Nga Endri ÇINARI
Kampionati U-21 i futbollit në vendin tonë ka katër javë që ka ngritur siparin e sezonit 2024-25. Vllaznia që i bëri një nisje shumë pozitive edicionit, ka “ngecur” në dy ndeshjet e fundit. Ku edhe në duelin e së martës të luajtur në shtëpi përballë Apolonisë, shkodranët u mposhtën me rezultatin 1-2. Duke qëndruar kështu në kuotën e 6 pikëve dhe me fierakët që janë në krye të tabelës me 12 pikë të plota.
Golin për ekipin e drejtuar nga Edmond Doçi e shënoi Ersi Zaganjori. Me mesfushorin që konfirmohet si elementi kryesor i kësaj skuadre, të cilën po e udhëheq me gola nga java në javë. Pavarësisht se 19-vjeçari është pjesë e ekipit të parë kuqeblu. Por në mënyrë që të ketë minuta dhe ritëm është vendosur që momentalisht të japë kontributin me skuadrën U-21.
Dhe performanca e 19-vjeçarit nuk ka zhgënjyer aspak. Si përsa i përket shënimit të golave ashtu edhe lojës së zhvilluar. Ku Zaganjori jo vetëm është një lojtarët kryesorë të Vllaznisë, por edhe të kampionatit U-21. Ku momentalisht ai është golashënuesi më i mirë i edicionit pas 4 javëve të para të tijat.
Kjo pasi Zaganjori ka shënuar 5 gola në 4 ndeshjet e para të sezonit.Patjetër ky nivel i shfaqur gëzon edhe stafin e drejtuesit e Vllaznisë, që tek Zaganjori shohin një lojtar të së ardhmes. Ku pas emrave si Delaj dhe Dodaj, ai mund të jetë një tjetër futbollist i ardhur nga akademia që mund të ketë shansin e tij në Superiore në javët e ardhshme./www.shkodrasport.com/