Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia ka hedhur një hap drejt kalimit në turin tjetër të UEFA Conference League, pas një fitoreje me rezultatin 2-1 në “Loro Boriçi” ndaj Vikingur. Shkodranët zhvilluan një nga ndeshjet më të mira ndërkombëtare në historinë e tyre, duke qenë dominues, me një paraqitje bindëse që i ka afruar më shumë se kurrë objektivit të madh, që është kualifikimi.
Kjo do ishte një arritje e jashtëzakonshme për skuadrën e Edi Martinit, të cilët janë shumë pranë një suksesi historik, kalimit në turin e tretë, gjë që nuk ka ndodhur më parë në historinë e klubit. Në kushtet aktuale, Vllaznia është me një këmbë në raundin tjetër, pasi pothuajse gjithçka është treguar në dorën e tyre.
Ata kanë treguar superioritet në fushë dhe i kanë të gjitha mundësitë për të menaxhuar rezultatin. Megjithatë, në futboll asgjë nuk është e garantuar dhe vetëdija për këtë është prezente në grupin shkodran, aq më tepër që ndeshja luhet edhe në transfertë. Kualifikimi nuk është vetëm çështje rezultati, por edhe një provë karakteri dhe maturie për skuadrën kuqeblu.
Tashmë, është Vllaznia ajo që kontrollon fatin e vet dhe për të mos e prishur këtë mundësi të artë, duhet të mbetet me këmbë në tokë deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit. Megjithatë, me gjithë entuziazmin e krijuar pas fitores në Shkodër, në kampin kuqeblu nuk mungon kujdesi. Stafi dhe futbollistët e dinë mirë se nuk duhet ta konsiderojnë ndeshjen të mbyllur para kohe.
Vikingur Reykjavik mbetet një ekip me eksperiencë ndërkombëtare dhe gjithçka mund të ndodhë nëse nuk ruhet përqendrimi maksimal. Pra, edhe pse Vllaznia është shumë pranë një suksesi të madh, duhet të shfaqë pjekuri dhe të mos harrojë që, një moment dobësie mund të përmbysë gjithçka.(www.shkodrasport.com)