Vllaznia është e përqendruar maksimalisht në kampionatin malazez për të realizuar disa blerje shumë të rëndësishme. Pas Deliçit, një fantazist që vlerësohet shumë dhe është afruar me nota positive, radhën e ka mbrojtësi Nikolla Vukçeviç. Ky i fundit nuk është një lojtar i panjohur për drejtuesit aktual të skuadrës shkodrane. Duke u bazuar tek personat që janë duke realizuar merkaton, Vukçeviç njihet shumë mirë nga drejtori teknik, Armir Grima, po ashtu dhe nga administratori Kujtim Shaba. Karriera – Vukçeviç ka luajtur për skuadrën shkodrane në sezonin 2006-2007 dhe ka qenë një ndër qendërmbrojtësit më të mirë të skuadrës. Ai është një futbollist që ka luajtur me Buduçnostin që nga sezoni 2003 deri në 2011 duke llogaritur brenda kësaj periudhe shkëputjen kur erdhi tek Vllaznia. Vitin e kaluar u transferua tek skuadra greke Ethnikos Aknas. Vllaznia është vënë menjëherë në lëvizje sapo ka mësuar se Vukçeviç është i lirë nga skuadra greke. Këtë e ka mundësuar dhe menaxheri shkodran i lojtarit, Agron Isufi, i cili do të jetë pikërisht ai që kërkon të sjellë sërish lojtarin në Shkodër, ashtu siç bëri në vitin 2006. Nga burime të sigurta mësohet se drejtuesit aktual të kuqebluve kanë patur kontakte të drejtpërdrejta me lojtarin. Madje, edhe vetë lojtari malazez ka shprehur dëshirën e tij për t’u rikthyer sërish në Shkodër. Deri tani bisedimet janë në rrugë të mbarë. Por shkodranët do të jenë pak ditë në pritje pasi Vukçeviç ka një kontakt me një skuadër të huaj. Ai i ka dhënë një premtim kuqebluve që në qoftë se s’do të firmosë me atë ekip do të vijë sërish në Shkodër.Pretendimet – Ai mund të vijë në Shkodër për një vlerë prej 50 mijë eurosh apo 45 mijë. Natyrisht një vlerë aspak e ulët për kuqeblutë por jo domosdoshmërisht është kusht, e cituar kjo nga drejtori teknik Grima. Me Vukçeviç apo dhe Osmanin, kuqeblutë mund të blindonin qendrën e mbrojtjes, duke hyrë me plot gojë si pretendentë kryesorë dhe një repart të pathyeshëm. Vukçeviç luan si stoper por dhe mbrojtës i djathtë. Bisedimet mes dy palëve janë lënë për ditët në vijim dhe natyrisht duhet parë se deri ku do të arrijë bashkëpunimi.

Anton ZALLI