Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia do të luajë ndeshjen e rradhës në kampionat kundër Bylisit. Sfida do të zhvillohet ditën e dielë në orën 17:00, në kuadër të javës së 24-të të Abissnet Superiore. Para kësaj ndeshje, trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç tha se koha në dispozicion për ta përgatitur këtë duel ka qenë shumë e shkurtër, por ka besim se kuqeblutë do ia dalin ta fitojnë këtë sfidë.
“Jemi përgatitur për këtë ndeshje. Kemi patur një kohë shumë të shkurtër në dispozicion. Duhet të punojmë me ritmin, të mbajmë një atmosferë të mirë dhe të kemi shpirtin e garës për të fituar ndeshjen ndaj Bylisit. Kemi disa mungesa për këtë ndeshje, si Qato, Spahija dhe Mensah, por shpresojmë të kemi ndonjë rikthim, pasi na duhen të jenë të gjithë të gatshëm për organikën e ekipit. Çdo ndeshje është e ndryshme nga tjetra. Me Bylisin kemi një mundësi të mirë për të arritur tre-pikëshin dhe të vijojmë me rezultatet e mira për të na dërguar drejt objektivit tonë. Shpresoj që të fitojmë me Bylisin.”
Brdariç foli edhe për Delajn, ndërsa konfirmoi edhe njëherë tjetër se Marko Juriç do të vijojë të jetë pjesë e Vllaznisë.
“Delaj është rikthyer nga një virozë gripale dhe ka bërë stërvitje i diferencuar së bashku me një pjesë tjetër grupi të futbollistëve. Jemi të fokusuar vetëm te stërvitja dhe te ndeshja e rradhës. Më pëlqen gjithmonë të kem sa më shumë opsione dhe te Vllaznia, kohën e fundit e kemi rritur konkurrencën. Kjo është diçka e mirë. Juriç? Ai ka qenë dhe do të vijojë të jetë pjesë e ekipit të Vllaznisë.”
Ndeshja mes Vllaznisë dhe Bylisit do të luhet ditën e dielë në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 17:00, në kuadër të javës së 24-të të Abissnet Superiore.