Nga Endri ÇINARI

Vllaznia ditën e sotme ashtu si ekipet e tjera të Superligës ka mësuar edhe kundërshtarin që do ketë në turin e parë të Conference League. Kështu shkodranët do jenë përballë skuadrës së BFC Daugavpils nga Letonia. Një ekip që aktualisht është në aktivitet, ku në kampionatin e elitës së futbollit në shtetin balltik luhet java e 17-të e tija. Teksa kundërshtarët e shkodranëve e mbyllën edicionin e shkuar në vendin e 5-të.

Por duke qenë se RFS ishte fituese e kampionatit dhe kupës në Letoni, vendi për kualifikimin në Conference League u hap për Daugavpils. Nga ana e tyre letonezët janë një skuadër modeste, me një stadium prej vetëm 3400 vendesh dhe një vlerë ekipi prej 2.93 milionë eurosh në total.

Ku futbollisti më i vlerësuar sipas Transfermarkt është Bathelemy Diedhiou, sulmuesi krahut që kap shifrën e 250 mijë eurove. Ndër të tjera edhe historia në futbollin vendas të Letonisë është e “varfër” për Duagavpils, që ka vetëm një titulli në vitin 2012 përsa i përket elitës së futbollit në Letoni.

Një kundërshtar absolutisht i kalueshëm për Vllazninë, por që nuk nënvlerësohet aspak nga shkodranët duke pasur parasysh eksperiencat jo pozitive në sezonet e shkuara me skuadra si Valur apo Lindfield.

Dueli i parë mes dy skuadrave do luhet në Shqipëri në datën 10 korrik, e ai i kthimit vetëm pas një jave në Letoni.