Aventura e katër futbollistëvë malazezë që luajtën sezonin e kaluar me Vllazninë, duket se nuk do mbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme. Ivan Jabllan, Nenad Brnoviç, Gavrilo Petroviç dhe Braçan Popoviç, nuk kanë qenë shumë dakord me mënyrën si ka vepruar klubi shkodran për t’I gjobitur me një rrogë mujore për shkak të mungesës së arritjes së objektivit. Pikërisht për këtë, katër futbollistët malazezë janë duke bërë gati padinë për në UEFA kundrejt klubi Vllaznia. Lajmi bëhet I ditur nga vetë lojtarët përmes përfaqësuesve të tyre. Në fakt, I pari që e ka ngritur zërin ka qenë sulmuesi Ivan Jabllan. I ardhur në merkaton e janarit, ai firmosi një kontratë 6 mujore me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër. Vlera financiare e kësaj kontrate ishte 15 mijë euro. Deri këtu çdo gjë në rregull sepse palët kishin rënë dakord për kushtet e kontratës. Sipas kësaj kontrate, sulmuesi malazez do paguhej 3 herë nga 5 mijë euro. Dy këstet e para ai I ka marrë në kohën e duhur ashtu siç ishte e shkruar në kontratë. Të tretin jo. Pikërisht ky këst, ose 5 mijë eurot që ai nuk I ka marrë, janë duke e detyruar Jabllanin t’I drejtohet UEFA-s. Këtë e konfirmojnë përfaqësues të këtij lojtari. Ai nuk është aspak dakord me faktin që klubi I ka gjobitur me një rrogë apo një këst për mungesë rezultatesh sepse në fund të fundit, kjo nuk është e përfshirë në kontratën e nënshkruar mes palëve. Të njëjtin shqetësim kanë edhe tre futbollistët e tjerë, Brnoviç, Petroviç dhe Popoviç. Edhe ata nuk janë aspak dakord me ndalesën që klubi Vllaznia u ka bërë në rrogat e fundit. Këtë e ka konfirmuar edhe njëri nga menaxherët e këtyre futbollistëve, pikërisht Aleksandar Primavera I cili ka qenë dy ditë më parë në Shkodër. “Lojtari që unë kam përfaqësuar, Petroviç, nuk është aspak dakord me ndalesën e rrogës që I ka bërë klubi Vllaznia dhe për këtë arsye, ai sëbashku me tre malazezët e tjerë, është duke bërë gati padinë në UEFA. Besoj se nuk ishte zgjedhja e duhur ajo e klubit për t’I larguar këta futbollistë në atë mënyrë. Për shumë jo të mëdha, gjërat nuk duhet të shkojnë në institucionin e futbollit europian sepse në fund të fundit, ai do t’u japë të drejtë futbollistëve siç ndodh gjithmonë. Prandaj mendoj se do ishte më mirë, që palët t’I zgjidhnin kontratat me mirëkuptim”-ka thënë ai për “Shkodra Sport”. Por nga ana tjetër, në klubin Vllaznia nuk duken shumë të shqetësuar në lidhje me këtë fakt. Ata bëjnë të ditur se nuk janë gjobitur vetëm katër futbollistët malazezë që kanë këtë pretendim por e gjithë skuadra dhe kjo është e parashikuar në rregulloren e brendshme të klubit kur për mungesë impenjimi dhe arritjesh të rezultateve, parashikohen edhe ndëshkime financiare. Klubi dhe Bashkia Shkodër mendojnë se kanë të drejtë në pretendimet e tyre, po ashtu edhe futbollistët nga ana e vet. Me shumë siguri, këtë çështje do ta zgjidhë vetëm UEFA.
Gjergj KOLA