Nga Endri ÇINARI
Nga vlerat e futbollistëve në merkato, Kevin Dodaj vijon të ngelet më i shtrenjti tek Vllaznia. Sulmuesi prej disa kohësh ka kapur vlerën e 500 mijë eurove në tregun e shit-blerjeve të futbollistëve. Duke u vlerësuar kështu për performancat e tij e po ashtu duke qenë lojtari më i vlefshëm tek shkodranët. Me 19-vjeçarin që është potenciali më i madh për një shitje jashtë vendit.
Në fakt interesi i skuadrave të ndryshme në kampionate të rëndësishme të kontinentit nuk ka munguar për numrin “22”. Futbollisti i dytë më i shtrenjtë tek Vllaznia sipas faqes së specializuar “Transfermarkt” është Esat Mala. Me prizrenasin që nga performanca e sezonit të shkuar ka pasur një rritje të vlerës në 400 mijë euro. Duke qenë kështu i renditur në vendin e dytë pas Dodajt përsa i përket futbollistëve më të shtrenjtë tek kuqeblutë.
Podiumin ndoshta për habi e mbyll Aron Jukaj, si futbollisti i tretë më i shtrenjtë në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit. Gardiani ka qenë titullar i portës shkodrane nga dhjetori i shkuar, ku tashmë ka një rritje të vlerës së kartonit në 300 mijë euro.
Pas kësaj treshje tek Vllaznia si lojtari më i shtrenjtë renditet Klinti Qato, me një shifër prej 275 mijë eurosh. Teksa janë një grumbull futbollistësh si Barjami, Krymi, Gruda, Jago apo edhe Sala që në treg vlerësohen me 250 mijë euro.(www.shkodrasport.com)