Rrapo Taho e shikon më të rrëzikshme situatën aktuale nga koronavirusi se sa vitin 1997. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi legjendar i Flamurtarit thotë se 23 vite më parë ishte koha e plumbit, ndërsa kjo e virusit është më e keqe.

Ish-lojtari vlonjat, që ka drejtuar në atë kohë edhe Flamurtarit, bashkë me Latif Gjondedën, ndihet i vjedhur për mënyrën se si shkuan gjërat dhe që kampionatin e mori Tirana. Sipas Tahos, FSHF ishte e predispozuar që të mbështeste ekipin bardheblu.

Kampionati është ndërprerë dhe nuk dihet se kur do të nisë. Për herë të fundit që ka pasur një precedent të tillë ka qenë në vitit 1997, kur ju ishit pjesë e stafit të Flamurtarit. Çfarë kujtoni?

Unë kam qenë trajner pranë Flamurtarit në atë kohë bashkë me Latif Gondedën. Por, situata është më e vështirë tani se sa atëherë. Atëherë ishte koha e plumbit, por tani është kohë e virusit, këtij armiku të padukshëm. Sot situata është më kritike, pasi koronavirusi mund të vijë në shumë drejtime.

Siç e dini, janë infektuar edhe shumë lojtarë të Serisë A, apo edhe të tjerë. Sa i përket vitit 1997, ishte shumë i vështirë, pasi nuk kishte virus, por presione nga trimat e asaj kohe, që u duhej fitorja dhe do ta merrnin me pahir nga Flamurtari, duke filluar me presione të arbritrave dhe lojtarëve që luanin. Edhe ne trajnerët kemi patur presione. Ruheshim nga frika se mos dëmtoheshim nga njerëz të padëshiruar me armë.

Ndiheni të vjedhur për mënyrën se si shkuan gjërat në atë periudhë?

Ndihemi shumë të vedhur. Kemi patur një ekip për së mbari. Atëherë financoheshim nga firma “Kamberi” dhe Shkëlqim Selami. Federata e asaj kohe ishte më e përshtatshme për të mbështetur ekipet e Tiranës, se sa të rretheve.