Nga Besnik DIZDARI

Me këtë shkrim të 80-vjetorit të themelimit të Kupës së Shqipërisë në futboll po fillojmë një cikël të jubileve të mëdha të historisë së sportit shqiptar që përkojnë në këtë vit 2019. Sepse janë disa. Lus Zotin që me shpalosjen e tyre të merren ata që dinë dhe jo amatorët që nuk dinë.

E them këtë se historia e sportit shqiptar, sot e kësaj dite, është ndër më të nëpërkambunat, më të nënvleftësuarat, më të mënjanuarat. Dhe pikërisht prej shtetit e sidomos prej qeverisë shqiptare, Ministrisë përkatëse të Arsimit, së cilës i është dorëzuar edhe sporti për ta drejtuar.

Speciale4

Për fat, deri prej Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), i cili nuk bëzani as përpara disa muajve për 60-vjetorin e themelimit të tij. E plot të tjera… Zoti na ruajttë pra, edhe nga guximtarët që shkruajnë për gjëra që nuk i dinë e na ndihmo që shteti e qeveria shqiptare ta marrin sportin ndër duart e tyre, ndonëse te kjo që është aktualisht, unë për vete të paktën, pak besoj.

ZBULIMI I THEMELIMIT TË KUPËS SË PARË…

Jemi pra në 80-vjetorin e themelimit të Kupës së Shqipërisë, me të cilën ka ndodhur që një gazetar, i cili është autori i këtushëm, ta “zbulojë” e ta konfirmojë gati nja 25 vjet më parë, e sot ajo gjendet bukur e mirë në analet e FIFA-s apo të IFFHS e të botimeve më autoritare, të historianëve e statisticienëve po autoritarë të botës. Ashtu si dhe tre Kampionatet Kombëtare 1939, 1940, 1942 nën pushtimin e huaj.

Bie fjala, si puna e Kampionateve e Kupës së Francës po në pushtimin e huaj. Dhe jo vetëm të saj… Kështu ka ndodhur. Kupa e parë e Shqipërisë është themeluar dhe ka hyrë në histori vetëm nja 60 ditë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Në të vërtetë, kjo Kupë aty ka qenë, ka ekzistuar, është zhvilluar, ka shpallur fituesen e saj, ka hyrë në histori. Mirëpo, e kishin përjashtuar nga historia.

 

Dhe qysh atëherë, këtu e mbi 70 e sa vjet më parë, menjëherë mbas vitit fatthënë 1944, i cili duhej të fshinte krejt ato çka kishin ndodhur para tij, askush nuk e përmendte as Kupën e 1-rë të Shqipërisë. Deri sa një ditë, “kolegu Besnik Dizdari” siç është thënë një herë të vetme prej dikujt, “na e tregoi këtë Kupë”. Le ta ritregojmë edhe një herë atë, çka na e dikton ky 80-vjetor i themelimit të saj, një përvjetor që nuk e përkujton askush përveç këtu, kjo gazetë.

Do ta përkujtojmë me shumë risi këtë histori dhe atë që vjen mbas saj. Asokohe të viteve ’70, këtë tjetrën, themelimin e Kupës së 1-rë të Shqipërisë, nën Mbretërinë e Zogut, as që mund të guxoja ta kaloja nëpër mend, kur Shqipëria Komuniste nuk njihte as 7 Kampionatet Kombëtare të viteve ’30, Kampionatet themeluese pra. Dhe po përsëris edhe këtu: Federata Shqiptare e Futbollit ka pasur një fatkeqësi gati të përhershme.

Në zyrat e saj, sidomos mbas Anton Mazrrekut, kurrë nuk ka punuar një njeri i arkivit, i statistikës, i historisë së futbollit. Teknikë të njëpasnjëshëm kanë ardhur e kanë shkuar në krye të saj dhe, për çudi si në asnjë vend të botës së madhe të futbollit, në kancelaritë e saj, historia e futbollit ose nuk është dokumentuar fare, ose është dokumentuar keq.

Speciale3

Është me gjithë mënd paradoksale sesi ka qenë e mundur që jo pak drejtues të saj nuk kanë lënë një gjurmë të saktë arkivi, një sistemim historik, një dokumentacion serioz, të kulturuar, shkencor, një statistikë moderne të futbollit. Nuk dua të mohoj punën e askujt aty, por që për mbi gati 70 vjet të mungonte ky personalitet në Federatën Shqiptare të Futbollit, kjo më duket e pafalshme. Me keqardhje them se në sa e sa raste, deri sot, në krye të kësaj federate kanë qenë njerëz, të cilët nuk e kanë njohur historinë e futbollit shqiptar dhe nuk kanë pasur dëshirë ta njohin atë. Vazhdojmë tash me historinë e Kupës së 1-rë të Shqipërisë.

1939: KUPA E 1-RË E SHQIPËRISË 60 DITË PARA PUSHTIMIT

Gjithnjë është e vështirë të kuptosh sesi ndodhi që mbas Kampionatit Kombëtar më të suksesshëm të paraluftës, atij të vitit 1937, më 1938 në Shqipëri të mos zhvillohet Kampionati!? Cilat mund të kenë qenë arsyet? Organizative? Financiare? Kushedi! Vetëm një gjë dihet.

Po afrohej fundi i vitit dhe Kampionati tashmë thuajse ishte harruar. Ndonëse aktiviteti futbollistik me kampionate shkollash sidomos, kupa të ndryshme si ajo “Gardlund”, kupa të rinjsh, kampionate të shumtë lokalë, shpesh deri dhe në fshat, gjallëronin një jetë futbollistike që pa Kampionat Kombëtar dukej thuajse e fikur… Dhe më 11 dhjetor 1938, jo pak, por plot 18 skuadra dalin në fushën e lojës. Të ndara në grupe, fituesja e secilit grup do të konsiderohej fituese.

Dhe është interesante ndarja në grupe. Për këtë merrej në konsideratë renditja e Kampionatit Kombëtar të vitit 1937. Në grupin e parë për fitimin e Kupës janë 3 skuadrat e renditura të parat në atë Kampionat 1937: SK Tirana, Vllaznia dhe Besa. Në Grupin B: Skënderbeu, Bashkimi Elbasanas dhe Dragoj i Pogradecit. Në Grupin C: Durrësi, Bardhyli i Lezhës, Tomori i Beratit, Ismail Qemali i Vlorës. Saktësisht sipas renditjes së Kampionatit Kombëtar të vitit 1937.

SPeciale2

Mandej vijnë tri grupe të tjera, A, B, C me skuadrat e Divizionit të Dytë (kategorisë së dytë) ku gjithashtu fituesit do të nderoheshin me kupë simbolike. Dukej që përmasat kombëtare të Kupës ishin hapësinore: 18 skuadra nga të gjithë krahinat e Shqipërisë! Mos harroni: jemi më 1938 me vetëm 7 vjet futboll të organizuar! Dhe ndeshjet që do të ishin dramatike. Sidomos treshja e parë SK Tirana, Vllaznia, Besa. Ose më mirë me thënë, dueli i famshëm Tiranë-Shkodër. Ndonëse çudia e parë i takon Kavajës: Besa-SK Tirana 2-1. Dhe vjen mrekullia: TiranaVllaznia 5-3!

Dhe tenistik është edhe rezultati i ndeshjes TiranaBesa 4-2. Mandej Vllaznia fiton 2-1 në Kavajë dhe ja ku mbrrin i famshmi 22 janar 1939 dhe e gjithë Shkodra jeton me ndeshjen e madhe që do të përcaktonte fituesen e Kupës. Kur papritmas merret vesh se Shkodrës i mungojnë një tufë titullarësh: Laçej, Xurxa, Rusi, Alibali, Fakja, Gjeloshi, Dervishi… SK Tiranës vetëm Mark Gurashi.

Lushta si gjithmonë, qysh ditën e parë kur i ka dalë Vllaznisë përballë në fushë, ka qenë shkatërrimi i saj. Dhe çel atë që ne i themi seria e golave: 1-0 në të 24′, kur pa kaluar 2 minuta Sllave Llambi shkakton autogol. Ndeshja është kësisoj në ekuilibër të plotë, sepse, siç shkruan Mazreku, “‘Vllaznia’ na dha me kuptue se lojtarët shkodranë ndodhen në rrugën e përparimit”. Kësisoj, deri në të 75′, kur mbërrin goli përcaktues i Jakovës, çka vulos fitoren e SK Tiranës 2-1, si dhe marrjen e Kupës prej saj.

ANTON MAZRREKU FIKSON BUKURINË E KUPËS SË PARË TË SHQIPËRISË…

Dihet. Ai dhe vetëm ai. Penda e tij dhe gjithnjë penda e tij. Shkruan Mazrreku: “Janë rrahë pa pushim të dyja portat… Ndoshta ma teknikë janë tregue lojtarët e Tiranës, ndoshta i kanë mbajtë ma mirë pozicionet, ndoshta kanë zbritur ma rrezikshëm në portën kundërshtare, kryesisht për shkak të shutit të mirë të Lushtës, por nga ana tjetër lojtarët shkodranë kanë luejtë me nji vullnet të madh…

Ndeshjet midis ‘Sportklub Tiranës’ dhe ‘Vllaznisë’ së Shkodrës janë tue u bâ për ditë e ma vllaznore. Ndeshje si ajo e së dielës së kalueme të ka kande me i pa dhe na japin me kuptue se sportistët tonë kanë nisë me e marrë vesht mâ s’mirit qëllimin e vërtetë të sportit. Lojtarët e të dyja skuadrave kanë kuejtë tamam sikur me qenë vllazën… Janku ka qenë gladiatori i zakonshëm…

I afrohet mjaft Maluçi… E do të formojnë një bllok që do të tronditet me shumë vështirësi prej vijave sulmuese kundërshtare. Llambi ka përparue me hapa të matun në ket kohën e mbrame. Cilësive të tij athletike ka fillue me i shtue edhe cilësitë e një teknike mjaft të mirë… Karapici prapë zotnon nji teknikë e taktikë të shëndoshë. Plluska ka qenë ndoshta mâ i miri i të treve…

Balla merret vesht mirë me Lisin… nji lojtar elegant, që e zotnon mirë topin dhe shndërron pasa të bukura… Lushta asht gjithmonë lojtari teknik me pasim, me fintet dhe me gjuejtjet e sigurta… Hila ka qenë nji nga lojtarët ma të mirë në fushë… Smajli asht shque mbi të gjithë për energjinë e tij të pashoqe. Ka frymë edhe me shitë… Koxhja koncepcionin teknik e ka mjaft të mirë… Hoxha asht i fortë dhe me nji ushtrim të rregullt mund të vijë lehtësisht në formën e përparshme..

Gjinali ka kombinue mirë me Vasinë… e Vasija ka zhvillue nji lojë me të vërtetë të bukur… Halepiani asht një motor i vogël: nuk lodhet kurrë… Arbitri Enver Kulla asht e treta herë që po arbitron në ndeshjen e Kupës dhe të tria herët arbitrimi i tij ka pasë suksesin e dëshiruem. Asht nji arbitër krejt i paanshëm dhe me vendim të shpejtë e me sy të mprehtë…”.

KONFIRMIMI I KUPËS SË PARË: SK TIRANA 1938-39

SK Tirana, sunduesja absolute e futbollit shqiptar të viteve ’30, fiton kështu, Kupën e parë të Shqipërisë në futboll, duke mbyllur me këtë “finale” themeluese:

Është 22 janar 1939. Shkodër. Vllaznia-SK Tirana 1-2.

Për të ardhur te kjo “fundore”, duhej të ndodhnin këto ngjarje: Vllaznia të fitonte 2-0 me Besën në Shkodër, Besa të fitonte 2-1 me SK Tiranën në Kavajë, SK Tirana të fitonte 5-3 me Vllazninë në Shallvaren e Tiranës, si dhe 4-2 me Besën, Vllaznia të fitonte 2-1 në Kavajë me Besën dhe të humbiste 1-2 në Shkodër atë që ka hyrë në histori si “fundorja” e Edicionit të 1-rë të Kupës së Shqipërisë në futboll, 22 janar 1939.

Renditja e grupit mëtues të Kupës është kjo

GRUPI A

Skuadra           P F B H Gol.
1. SK Tirana       6 3 0 1 12-8
2. Vllaznia          4 2 0 2 8-8
3. Besa                2 1 0 3 5-9

Ja dhe renditjet e grupeve të rangut të dytë

GRUPI B

Skuadra                 P F B H Gol.
1.Skënderbeu           6 3 0 1 13-4
2. Bashkimi EL.      4 2 0 2 6-7
3. Dragoj                  2 1 0 3  3-12

GRUPI C

Skuadra             P F B H Gol.
1. Durrësi               11 5 1 0 22-3
2. Bardhyli            6 3 0 3 9-12
3. I.Qemali            6 2 2 2 8-11
4. Tomori              1 0 1 5 5-18

Dhe për efekt sportiviteti, Skënderbeut dhe Durrësit iu jepet Kupë në miniaturë e Shqipërisë. Ndërkohë, një tufë skuadrash të Divizionit të Dytë zhvillojnë në grupet e tyre edhe ato ndeshjet e Kupës. Fitojnë Kupën Drita e Gjirokastrës në A, Shkumbini i Peqinit në B dhe Devolli i Bilishtit në C.

Speciale1

Kjo pra ishte Kupa e parë e Shqipërisë, një Kupë mbarëkombëtare, madje duke marrë pjesë të gjitha skuadrat e Divizionit të Parë dhe të Dytë, pra e gjithë Shqipëria. Edhe në këtë anë po ta shohësh 1939-ën, kjo ka një logjikë. Organizatorët e kulturuar të asaj kohe u kanë dhuruar një kupë simbolike të gjithë fituesve të grupeve renduese. Pamja e plotë e Kupës së parë të Shqipërisë 1938-’39, e botuar sot këtu për herë të parë e plotësuar, është kjo:

NDESHJET:

Vllaznia – Besa 2-0
Besa – SK Tirana 2-1
Bardhyli – Tomori 3-2
SK Tirana – Vllaznia 5-3
Bardhyli – Ismail Qemali 2-0
Durrësi – Tomori 4-1
Durrësi -Bardhyli 2-0
Ismail Qemali – Durrësi 0-0
Bardhyli – Tomori 3-0
SK Tirana – Besa 4-2
Ismail Qemali – Bardhyli 3-0
Besa – Vllaznia 1-2
Tomori – Durrësi 0-4
Ismail Qemali – Bardhyli 3-0
Vllaznia – SK Tirana 1-2
Tomori – Ismail Qemali 2-2
Skënderbeu – Dragoj 4-0
Dragoj – Bashkimi Elbasanas
1-0 (Me vendim)
Shkumbini – Apolonia 2-0 / 0-0
Devolli – Bashkimi Dibran 4-0 / 4-0

NDESHJA “FINALE”: 

VLLAZNIA – SK TIRANA 1-2

Shkodër, 22 janar 1939.

VLLAZNIA: Jubani, Hila, Kazazi, Smajli, Koxhja, Barbullushi, Hoxha, S.Gjinali, Vasija, Halepiani, H.Osmani.

SK TIRANA: Hobdari, Maluçi, F.Janku, Llambi, Karapici, Plluska, Balla, Lisi, Lushta, Jakova, Kashariqi.

GOLAT: Lushta 24′, Llambi 26′ (vetgol), Jakova 75′.

GJYQTAR: Enver Kulla.

Renditja e përgjithshme e Kupës së 1-rë të Shqipërisë, sezoni 1938-’39, është kjo:
1. SK TIRANA / Tiranë
2. VLLAZNIA / Shkodër
3. BESA / Kavajë
4. SKËNDERBEU / Korçë
5. BASHKIMI ELBASANAS / Elbasan
6. DRAGOJ / Pogradec
7. DURRËSI / Durrës
8. BARDHYLI / Lezhë
9. ISMAL QEMALI / Vlorë
10. TOMORI / Berat
11. DRITA / Gjirokastër
12. LEKA I MADH / Përmet
13. NAMIK DELVINA / Delvinë
14. SHKUMBINI / Peqin
15. APOLONIA / Fier
16. KONGRESI I LUSHNJËS / Lushnjë
17. DEVOLLI / Bilisht
18. BASHKIMI DIBRAN / Dibër

Jo pak emra “antikë” të skuadrave, madje me shumë kuptim, disa sot padrejtësisht të zhdukur, vetvetiu të japin edhe një pamje atdhetare e të traditës. Mirëpo, ja që ishim afërsisht vetëm 60 ditë para pushtimit. Prapaskenat e Mussolini-t nëpërmjet Conte Ciano-s kishin shpërthyer prej ditësh, por Shqipëria kërkonte që me futboll ende të drejtonte një jetë normale. Por pushtimi nuk mund të ndalej, gjithsesi…

Në numrin e tij të 22 prillit 1939, faqja e parë e gazetës “Sporti Shqiptar” do të ishte diçka krejt tjetër. Tri foto të mëdha zinin në mënyrë të pamëshirshme aperturën e faqes së parë, me këto diçitura “kuptimplote” sipas drejtshkrimit të kohës: “Shkëlqesia e tij Benito Mussolini, Udhëheqësi i Fashizmit Italian e Shqiptar”. “Madhnia e tij, Viktor Emanueli i III, Mbreti i Italisë, i Shqipnis dhe Perandor i Etiopis”.

“Shkëlqesia e tij, Konti Ciano, Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë dhe miku fort i çmueshëm i Shqipnis”. Dhe poshtë këtyre tri fotove, po në ortografinë e palëvizshme të asokohe, spikat ky titull i madh: “Nji perjodë e ré për Rinín e Sportin Shqiptar”. Vetëm dy muaj më parë, Shqipëria e pavarur kishte themeluar Kupën e saj të parë të futbollit, pa menduar se me të kishte mbyllur edhe jetën e saj mbretërore të themelimeve të mëdha të sportit shqiptar.

Tash ishte diçka tjetër. Kupa u harrua thuajse rrufeshëm. Megjithatë, Italia fashiste nuk do t’ia shuante sportin Shqipërisë. Madje, pa vonuar do t’i ndërtonte një stadium, modern për gjithë Ballkanin, dhe do t’i organizonte tre kampionate kombëtarë – veprimtari që shpëtuan vazhdimësinë e traditës së futbollit në Shqipëri. Një Shqipëri që vetëm dy vjet të pasluftës, me lojtarët e këtyre Kampionateve, do të fitonte Kampionatin Ballkanik! Do të vazhdojmë me “zbulimet” e reja të historisë së Kupës së Shqipërisë…
SHËNIM: Ky artikull është botuar në Panorama Sport.