Planet e Bayern për merkaton e verës janë thuajse publike tashmë. Mediat gjermane kanë zbuluar strategjinë që po ndjek klubi bavarez për përmirësimin e skuadrës.
Energjia më e madhe do të shkojë për Florian Wirtz. Ylli i Bayer Leverkusen kushton minimalisht 100 mln euro dhe Bayern është gati të paguajë me çdo kusht. Ofensiva bavareze në sezonin e ardhshëm do të jetë e frikshme: Wirtz, Musiala, Olise dhe Kane. Në stol, Coman, Sane dhe ndoshta Gnabry (nëse nuk largohet).
Bayern nuk po kërkon sulmues qendre si zëvendësues të Harry Kane. Drejtori sportiv, Max Eberl, po përqendrohet në role të tjera.
Pritet të transferohet Jonathan Tah, edhe ky nga Bayer Leverkusen. Qendërmbrojtësi gjerman do të lëvizë me parametra zero. Eric Dier nuk ka më vend në Mynih, ndërkohë që po diskutohet shitja e Kim, i cili ka dështuar në Mynih.
Asnjë lëvizje e re nuk pritet për portën, edhe pse Manuel Neuer nuk shihet më si titullar absolut. Bayern ka disa emra në kontingjent ose në huazim, kështu që nuk shqetësohet. Surpriza në “Allianz Arena” mund të jetë transferimi i një mbrojtësi të djathtë.(telesport)