Titulli kampion 2019-2020 i Kategorisë Superiore nuk do të caktohet pa u përfunduar të 36 javët e parashikuara në kampionatin tonë kombëtar. Ky është këndvështrimi i UEFA-s e cila u ka bërë të qartë anëtarëve të saj që duhet të përpiqen me çdo kusht që të mbyllin aktivitetet kombëtare.

Pas ndërprerjes së kampionatit e duke parë se si situata me koronavirusin mund të zgjatë, kanë filluar të qarkullojnë hipoteza nga më të ndryshmet rreth mbylljes së kampionatit në vendin tonë dhe caktimit të verdikteve të sezonit.

Sipas UEFA-s, as titulli kampion nuk duhet t’i shkojë Trianës, e as rënia nuk duhet të përcaktohet në bazë të renditjes aktuale, por duhen luajtur kurdo në një kohë të mëvonshme ndeshjet e mbetura për të mbyllur siç duhet këtë vit futbollistik.

Qëndrimi është i qartë nga vetë fjalët e Aleksander Çeferin, presidentit të UEFA-s, i cili e ka theksuar këtë qëndrim të institucionit të tij. “Kam parë dhe dëgjuar lajme të rremë se UEFA do të këshillojë kampionatet që të përfundojnë tani dhe të vendosin që fituesit të jenë ata që mbajnë vendin e parë aktualisht.

Mund të them se nuk është e vërtetë. Objektivi ynë është të përfundojmë kampionatet dhe nuk rekomanduam asgjë të tillë për ndonjë federatë apo kampionat”, ishin vetë fjalët e presidentit të UEFA-s.

Kështu, për të mësuar nëse Tirana do të shpallet kampion apo nëse Luftëtari e Flamurtari do të marrin rrugën për në Kategorinë e Parë siç pasqyron aktualisht tabela e Superiores, duhet pritur fundi i këtij sezoni futbollistik, kurdo qoftë ai në kohë, edhe nëse luhet më vonë në verë. /vipsport/