*Këtë cikël shkrimesh të rivështruara me modesti ua kushtoj personazheve historike të atletikës shqiptare, të afërmve të mi: themeluesve epokalë të viteve ’20 e përtej: profesorëve FEHTI DIZDARI e IBRAHIM DIZDARI si dhe Dr. BAHRI KOPLIKUT. Ua kushtoj të paharrueshmëve SADETIN HOTI e VALBONA TELI.

Ia kushtoj shokut të rinisë: kampionit të paharrueshëm RASIM KRAJA. Ia kushtoj SYRRI HOTIT e SKËNDER FUSHËS (BUSHATI) – dy mbi 80- vjeçarë stoikë, të cilët vazhdojnë të jenë tejet të afërt në ndjekjen e atletikës së sotme shqiptare.

2 SHTATORI 1929 – SFIDË SHQIPËRISË SË SOTME TË ÇUDITSHME…

Sapo ka kaluar. Ka kaluar viti 2019, viti i 90- vjetorit të themelimit të një Kampionati Kombëtar Sportiv në Shqipëri. Një ngjarje e jashtëzakonshme që ka ndodhur në Shallvaren e Tiranës më 2 shtator 1929.

Këtë cikël e kam rifilluar në numrin e 1 korrikut 2019 me shkrimin me titull “IZMIR SMAJLAJ dhe një histori shekullore përreth tij”. Përdora rastin e thyerjes në 8.11 metra të rekordit të rangut europian të Izmir Smajlajt në kërcimin së gjati, duke veçuar madje deri në hollësi historinë statistikore të këtij rekordi me në krye pionierin e tij profesor Petro Andonin.

E edhe pse Kampionati i Parë Kombëtar i Atletikës së Lehtë sapo ka hyrë në vitin e 91-të të tij, unë po vazhdoj si të isha në 90-vjetorin e tij.

Do të jetë një cikël shkrimesh pak i ngadalshëm, si të thuash, disi periodik. Edhe ngaqë hulumtimi në fuqizim e freskim e sipër, kërkon kohë e meditim, zbulime të reja e rikonfirmime. Pse jo, dashtë e pa dashtë disi i mbështjellë edhe me nostalgji. Aq më tepër që ky 90-vjetor e gjeti Shqipërinë të vetmin kryeqytet pa pistë atletike. Është “vepër” e arrogancës vetjake qeveritare.

A thua vetëm kaq?

20 vjet më parë, me cilësinë e anëtarit të Komisioni Kombëtar të Pullës Postare, në vitin 1999, së bashku me të paharrueshmin Niko Xharo, filatelistin e përmasave kombëtare dhe rotarianin tejet fisnik, e patëm bindur administratën shqiptare t’i kushtonte këtij kampionati një pullë postare. Ndodhte për herë të parë në histori që një kampionati kombëtar Shqipëria t’i kushtonte emetimin e një pulle postare. Ka qenë 70-vjetori i Kampionatit të parë të Atletikës së Lehtë! Vetëm kaq! Ndoshta nuk është pak megjithatë.

Dhe vështroni se ku vazhdojmë të jemi! Asnjë stadium. Asnjë pallat sporti. Asnjë objekt sportiv në Shqipëri. Asnjë qendër sado modeste sportive nuk mban emrin e një atleti, ndonëse prej atletikës shqiptare kanë lindur, bie fjala, edhe atlete si Mirela Manjani – kampione e botës, kampione e Europës, nënkampione olimpike. Me Greqinë dihet. Por, është krejtësisht prodhim i atletikës shqiptare. Greqia e mori kur Mirela, vajzë e re, me Shqipërinë ishte renditur e 12-ta në Kampionatin Botëror.

Jo në Kampionatin e Shqipërisë, por në atë të botës, pra! Dhe po me Shqipërinë ishte nënkampione e Europës për të reja. E kemi quajtur “tradhtare” (Unë për vete e kam quajtur heroinë e sportit shqiptar dhe atij grek). A vërtet, mendoni se në globalizimin e sotëm do të ishte “krim” ta dekoronim Mirela Manjanin? Po a nuk e shihni se vazhdojmë të dekorojmë e të nderojmë pa pushim qytetarë-shtetas të huaj thjesht sepse janë miq të Shqipërisë e flasin mirë për ne…?

Dhe nuk shkojmë as te themeluesit, as te pionierët e atletikës së vitit 1929, prej të cilëve sot e kësaj dite nuk kemi dekoruar apo nderuar më shumë se nja dy a tre. Edhe këta, kushedi kur! Disa madje ende vazhdojnë të mbeten armiq të Shqipërisë. Do t’i takojmë më tej në vazhdimësinë e ciklit tonë.

Këtë histori, në një mënyrë tjetër, e kam shkruar apo shtjelluar me kohë. Mirëpo, tash nuk është as 80-vjetor dhe as 85-vjetor. Është 90- vjetor. Gati një shekull! Dhe duke u mbështetur në shkrimet e mëparshme, ato do të pasurohen e, pse jo, do të “kompozohen” disi ndryshe. Sidomos duke i pasuruar tejet me fakte të reja e mbi të gjitha, duke zbuluar sa e sa rezultate të tjera, sidomos emra të tjerë e ngjarje krejt të panjohura deri më sot.

Kështu, kronologjia modeste sportive e asaj Shqipërie është, ndërkaq, vërtet e çuditshme në skajet e ngjarjeve të saj, konkrete e abstrakte, nismëtare e të dështuara, ândrruese e të vërteta.

SHQIPËRIA MBRETËRORE E VITIT 1929

Ka qenë një organizim edhe sportiv që do të quhej Enti Kombëtar “Djelmnia Shqiptare”. Kohë kur 1929-ta përfaqëson një vit të çuditshëm për gjithë jetën shqiptare, shoqërore e politike, sportive e kulturore, të hapjes së Shqipërisë dhe të organizimeve e themelimeve të shumta shtetërore.

Mbreti Zog i kërkon Austrisë mundësinë e kthimit, kundrejt një pagese, të përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut. Mbreti riafirmon autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare. Në Mbretërinë e Shqipërisë hyn në fuqi Kodi i ri i Procedurës Civile. Shqipëria ndahet në 189 komuna në dhjetë prefektura: Tiranë, Durrës, Shkodër, Dibër, Kosovë, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër. Një komunë duhet të kishte 2500 banorë.

Gazeta “Sunday Referee” boton një intervistë me Mbretin Zog, i cili deklaron si parësor “progresin në edukimin publik dhe reformat në të gjitha organizimet e Shtetit”. Mandej do të shkohet te festimi në Tiranë i 34-vjetorit të lindjes së Mbretit Zog me një paradë të madhe që filmohet prej shoqërisë kinematografike amerikane “Fox Movietone News”, dhe kryeqyteti është i mbushur me flamuj kombëtarë, me vajza me kostume kombëtare dhe me demonstrimin e parë publik të grave myslimane me fytyra të zbuluara për herë të parë.

E nga ana e tij, Enti Kombëtar “Djelmnia Shqiptare”, i cili demonstron me 5000 të rinj! Është Enti, organizata dhe instanca prej së cilës do të dalin të gjitha zhvillimet sportive në Shqipëri, e pra edhe Kampionati i saj i parë Kombëtar në histori, që është ky i Atletikës së Lehtë. Diviza e tij është kjo: “Me marrë kulturë fizike, morale e atdhetare si dhe përgatitje paraushtarake”. Për herë të parë në Shqipëri vendoset ai që quhet Inspektori i Kulturës Fizike, i cili emërohet në të gjitha prefekturat. Mos harroni: nuk është 2012, por 1929!

Është viti 1929, i cili për sportet dhe kulturën fizike në shkallë kombëtare është një vijë fillese e bujshme historike për një Shqipëri me 1.002.124 banorë, prej ku 688.280 të besimit islam, 210.313 të besimit ortodoks, 104.184 të besimit katolik, me 37.270 minoritarë grekë, me 4709 qytetarë të huaj të pranishëm në tokën shqiptare, prej të cilëve 2074 italianë, 993 grekë, 754 jugosllavë, 80 britanikë.

Dhe me tri qytete që po rriteshin fort: Tirana me 30.806 banorë, Shkodra me 29.906 dhe Korça me 22.807 banorë. Janë shifra zyrtare të kohës, që merreshin duke i ndry për disa orë shqiptarët në shtëpi si në një shtetrrethim për të bërë regjistrimin civil dhe social më të saktë se kurrë! Dhe më 20 gusht 1929, Enti Kombëtar nis shpalljen e organizimit të kampionateve kombëtare.

Drejtori i Entit, zotni De Marchis, i cili do të luajë role të dorës së parë në organizimin e kampionateve tona kombëtare të viteve ’30, njofton ndërkaq: “Kemi nderin t’ju njoftojmë se simbas urdhënit të N.M. së Tij Mbretit të Shqipëtarëve Zog I, me dekret, më 2, 3, 4, 5, 6 shtator të këtij viti kanë me u zhvillue këtu në Tiranë, nën ditët e naltshenjueme, të parat Gara të Kampjonateve t’Atletikës së Lehtë, t’organizueme nga kjo degë, gara në fjalë kanë me u zhvillue në fushën e Shallvares”. Interesant! Thuhet: “…simbas urdhënit të N.M. së Tij Mbretit të Shqipëtarëve Zog I, me dekret”. Mund të merret edhe ky ent i vitit 1929 si themelim i Federatës Shqiptare të Atletikës së Lehtë. Dhe një pllakat i posaçëm që i kushtohet kampionatit.

As sot ende nuk kam arritur të gjej piktorin, autorin. Por, pllakati ka një firmë në fund, në anë të tij: “Kosturi”. Duhet të jetë firma e cingografisë të të mirënjohurit Nexhdet Kosturi, i cili e kishte mësuar profesionin e tij në Vjenë, siç ma ka përcaktuar studiuesi i fotografisë shqiptare, Qerim Vrioni.

Po kjo nuk do të thotë se ai është piktori i këtij pllakati. Edhe në këtë përkujtim shfaq mendimin se ndoshta është krijim i Shadan Toptanit, deri diku një sportist i kohës, por i mirënjohur për dekada madje, si piktor pllakatist dhe i filatelisë shqiptare… Kështu shkohet te 2 shtatori 1929, te ngjarja e madhe e këtij viti sportiv fatthënë që personifikohej me fillimin e një Kampionati të parë Kombëtar të Atletikës nën patronazhin e naltë të Princeshës Myzejen.

E DREJTON MINISTRI HIL MOSI

Për të mbërritur te ky 2 shtatori 1929, njeriu që merret personalisht është mû ministri i Arsimit, Hil Mosi. Dhjetë vjet më parë, më 1919, ai kishte qenë organizatori kryesor dhe kryetari themelues i asaj që njihet deri sot e kësaj dite si Shoqnia “Vllaznia” e Shkodrës, prej ku vjen Vllaznia e sotme.

Tash ministër, Hil Mosi ka pasur rol parësor edhe në këtë organizim të Kampionatit Kombëtar të Atletikës së Lehtë. 60 vjet më vonë, nipi i tij, i përkujtueshmi Prof. Dr. Arben Jorgoni, do të bëhej presidenti i parë i Komitetit Olimpik Shqiptar në Shqipërinë moderne!

E vërteta është se pak javë më parë qe zhvilluar një kampionat atletike ndërshkollor, siç quhej, dhe sot kemi në dorë pamjen autentike të medaljes së këtij kampionati nxënësish që i paraprin Kampionatit Kombëtar të 2 shtatorit. Askund tjetër përveçse në shkollë, në ato të mesme a gjimnaze, nuk kishte ku t’i gjente atletika shqiptare atletët e saj.

Kujto për këtë sidomos Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, Liceun e Korçës, Normalen e Elbasanit, po ndoshta duke vënë në vend të parë Shkollën Teknike Amerikane të Tiranës, e cila qysh në themelim kishte atë që ajo e quante “Shoqnia Athletike e Shkollës Teknike” e drejtuar personalisht prej drejtorit Harry T. Fultz, e cila sapo zhvillonte në Shallvare kampionatet e saj model të atletikës!

Kampionati i parë Kombëtar i Atletikës së Lehtë do të ishte një kampionat i vërtetë atletik, i cili bazën e tij e kishte mû në shkollë. Ai do të shpallte për herë të parë kampionët e Shqipërisë në 100, 200, 400, 800, 1500, 5000 dhe 8000 metra; kampionët në 110 metra me pengesa; kampionët në kërcim së larti, së gjati, trehapësh, shkop; kampionët në gjyle, disk, shtizë, çekiçin e kohës (topi me dorezë); kampionët në stafetat 4×100 dhe 4×400; kampionët në pesëgarësh e dhjetëgarësh.

Emrat e këtyre kampionëve, me ndonjë përjashtim, kishin mbetur krejt të panjohur deri para nja tre-katër vjetësh kur autori i këtushëm i bëri të njohur. Po ashtu dhe rezultatet e garave të fituara prej tyre e po aq edhe shokët që konkurruan me ta. Ata kampionë të parë të vitit 1929 janë protagonistë të themelimit të një historie të re, pionierë themelues të atletikës, personazhe historike, të cilët valët dhe kapriçot e jetës dhe historisë i shpërndanë andej e këndej, brenda e jashtë Atdheut, në udhët e fatet e një jete sa befasuese po aq dhe të pamëshirshme, sa nënvleftësuese po aq dhe harruese.

POST SCRIPTUM

Zbulimi i një 100-vjetori “të panjohur” Vllaznia e Shkodrës, ajo shoqëri kulturore sportive prej ku vjen Vllaznia e sotme e sporteve, më 1920 kishte organizuar garën e parë atletike në Shqipëri, një “marathonë” rrugëve të Shkodrës, të fituar prej të quajturit Kol Gjoni. Është plot 100 vjet më parë! Kjo duhet të jetë gara e parë atletike e zhvilluar në Shqipëri. Ende mungojnë dokumentet e hollësishme për t’i vënë vulën, por të gjithë të vjetrit e Shkodrës e pohonin zhvillimin e saj përmes kujtimeve të tyre… Pa dyshim, edhe kjo ngjarje duhet të jetë një ndjesi atletike e atdhetarit të shquar, Hil Mosi…