ditore ka marrë fund dje, pasi zyrtarisht skuadrat kanë nisur procesin stërvitor në terren të hapur dhe në grup.

Përveç aspektit shëndetësor dhe përgatitjes fizike, që shpresohet që lojtarët ta kapin formën në ditët në vijim, problem për t’u zgjidhur mbetet aspekti financiar i personave të lidhur me futbollin, ku bëjnë pjesë lojtarët, stafet dhe punonjësit e logjistikës.

Qeveria botërore e futbollit, FIFA, para disa kohësh ka marrë disa iniciativa dhe propozime dhe u ka shpërndarë udhëzimet të gjitha federatave anëtare në lidhje me marrëveshjet kontraktuale dhe financiare të klubeve.

Parimisht, dy janë çështjet që u interesojnë futbollistëve, pikërisht shtyrja e kontratave për periudhën qershor-korrik që ka të bëjë me përfundimin e sezonit pas situatës së krijuar nga pandemia “COVID-19”, si dhe me detyrimet financiare të klubeve karshi lojtarëve për këtë periudhë, si dhe për 66 ditët që kanë ndenjur në karantinë.

SHTYRJA E KONTRATAVE

Shumë futbollistëve u mbaron kontrata me klubet respektive në fund të majit apo qershorit, por udhëzimi i FIFA-s propozon që këto afate bashkëpunimi të shtyhen deri në përfundim të sezoneve sipas vendeve përkatëse, përkundrejt marrëveshjes financiare që kanë pasur më herët.

Nisur nga situata e krijuar nga Koronavirusi, FIFA ka shpërndarë një buletin udhëzues për të gjitha shoqatat anëtare në lidhje me çështjet rregullatore të futbollit për periudhën gjatë dhe pas “COVID-19”-ës.

Për të zgjidhur ngërçin që krijohet nga marrëveshjet që përfundojnë sipas limiteve të caktuara dhe si duhet vazhduar për ta mbyllur sezonin pas Koronavirusit në udhëzimin e FIFA-s shkruhet:

“Duket se, si rregull i përgjithshëm, marrëveshjet e punësimit rregullohen nga ligji kombëtar dhe autonomia kontraktuale e palëve. Duke marrë në parasysh këtë dhe në përputhje me paragrafin 2 të nenit 18 të RSTP-së, propozohet që:

1-Kur një marrëveshje pritet të përfundojë në datën fillestare të përfundimit të një sezoni, ky përfundim mund të zgjatet deri në datën e re të përfundimit të sezonit.

2-Kur një marrëveshje pritet të vendoset në zbatim në datën fillestare të fillimit të një sezoni të ri, kjo do të shtyhet deri në datën e re të fillimit të sezonit të ri.

3-Në rast të mbivendosjes së sezoneve dhe/ose periudhave të regjistrimit dhe përveç nëse të gjitha palët bien dakord ndryshe, do t’i jepet përparësi klubit të mëparshëm për të përfunduar sezonin e tyre me skuadrën e tyre fillestare, në mënyrë që të ruajnë integritetin e një lige vendëse, të ndeshjeve të FAve dhe ndeshjeve kontinentale.

4-Pavarësisht ndryshimit të rekomanduar në datat e marrëveshjes, çdo pagese që sipas kontratës duhet të paguhet para datës së fillimit të një marrëveshjeje duhet të shtyhet deri në datën e re të fillimit të një sezoni të ri ose periudhën e parë të regjistrimit.