Ndodh rrallë që një kampionat të shtyhet për një kohë të pacaktuar, por kur në mes janë forca madhore, askush nuk mund të dalë mbi to.

Për herë të fundit që Kategoria Superiore (cilësohej Kategoria e Parë deri në vitin 2002) është ndalur, ka qenë sezoni 1996-1997, pikërisht në vitin e trazirave në Shqipëri. Sezoni i rregullt u luajt deri në mars 1997, kur dhe u zhvilluan 17 javë kampionat.

Deri në atë moment renditja ishte kjo: Flamurtari i pari (37 pikë), Tirana e dyta (34 pikë), Vllaznia e treta (33 pikë), si dhe Apolonia e Partizani në vendet katër dhe pesë (me nga 31 pikë). Tashmë që edhe edhe në vendin tonë është përhapur koronavirusi dhe kampionati është pezuluar pa afat, ish-trajneri i Flamurtarit, Latif Gjondeda (ish-futbollist i shquar në vitet ’80)), kthehet pas në kohë.

Njeriu që drejtoj skuadrën në vitin e mbrapshtë 1997, kujton peripecitë dhe heqjen nga dora të titullit kampionat, por ndërkohë flet edhe për karantinën ushtarake që ka provuar vetë.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Gjondeda thotë se FSHF nuk duhet të bëjë gabimet e vitit 1997. Sipas tij, kampionati duhet të nisë aty ku u ndërpre, ndoshta edhe pas dy muajsh. Ai bën të ditur se ekipi vlonjat u paragjykua nga ngjarjet që kishin përfshirë Vlorën.

Jemi në një situatë ku nuk mund të flitet për futboll. Si e shtyn ditën dhe a i respekton rregullat pas përhapjes së koronavirusit?

Të gjitha masat që ka marrë qeveria janë korrekte. Megjithatë ne këtu në Vlorë deri tani jemi mirë me shëndet, nuk na ka prekur koronavirusi. Unë jam në shtëpi në karantinë, jo se kam gjë, pasi gëzoj shëndet të plotë, por respektoj urdhërta dhe këshillat e mjekëve. Ndjek televizor, dalë marrë ajër të pastër këtu pranë banesës time dhe ndonjëherë bëj edhe ndonjë punë shtëpie.

Kampionati është ndërprerë dhe nuk dihet se kur do të nisë. Ju keni qenë trajner i Flamurtarit në vitin 1997, çfarë kujtoni nga ajo kohë kur ekipi ishte në krye dhe më pas u vendos nga FSHF për të vazhduar në Tiranë sezonin me system grumbullimi?

Nëse bëjmë një krahasim, është ndryshe nga viti 1997 kjo situatë e tanishme, pasi atëherë në qytetin tonë shpërtheu revolta. Ndërsa tani  Vlorë jemi shumë larg epidemisë që është shfaqur. Faktikisht në periudhën e vitit 1997 mirë do të ishte që kampionati të ishte pezulluar. Por, ata (i referohet FSHF-së) donin ta mbyllnin si sezon. Mesa kujtoj nga marsi deri në maj nuk u luajt.

Ndiheni të vjedhur për mënyrën se si shkuan gjërat në atë periudhë dhe vendimi që mori FSHF për të bërë “play-off” në Tiranë?

Për periudhën që ishte, Tirana ishte qytet si më i rregullt nga rendi dhe qetësia. Por, edhe atje ne patëm probleme, pasi politika e atëhershme ishte që Vlora është qyteti i trazirave dhe na shikonin si shkaktari të problemeve. U paragjykuam në Tiranë. Ndërkohë luajtëm me djemtë të rinj të ekipeve U-17 dhe U-19 të asaj kohe, pasi lojtarët e mirë që kishim blerë, ishin larguar në atë kohë prej trazirave.

Tani që jemi në kushte emergjence, si mendoni se duhet të vazhdojë kampionati pas pushimit të detyruar. Pra, të luhen 10 javët e mbetura apo të bëhet një ndarje e ekipeve si në vitin 1997?

Për mendimin tim këtu ku nga ngelur duhet të vazhdojë. Karantina ka qenë edhe në kohën tonë si ushtar. Ne futbollistët në atë kohë bënim tre muaj karatnatinë, bënim betimin ushtarak, pastaj futeshim në stërvitje dhe ndeshje. Por, pas tre muajsh aktivizoheshe.

Për mendimin tim, ky është një problem që ka gjithë globi dhe kampionati duhet të fillojë aty ku u ndërpre, por duhet parë mundësia e situatës. Edhe nëse u shty 1 apo 2 muaj, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. E humb vlerën kur bëhet me grupe si në vitin 1997. Pastaj fillojnë pretendimet, jo humbas UEFA-n, jo interesin, njëra për titull e  tjetra për vendet e fundit. Atje ku ka mbetur të vazhdojë. Mua kjo karantinë më kujton kohën e ushtrisë.