Elvin Beqiri është nga të paktët ish-futbollistë të Vllaznisë në dy dekadat e fundit, që nuk e ka braktisur asnjëherë klubin e vendlindjes për një skuadër tjetër brenda kampionatit shqiptar. Ishkapiteni i shkodranëve, prej rreth 2 vitesh është shpërngulur në Kanada me familjen, aty ku në një akademi në Toronto ushtron edhe detyrën e trajnerit.
Karriera e tij si trajner nisi në vitin 2019, ku drejtoi Kombëtaren U-17 të Shqipërisë deri në janar 2021. Ndërsa në sezonin 2021-2022 ishte në krye të Tërbunit në Kategorinë e Parë. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, 43-vjeçari pranoi të komentonte ato që tashmë i sheh nga larg për Superioren, Vllazninë, por padiskutim edhe Kombëtaren kuqezi, me të cilën ka luajtur 47 ndeshje në vitet 2002-2009.
Elvin, prej rreth dy vitesh jetoni në Kanada. Sa i informuar jeni rreth asaj që ndodh në kampionatin tonë në këtë periudhë?
Po, të them të drejtën jam munduar ta ndjek rregullisht kampionatin, pasi edhe oraret më kanë rezultuar të përshtatshme. Thuajse çdo ndeshje që është transmetuar në “MCN”, e kam ndjekur.
Si ju është dukur Superiorja, ka ndonjë gjë që ju bën përshtypje?
Më ka bërë përshtypje vazhdimësia e Egnatias. Një ekip që ka treguar stabilitet që nga sezoni i kaluar dhe sidomos këtë kampionat, ku po bën më mirë, duke pasur objektiva të qarta për të dalë kampion. Pastaj edhe Partizani po bën mirë, ndërsa Tirana ka shumë oshilacione, ashtu si Vllaznia, që nuk është aty ku është menduar që prej ardhjes së presidentit të ri. Megjithatë, ajo që bie në sy më tepër në këtë kampionat, është se diferencat janë shumë të vogla. Përjashto Partizanin dhe Egnatian, që për momentin duken më superiorë, të gjitha skuadrat e tjera janë aty-aty. Mirëpo, është akoma herët për të dhënë konkluzione të sakta, edhe pse kanë kaluar 15 javë.
Ju jeni ndër të paktët ishkapiten të Vllaznisë, që nuk e keni braktisur asnjëherë klubin e zemrës, për një skuadër tjetër të kampionatit shqiptar. Si ju duket momenti që po kalojnë kuqeblutë?
Gjëja e parë që shikoj nga larg, janë problemet që pati klubi në verë, duke bërë shumë largime nga sezoni i kaluar. Për çdo skuadër, aty ku lëvizjet janë të mëdha, vështirësitë dihen. Luhatjet ishin të pritshme, por ajo që dhemb është fakti se Vllaznisë i ikën shumë lojtarë cilësorë dhe nga ana tjetër, nuk u zëvendësuan me të tillë ose të paktën të ishin brenda pritshmërive. Lojtarët që erdhën në verë mendoj se nuk kanë dhënë rendimentin që të gjithë presin. Normalisht në këtë situatë mund të rregullohet diçka në merkaton e janarit dhe personalisht kam besim që me ardhjen e trajnerit të ri dhe drejtorit sportiv, Osmani, do të ketë ndryshim.
Ju mendoni se problemi kryesor ka qenë merkatoja e janarit, pra zëvendësimi i largimeve me lojtarë jo të nivelit të atyre që ikën?
Kjo duket qartë që merkatoja ka lënë për të dëshiruar, sepse janë afruar futbollistë, të cilët po dalin skerco. Fakti që një pjesë e mirë e tyre qëndrojnë në stol dhe nuk preferohen fare nga trajneri, e konfirmon këtë. Në momentin që stafi nuk ka më besim tek lojtarët që janë afruar në verë, kjo do të thotë se merkatoja ka dështuar. Ka edhe një pjesë tjetër lojtarësh, që po mundohen të bëjnë diçka, por nuk mjafton.
Për çfarë ka më tepër nevojë Vllaznia?
Për një merkato më cilësore, edhe pse unë nuk jam dakord për të afruar lojtarë të huaj.
Pse mendoni kështu?
Sepse Vllaznia ka një akademi që nxjerr gjithmonë lojtarë cilësorë. Kjo më bën përshtypje, pasi Vllaznia me U15, U-17 dhe U-19, merr trofe çdo sezon. Kjo gjeneratë nuk aktivizohet si duhet te ekipi i parë i Vllaznisë, prandaj dhe nuk jep rendimentin e pritur. Talentet e akademisë nuk u jepet shumë mundësia te Vllaznia, ndërsa moshatarët e tyre i sheh më shpejt të afirmuar në ekipe të tjera. Kjo është një mungesë menaxhimi dhe besueshmërie tek elementi i ri. Së fundmi, më është bërë qejfi që janë aktivizuar disa 17 vjeçar apo 18 vjeçar, por shpresoj që të vazhdohet me këtë linjë me lojtarët e akademisë. Klubi i Vllaznisë duhet të bazohet te akademia, ta menaxhojë më mirë dhe t’i japë dorën të rinjve. Kjo është edhe kursim financiar për klubin, sepse është ndryshe kur merr të huaj apo ekipe të tjera.
Si një ish-mbrojtës, në 18 golat e pësuar në 15 ndeshje, çfarë ju ka zhgënjyer më tepër?
Këtë nuk mund ta shohim me emra të veçantë. Unë e shoh pjesën e mbrojtjes si skuadër, jo si individë. E vërteta është se Vllaznia ka probleme në të dyja fazat e lojës, aspektin mbrojtës dhe atë sulmues. Vazhdimisht ekipi ka probleme në stabilitetin e lojës, kështu që nuk mendoj se faji është vetëm i repartit të mbrojtjes, por i të gjithë skuadrës.
Ku e shikoni Vllazninë në fund të këtij sezoni, mendoni se të paktën, mund të jetë pjesë e katërshes?
Siç e thashë edhe më lart, përjashto Partizanin dhe Egnatian, por ndoshta edhe Tiranën që mund të marrë veten, pasi ka elementë cilësorë në përbërje, ekipet e tjera janë aty-aty. Kjo duket qartë që shpesh vendi i tretë dhe i katërt ndërron vendet. Një herë është Laçi, një herë Skënderbeu, një herë Vllaznia apo Dinamo, që është rritur goxha pas ardhjes së trajnerit Mehmeti. Vendi i tretë apo i katërt do të jenë gjithmonë të hapur. Në këtë moment është e pamundur për të dhënë një opinion të saktë se ku mund të shkojë Vllaznia, por besoj se i ka të gjitha mundësitë për të qenë pjesë e katërshes. Ky kampionat ka treguar që me dy humbje radhazi mund të rrezikosh edhe mbijetesën, kështu që diferenca te kjo pjesë është shumë e vogël.
Të flasim pak për këtë edicion fantastik të Kombëtares. E prisnit se mund të bënim kaq mirë apo ishte diçka jashtë parashikimeve?
I kam përjetuar me shumë emocion ndeshjet dhe na kanë bërë krenar me këtë ecuri. Në fillim ishte e paparashikueshme për të gjithë ndoshta që të kapnim vendin e parë, por ama duke parë grupin, kishim një farë besimi se mund të kualifikoheshim në Europian. Kombëtarja doli jashtë parashikimeve dhe kjo është një meritë e madhe e Silvinjos, bashkë me stafin e tij, për përzgjedhjen e lojtarëve dhe punën e madhe që kanë bërë. Natyrisht, për të pasur sukses, duhet edhe një mbështetje e madhe nga FSHF-ja, por edhe kushtet duhet të jenë të duhurat. Personalisht më ka habitur fakti që Silvinjo qëndron gjithë kohën në Shqipëri dhe kjo tregon që përkushtimi i tij ka qenë maksimal. Frytet u morën tashmë dhe shpresoj ta kemi për shumë vite këtë trajner.
Cilat mund të jenë shanset në një grup me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë?
Na mungonte vetëm Brazili pa na rënë në këtë grup (qesh). Kjo është edhe çështje fati, por unë mendoj se në këtë grup Shqipëria nuk ka se çfarë të humbasë, por vetëm mund të fitojë. Nuk është asnjë çudi nëse bëjmë edhe surprizën. Presioni është te Italia, Spanja dhe Kroacia, që mund të humbin diçka, por jo tek ne. Nga ky grup vetëm do të fitojmë, edhe nëse nuk marrim rezultate pozitive, pasi në fund të fundit është eksperiencë dhe rritesh si ekip. Gjithsesi, unë kam shumë besim se të paktën mund të marrim një fitore dhe ndoshta këtë e bëjmë ndaj Kroacisë. Asnjëherë nuk i dihet dhe të mos harrojmë që në Gjermani do të kemi një mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët kuqezi.