HomeFUTBOLLFUTBOLLI I FEMRAVEVllaznia e femrave nesër ndaj ukrainasve të Kolos Kovalivks për t'u kualifikuar...

Vllaznia e femrave nesër ndaj ukrainasve të Kolos Kovalivks për t’u kualifikuar në turin e dytë të ‘Europa Cup’

Dita e nesërme (e mërkurë) ka dhuruar në kalendar një sfidë interesante, atë në mes Vllaznisë së femrave dhe ekipit ukrainas Kolos Kovalivka. Kjo do të jetë ndeshja e kthimit në mes tyre, sepse siç dihet e para e luajtur të enjten e kaluar në “Loro Boriçi” u mbyll me fitoren 2-0 të ekipit shkodran.

Sipas kalendarit, ndeshja e kthimit do të luhej në Ukrainë por siç dihet për shkak të situatës në këtë vend, ndeshjet europiane të ekipeve zhvillohen jashtë vendit dhe për këtë arsye drejtuesit e Kolos Kovalivka e kanë mirëpritur propozimin e Vllaznisë për t’i luajtur të dyja ndeshjet në Shqipëri.

Si rrjedhojë edhe takimi i kthimit do të luhet nesër në ora 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Në pamje të parë kampionet e Shqipërisë janë favorite, nisur nga rezultati i ndeshjes së parë por edhe ngaqë ndeshja do të luhet në fushën e tyre.

Megjithatë dy futbollistet nga më të rëndësishmet e ekipit të Vllaznisë, Megi Doçi dhe Arbiona Bajraktari, në konferencën e sotme për shtyp u shprehën se nuk nisen fare nga rezultati i ndeshjes së parë dhe për ta gjithçka do të nisë nga e para.

E njëjta gjë u deklarua edhe nga trajneri Nikolin Leka, i cili shtoi: “Në pamje të parë gjithçka mund të konsiderohet e mbyllur, por ne nuk mendojmë kështu. Po i japim vlerësimin e duhur edhe ndeshjes së kthimit dhe do të ketë një përqendrim maksimal për ta mbyllur edhe atë me sukses dhe për t’u kualifikuar për në turin tjetër”.(www.shkodrasport.com)

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments