Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, ka folur për televizionin “Report TV”, ku shpreh zhgënjimin e madh për “formulën” e Ligjit të Sponsorizimit.
Më tej, Demi vë “theksin” se projektligji i miratuar në komision nuk ka dhënë ndonjë shpresë të madhe te klubet shqiptare, ku burokracitë dhe tavani i vendosur për vlerën e përgjithshme krijojnë kufizime të ndjeshme në “furnizimin” e sportit në planin financiar. Po ashtu, Gaz Demi kishte edhe “dy fjalë” për ministrin Gonxhja.
“Është një ligj i gjysmuar. Po thonë se do jepen 30%, por nuk jep as 30, asgjë, sepse i ke vendosur tavan. Si biznesit, si dhe sa do merren.
Kush do të marrë më përpara, arti, kultura apo sporti? Do të katandiset ‘kokoshi një thelë’. Do të marrë Kombëtarja pak më shumë, ndërsa ne do të jemi prapë… Domethënë, do të tallen me ne.
Ta ndajnë. Le ta bëjnë 10% dhe 10% sportin, por të jetë e lirë dhe të kontrollohet. Dje pashë futbollin në Itali. Këtu te ne nuk do të lejohet të sponsorizojmë kompanitë e basteve, pavarësisht se për momentin nuk ka. Po si ore, e gjithë bota i lejon, ndërsa ne jo? A jemi ne më mirë se gjithë bota?
Në qoftë se do të bëhet 100 milionë, por qoftë edhe 50 milionë, unë e jap me garanci: në qoftë se do të jepen 50 milionë nga shteti, gjysma do të rikthehet prapë përmes taksave në shtet.
25 do të shkojnë në fund. Pse? Do të paguhen sigurime shoqërore më shumë. Do të formalizohen të gjithë, se sot s’jemi 100%, por kjo nesër do të ndodhë.
Ky ministër është djalë shumë i mirë, unë kam vite që e njoh, por s’ka lidhje me sportin. Ai mund të jetë i lidhur me artin dhe kulturën. Sipas dëshirës, ai atje do t’i dërgojë. Do të bëhet një mish-mash, sa ne do të fillojmë të zihemi me njëri-tjetrin.
Që të bëhet sa më mirë, kryeministri ta shohë me ekspertët e vet. Ministri ynë nuk di akoma se çfarë është duke u bërë për sportin. S’ka ardhur njëherë në kantierin e Partizanit. Ka ardhur kryeministri Rama dhe ka mbetur i mrekulluar. Le ta bëjmë siç duhet ligjin.”


