Vllaznia u ndal sërish në javën e 34-të të Superligës. Shkodranët u mundën me rezultatin 3-1 nga Tirana në derbin e Shqipërisë, në një ndeshje që shikohej si shumë vendimtare për zonën e Europës. Por humbja e fundit duket se tashmë ka komplikuar çdo gjë në kampin kuqeblu. Jo vetëm rezultati, por edhe loja e shterpësia para portës po komplikojnë objektivat e 9 herë kampionëve të vendit.

Por nëqoftëse kjo ishte një javë jo për Vllazninë, nuk mund të themi të njëjtën gjë për futbollistët shkodranë. Rubin Hebaj me golin e tij në ndeshjen që Teuta fitoi me rezultatin 0-1 kundër Kastrioti i dhuroi 3 pikë me shumë vlera durrsakëve.

Ky ishte edhe goli i tij i 9-të që bga transferimi i tij në janar tek “djemtë e detit”. Më shumë se ai këtë kampionat tek Vllaznia ka shënuar vetëm Latifi me 11 gola. Belajdi Pusi ishte një tjetër shkodran që u bë protagonist këtë javë.

Ish-sulmuesi i Vllaznisë shënoi në humbjen 1-2 të Skënderbeut kundër Laçit. Tashmë me korçarët e rënë në Kategorinë e Parë, këto janë statistika që kanë vlera personale për sulmuesin që do kërkojë të jetë pjesë e futbollit në Superligë sezonin që vjen.

Pra pavarësisht se ndoshta Vllaznia nuk ka pasur performancat më të mira të mundshme së fundmi, futbollistët e formuar tek akademia kuqeblu bëhen protagonistë në kampionatin tonë. Kjo duke qenë edhe shpesh herë vendimtarë me performancat e tyre për skuadrat që përfaqësojnë.
Endri ÇINARI