E kemi nisur shumë thjeshtë, pa shumë bujë, pa asnjë lloj fitimi, me qëllim e vetëm për të informuar saktë, qartë, pa ndikime për gjithçka që ka lidhje me sportin në Shkodër. Si një mënyrë funksionale për të informuar shpejt e në kohë reale menduam të risjellim tek ju gazetën online www.shkodrasport.com. Nga dita në ditë faqja u bë gjithnjë e më interesante për faktin e thjeshtë se shkodranët sportin e kanë në zemër e asnjëherë s’mund të qëndrojnë pa të. Kështu në pak kohë klikimet në shkodrasport.com u rritën ndjeshëm, çka për ne ishte një mesazh i qartë për punën tonë pa lodhje dhe informimin e saktë duke sjellë tek ju gjithçka mbi të rejat e sportit në Shkodër. E kështu që nga fundi i muajit shtator kur faqja jonë u rikthye në jetë, në këtë ditë që flasim me një përllogaritje të thjeshtë numri i klikimeve ka kapur numrin 100 mijë. Pra për katër muaj janë arritur 100 mijë klikime. Në fakt një numër i tillë po ta marrim për 10 vitet e fundit, nuk arrin të plotësohet me numër tifozësh në stadiumin “Loro Boriçi”. Patjetër ka një shpjegim. Shkodranët e duan sportin sepse në të kundërt nuk do kishin kilkuar kaq shumë për të mësuar mbi sportet në Shkodër, por niveli i sporteve, kryesisht futbollit është i ulët dhe jo tërheqës për publikun, ndaj duhet një punë shumë më e madhe në këtë drejtim që numri i konsiderueshëm që klikojnë në faqen tonë të jetë edhe në shkallët e stadiumit. Natyrisht që për këtë arritjë të www.shkodrasport.com duam t’ju falenderojmë të gjithëve ju që keni zgjedhur këtë faqe për tu informuar dhe që na keni besuar në punën tonë. Patjetër që nuk do të ndalemi asnjëherë, përkundrazi do të vazhdojmë ta rrisim ritmin, të jemi gjithnjë në kërkim të profesionalizmit, drejtësisë, të informojmë saktë për të gjitha sportet e sportistët e Shkodrës kudo në botë që janë. Kjo na kënaq dhe na bën që çdo ditë të jemi pranë jush për të kontribuar në rritjen e cilësisë së sporteve në Shkodër, me të vetmen mënyrë për t’i thënë gjërat ashtu siç janë, si e vetmja rrugë për të gjetur zgjidhje. Ju premtojmë që do të bëjmë më të mirën në këtë aspekt, ndaj vazhdoni të na besoni në mënyrë që të rritemi shumë më shumë e me ndihmën tuaj të bëhemi faktor i rëndësishëm për sportet në Shkodër. Gjithnjë presim çdo kritikë tuajën, sugjerim apo gjithçka tjetër që mund të jetë e vlefshme në punën tonë. Ju ftojmë të mos ndaheni dhe përzemërsisht nga i gjithë stafi i www.shkodrasport.com keni një falenderim të madh. FALEMINDERIT

www.shkodrasport.com