Një nga yjet që po shkëlqejnë më shumë deri tani në Kupën e Botës për Klube është pa dyshim Kenan Yildiz, i cili në prag të përballjes kundër Manchester City, që mund t’i japë Juventusit vendin e parë në grup, ka folur për rritjen e tij në “Gazzetta dello Sport”, duke theksuar se nuk ndjen presion: “Të jem simboli i Juventusit më jep siguri të madhe dhe besim në vetvete. E di çfarë duhet të bëj, punoj çdo ditë për ta ndihmuar skuadrën. Të besosh te vetja është e rëndësishme, të ndihmon ta përballosh çdo sfidë në maksimum”.

Hera e parë që zbarkoi në Amerikë me Juventusin ishte ende nën drejtimin e Massimiliano Allegrit.

Asokohe ishte një djalosh nga të rinjtë. Sot është yll i Kupës së Botës për Klube dhe në një vit jeta e tij është transformuar: “Unë kam ndryshuar shumë, nga adoleshent po bëhem burrë, duke u rritur pak nga pak. Jam mirënjohës për gjithçka dhe shpresoj të përmirësohem çdo ditë. Në çfarë? Ndoshta në mentalitet.

Kur je i ri dhe luan me shokë skuadre më të mëdhenj dhe me përvojë, duhet gjithmonë të ngresh nivelin. Duhet të futesh menjëherë në një dimension të ri, të përmirësosh çdo gjë, sepse futbolli përbëhet nga shumë faktorë. Duhet të ndryshosh qëndrim, të rritesh edhe fizikisht dhe të kujdesesh për trupin tënd. Kam pasur edhe momente të vështira, sepse në futboll nuk shkon gjithmonë gjithçka vaj. Në përgjithësi jam i kënaqur me si ka shkuar sezoni im dhe si po vazhdon tani në Amerikë”.

Për krahasimin me Del Piero: “Nuk më pëlqejnë krahasimet, dua vetëm të vazhdoj të jap maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje, për veten dhe të mirën e skuadrës. E kam studiuar shumë Del Pieron, e di çfarë ka bërë, por jemi dy persona të ndryshëm. Secili ka rrugën e vet”.

Del Piero është një simbol i përjetshëm i Juves, a mund ta ndjekë Kenan të njëjtën rrugë? Turku përgjigjet: “E përsëris, secili nga ne ka historinë dhe rrugën e vet. Të qëndroja gjithë jetën te Juventusi do ishte ëndërr për mua, por në futboll nuk i dihet kurrë. Më mirë të shijoj të tashmen, pa menduar shumë për të ardhmen. Rinovimi? Për të qenë i sinqertë, tani nuk e kam mendjen aty. Jam i lumtur me situatën aktuale dhe më intereson vetëm të punoj për të mirën e skuadrës. Nuk flas për para, dua të jap maksimumin në fushë”.