Në prag të sfidës me Norvegjinë, kapitenia e Shqipërisë, Megi Doçi ka dalë në një konferencë për shtyp duke theksuar se asgjë nuk është e pamundur në futboll.
Si është atmosfera në skuadër? – Ndeshjen po e presim me emocion, duke pasur parasysh që jemi kualifikuar si të parët nga grupi. Për ne ishte një arritje sepse dita ditës po rritemi si ekip Kombëtar. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme. E dimë se çfarë ekipi kemi përballë. Kemi luajtur më parë me Norvegjinë dhe e dimë se ka shumë cilësi si ekip. Kemi besim dhe me sakrificë e dëshirë do të japim gjithçka në fushë. Të japim më të mirën.
A premton Megi Doçi gol nesër me Norvegjinë?- Realisht nesër do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, pasi ekipi që kemi përballë është shumë i fortë. Dëshira ime për të shënuar nuk do të mungojë asnjëherë, por dëshira ime më e madhe është që të jap më të mirën për ekipin duke qenë se unë udhëheq ekipin në fushën e lojës. Besoj që vajzat do të japin më të mirën në fushë, janë të motivuara maksimalisht. Vajzat e presin me emocion këtë ndeshje për të dhënë më të mirë në fushë, pasi ndaj këtyre ekipeve gjithsecila mund të tregojë veten.
Do të jetë e vështirë për të kaluar Norvegjinë? – Patjetër që po. Janë një ekip me cilësi. Ndërsa ne po rritemi dita ditës. Kemi besim në forcën tonë dhe prurjet e reja gjithashtu. Të mbështesim njëra – tjerën në fushën e lojës duke dhënë më të mirën. Të luajmë në grup dhe të bashkuara për një rezultat pozitiv.
Ndeshja luhet në stadiumin “Loro Boriçi”? – Kam 13 vite që luaj në stadiumin “Loro Boriçi”. Është një fushë që unë e njoh shumë mirë. Shkodra e ka mirëpritur gjithmonë mirë futbollin dhe dua t’i jap një mesazh të gjithë tifozëve. Të na mbështesin nesër nga shkallët e stadiumit dhe të jenë të pranishëm sepse realisht kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Luajm ndaj një kundërshtari të vështirë, por asgjë nuk është e pamundur.