Vllaznia është finalistja e parë e finales së “Abissnet Superiore”, pasi ka mundur 2-1 Dinamon në Arenën Kombëtare në Tiranë. Secila nga skuadrat dominoi një pjesë loje, por përcaktues ishin dy golat e kapitenit kuqeblu, Balaj në pjesën e parë, ndërsa për blutë u përgjigj Itodo pas pushimit.

 Vllaznia është skuadra e parë që kualifikohet në finalen e titullit më 12 maj pas një fitoreje dramatike 2-1 kundër Dinamos, në Arenën Kombëtare në Tiranë, falë dy golave të kapitenit Bekim Balaj. Ndeshja e shtatë sezonale midis dy skuadrave nuk i zhgënjeu pritshmëritë, ashtu si takimet e mëparshme, me spektakël në fushë, ku secili prej kundërshtarëve dominoi nga një pjesë loje.

Vllaznia, e renditur në vendin e dytë pas 36 javëve të sezonit të rregullt, mund të kalonte edhe me barazimin, por kuqeblutë vendosën të mos luanin me fatin duke u mbyllur në mbrojtje dhe synuan ta zgjidhnin gjithçka vetë. Përveç një gjuajtjeje të Itodos në minutën e shtatë, e gjithë pjesa e parë foli për shkodranët, që sulmuan e rrezikuan, me Gurishtën në minutën e 21-të, e sidomos me Qaton një minutë më pas, gjuajtja e të cilit u grushtua bukur nga Teqja.

Në minutën e 28-të, pas një goditjeje nga këndi, Itodo prek topin me dorë dhe gjyqtari Hamitaj jep penallti për Vllazninë. E merr përsipër i pagabueshmi Balaj dhe shënon pa i lënë asnjë shans portierit të Dinamos, në minutën e 29-të. Gjashtë minuta më pas, një tjetër prekje me dorë në zonën e Dinamos dhe penalltia e dytë për kuqeblutë.

Sërish Balaj dhe sërish gol. 2-0 pas 36 minutash lojë dhe Vllaznia sheh finalen, me Dinamon të gjunjëzuar. Por pjesa e dytë është befasuese dhe merita është e gjitha e bluve, që nuk kanë asgjë për të humbur dhe hidhen përpara.

Rrezikon menjëherë Zabërgja, por Jukaj shpëton portën. Loja rihapet në minutën e 51-të, kur Itodo shënon brenda zonës me të majtën. Sulmet e bluve vazhdojnë dhe Itodo shfaqet disa herë kërcënues brenda zonës, por pasaktësisht në gjuajtje. Në minutën e 71-të ai ka rastin ideal për të barazuar.

Jukaj grushton pas gjuajtjes së Zabërgjës, Itodo ndërhyn dhe gjuan disa metra mbi tra. Vllaznia, që deri atëherë vetëm u mbrojt, i afrohet golit të sigurisë me një rast gjithashtu ideal, me Qaton, që gjuan shumë keq përballë Teqjes.

Në minutën e 93-të, Zabërgja, ndoshta më i miri në fushë, pretendon për penallti, por pa arritur ta fitojë. Në minutën e 96-të, vjen edhe një rast tjetër për Dodajn, që hyn në zonë, por në çastin e gjuajtjes ndërhyn mbrpjtja dhe i heq mundësinë e golit.

Nuk ka shumë rëndësi, pasi loja mbaron dhe Vllaznia ka shansin të fitojë titullin e parë pas 24 vjetëve, ndërsa Dinamo meriton gjithë përgëzimet për lojën e zhvilluar në pjesën e dytë.