Mbrojtësi i Vllaznisë, Erdenis Gurishta shoqëroi në konferencën e zakonshme për mediat, trajnerin Edi Martini dhe kapitenin Bekim Balaj. Ai u shfaq besimplotë për fitoren kundër Egnatias.
“Padyshim që gjithsecili lojtar mezi po e pret ditën e nesërme, jemi përgatitur shumë, shansi ynë ishte që luajtëm në Europë disa ndeshje dhe fati i keq që u eliminuam sepse ëndrra jonë ishte të kalonim në turin e tretë, dhe fokusi është te ndeshja e nesërme, jemi të përgatitur.
Kemi pasur disa probleme, por nuk duhet të harrojmë që futbolli është lojë kolektive dhe se duhet të mbrojë i gjithë ekipi dhe jo vetëm mbrojtësit, çdo ditë jemi duke përmirësuar. Sduhet të harrojmë largimet dhe lojtarët e rinj që kanë ardhur. Na kanë ardhur lojtarë cilësorë që do të na ndihmojnë, me cilësitë që janë shtuar do jetë një Vllazni e fortë.
Vllaznia i ka mundësinë që në çdo ndeshje të marrë 3 pikë, Dinamos i urojmë suksese në Europë. Na vjen mirë që një skuadër shkon në “play off” por ndjehemi të barabartë dhe do e tregojë edhe fusha. Ta nisim me fitore është diçka e madhe, sidomos në shtëpinë tonë dhe ekipit që na mori kampionatin vitin e kaluar, mezi po e presim dhe nëse luftojmë me njëri-tjetrin dalim me 3 pikë nesër”, përfundoi Gurishta.