Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia është një skuadër, ku duhen ndërhyrje që nga “themeli”. Skuadrës i ka munguar cilësia për të synuar trofetë, pavarësisht përpjekjeve nga trajneri Brdariç apo pesha e fanellës. Me pak fjalë, kuqeblutë treguan se nuk e kanë forcën për të rivalizuar me Egnatian për titullin. Ky edicion nisi si gjithnjë, me pretendimet për të fituar Kupën dhe titullin kampion.

Gjatë gjithë sezonit, drejtori Osmani dhe trajneri Brdariç nuk e kanë fshehur këtë objektiv, madje kanë treguar bindjen se skuadra mund t’ia dalë edhe në momentet kur dukej qartë se nuk mundej. Në fund, kuqeblutë dolën pa asnjë trofe dhe u duhet të mjaftohen vetëm me kualifikimin në Conference League. Me pak fjalë sezon i dështuar…

Sa i takon riparimeve për të ardhmen, në mënyrë që Vllaznia të jetë në gjendje të sigurojë kalime turesh në Europë, duhet që të nisë fillimisht me “spastrimet” e më pas të bëjë lëvizjet e duhura në drejtim të rritjes së cilësisë, mentalitetit dhe forcës së ekipit. Praktikisht, kuqebluve u duhen përforcime në çdo repart.

Në mbrojtje duhet të sjellin të paktën dy qendërmbrojtës pas largimit të Stojanoviç dhe Juriç, por edhe dy mbrojtës anësorë, për shkak se gjatë gjithë sezonit, Gurishta e Yago nuk kanë patur alternativa dhe kanë luajtur shumicën e ndeshjeve. Në mesfushë, kuqeblutë me siguri do të kërkojnë për të paktën dy futbollistë.

U duhet me patjetër një fantazist, ai lojtari që prish planet e kundërshtarëve. Edhe sulmi do ketë nevojë për ristrukturim, pasi pritet largimi i Mensah, që ka ardhur në janar, por nuk ka bindur. Me pak fjalë, Edi Martinit i duhet të ndërtojë një ekip pothuajse nga e para, por duke e pasur një bazë të ekipit në çdo repart…(www.shkodrasport.com)