Nga Besnik Dizdari

Themelimet dhe simbolet e mëdha

Shaban Sejdiu, Shaban Tërstena, Azis Salihu, Pirro Dhima, Luan Shabani, Leonidha Goga, Agim Xhelili, Viktor Mitru, Luan Krasniqi, Mirela Manjani – të gjithë këta shqiptarë kanë fituar medalje olimpike të arta, të argjendta ose të bronzta.

Me gjithë modestinë e zhvillimit të tij në këto 100 vjet, sporti shqiptar prapëseprapë ka ecur, është zhvilluar, madje ka arritur edhe disa lartësi ndërkombëtare.

Nëse tash u kthehesh më në hollësi fotove të përzgjedhura në këto 100 vjet, vërejmë se fotoja e parë na kujton se skuadra e parë sportive shqiptare që njihet për një takim sportiv zyrtar është ajo e vitit 1913. E ka emrin kuptimplotë “Indipendenca” (“Pavarësia”), e themeluar në Shkodër, vetëm nja 9 muaj mbas Pavarësisë së Shqipërisë, pra më 1913. Nën përkujdesjen austro-hungareze ajo del në fushën e lojës dhe zhvillon një ndeshje me një formacion të trupave austro-hungareze që ishin në Shkodër. Ky është takimi i parë sportiv zyrtar në Shqipëri. Prej këtu mund të themi se merr udhë historia e qindvjetëshit të fundit të sportit shqiptar.

Kështu, mbas një fillimi disi të qetë, të pabujshëm, sporti shqiptar duhej të priste vitet e ’20-ta për të nisur një rritje tashmë të pandalshme. Dhe, më 1925 Shoqëria “Vllaznia” organizon Rrethin e 1-rë Çiklistik të Shqipërisë, që është ngjarja më e madhe e parë në rang kombëtar e sportit të Shqipërisë së pavarur. Kështu dalim te fotoja e dytë që pasqyron një çast nga Rrethi i 1-rë Çiklistik i Shqipërisë së vitit 1925 në nisjen e etapës nga qyteti i Elbasanit, veprimtari që përbën vetvetiu kampionatin e parë sportiv në Shqipëri.

Pastaj kalojmë te fotoja e atletëve, e cila është përtej historisë, madje është e bujshme, sepse këta janë sportistët e parë në historinë e Shqipërisë, të cilët veshin fanellën e parë të një Kombëtareje sportive shqiptare, me ngjyrat kuqezi të flamurit kombëtar që ka mbetur sot e kësaj dite. Kësisoj këta atletë, fotografuar në Kampionatin Ballkanik të Atletikës së Lehtë në Zagreb më 1934, janë themeluesit e kombëtares së parë sportive në Shqipëri.

Fotoja tjetër paraqet kampionin e parë kombëtar të futbollit, që është Sportklub “Tirana” – kampione e vitit të 1930-të të sportit më popullor, që do të bëhej sporti më i përhapur edhe në Shqipëri: futbolli. Vetvetiu ajo është një foto e lidhur me foton tjetër – këtë të futbollistit Riza Lushta, i cili në kapërcyell të viteve ’30-’40-të, pasi shpallet katër herë kampion i Shqipërisë me Sportklub “Tiranën”, bëhet sportisti i parë – prodhim i shqiptar – i cili shfaqet në arenën ndërkombëtare, qysh më 1940, kur është një prej më të mirëve në kampionatin e kampionit të botës asokohe në fuqi, Serie A të Italisë.

Fotoja tjetër paraqet Kombëtaren e Shqipërisë në futboll, atë të vitit 1946, e cila në mënyrën më sensacionale shpallet Kampione e Ballkanit. Prej këtu na duhet të shkojmë te një foto e shumë viteve më vonë, 1972, kur duke marrë pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike, peshëngritësi Ymer Pampuri thyen rekordin olimpik dhe shpallet Kampion i Botës (turneu olimpik i Lojërave të Mynihut ishte njëkohësisht edhe Kampionat Botëror). Do të vijmë pastaj te viti 1979, kur qitësja shqiptare e pistoletës Elizabeta Karabolli bëhet kampionia e parë e Europës për Shqipërinë.

Dhe duhej të kalonin plot pesë vjet, më 1984, që një shqiptar i Maqedonisë të bëhej kampioni i parë olimpik me kombësi shqiptare, ndonëse nën flamurin e Jugosllavisë. Është Shaban Tërstena (mundje e lirë) – Shabani i fotos sonë. Dhe, fati i dytë sa shqiptar, aq dhe jashtëshqiptar, i dyti pas tij do të jetë Pirro Dhima, i cili tetë vjet më vonë (1992) në Lojërat Olimpike të Barcelonës bëhet kampioni i parë olimpik i lindur dhe i formuar prej shkollës sportive të Shqipërisë, ndonëse përfaqëson Greqinë. Vetëm pak muaj më parë kishte qenë ndër më të mirët e Europës nën fanellën shqiptare, një çast kur Federata Europiane e Peshëngritjes i jep dhe titullin “Mjeshtër i Europës” nën Shqipërinë pra!

Mandej vjen fotoja e atletes Mirela Manjani, e cila ka fituar gjithçka, gjithashtu nën fanellën e Greqisë, por është e gjitha lindje, formim i sportit të Shqipërisë, madje Kampione e Ballkanit dhe Nënkampione e Europës (për të reja) nën fanellën shqiptare.

Ndërkaq, fotoja e fundit është ajo e Kampionit të Botës në mundje klasike, Elis Guri, gjithashtu nën fanellën e një kombi tjetër, Bullgarisë, kur vetëm një vit më parë kishte qenë medalist i bronztë i Europës nën fanellën e Shqipërisë! Kështu, përmes këtyre fotove vetvetiu u përshkova në simbolet e zhvillimit dhe ecurisë sportive të kombit shqiptar në këto 100 vjet.

Themelimet e mëdha

Nuk ka asnjë dyshim se për të mbërritur te këta simbole të sportit të saj modern, Shqipëria sportive ka ardhur përmes themelimeve të saj të mëdha sportive të realizuara brenda këtyre100 vjetëve. Dhe, në këtë shekull katër janë themelimet e mëdha sportive të Shqipërisë, prej ku merr rrugë ecuria e derisotme e sportit shqiptar.

I pari është sporti i çiklizmit. Kemi provuar me kohë tashmë se ky Rreth i Parë Çiklistik i Shqipërisë është i pari për amatorët në Europë. Ka qenë 1925. Shkodër, Durrës, Fier, Tepelenë, Gjirokastër, Leskovik, Korçë, Pogradec, Elbasan, Tiranë – një itinerar më se heroik për kohën kur mendon urat e mungesën e tyre, rrugët e paasfaltuara, gjendja e përgjithshme tejet e rëndë e një Shqipërie që guxonte të rilindte edhe përmes sportit. Fituesi dihet: Jonuz Gjylbegu.

Themelimi i dytë është Kampionati i 1-rë Kombëtar i Atletikës së Lehtë, një ngjarje e jashtëzakonshme që ka ndodhur më 2 shtator 1929. Jemi në prag të themelimit zyrtar të atij organizimi edhe sportiv që do të quhej Enti Kombëtar “Djelmnia Shqiptare”. Ideja e tij është kjo: “Me marrë kulturë fizike, morale e atdhetare si dhe përgatitje paraushtarake”. Është viti kur për herë të parë në Shqipëri vendoset ai që quhet Inspektori i Kulturës Fizike, i cili emërohet në të gjitha prefekturat. Më 20 gusht 1929 Enti Kombëtar nis shpalljen e organizimit të kampionateve kombëtare. Drejtori i Entit, zotni De Marchis, i cili do të luajë role të dorës së parë në organizimin e kampionateve tona kombëtare të viteve ’30, njofton ndërkaq, se: “Kemi nderin t’ju njoftojmë se simbas urdhënit të N.M. së Tij Mbretit të Shqipëtarëve Zog I, me dekret, më 2, 3, 4, 5, 6 shtator të këtij viti kanë me u zhvillue këtu në Tiranë, nën ditët e naltshenjueme, të parat Gara të Kampjonateve t’Atletikës së lehtë, t’organizueme nga kjo degë, gara në fjalë kanë me u zhvillue në fushën e Shallvares”. Dhe, një pllakat i posaçëm që i kushtohet Kampionatit. Ky duhet të jetë pllakati i parë sportiv në historinë e Shqipërisë. Kështu shkohet te 2 shtatori 1929, tek ngjarja e madhe e këtij viti sportiv fatthënë që personifikohej me fillimin e një Kampionati të Parë Kombëtar të Atletikës nën patronazhin e naltë të Princeshës Myzejen. Njeriu që merret personalisht është pikërisht ministri i Arsimit, Hil Mosi. Kampionati i parë Kombëtar i Atletikës së Lehtë do të ishte një kampionat i vërtetë atletik, i cili bazën e tij e kishte pikërisht në shkollë. Ai do të shpallte për herë të parë kampionët e Shqipërisë në 100, 200, 400, 800, 1500, 5000 dhe 8000 metra; kampionët në 110 metra me pengesa; kampionët në kërcim së larti, së gjati, trehapësh, shkop; kampionët në gjyle, disk, shtizë, në çekiçin e kohës (topi me dorezë); kampionët në stafetat 4×100 dhe 4×400 dhe kampionët në pesëgarësh e dhjetëgarësh.

Kur mbërrin vitit 1931, Mbretëria Shqiptare organizon Kampionatin e Parë Kombëtar të Notit. Atë e organizoi në ujërat e portit të Durrësit, sepse mundësi të tjera asokohe nuk kishte.

Sporti dhe mediat

76 vjet më parë themeluesi i gazetarisë sonë sportive, Anton Mazreku, ka shkruar editorialin e tij historik botuar më 3 tetor 1936. Mazreku është i pari dhe i vetmi gazetar shqiptar si i dërguar special në një Olimpiadë. Dhe, nuk dua ta komentoj mendimin e lartë të Mazrekut. Dua të citoj vetëm këto radhë të editorialit të tij: “…Kur flamujt e të pesë kontinenteve tundeshin në erë të gëzuar e faqebardhë afër njëri-tjetrit, atmosfera e evenimentit të pashoq m’i lagu mollëzat e faqeve me dy pika lot. Dy pika e jo më tepër, po të mjafta për të tërhequr vërejtjen e një biondeje të ndodhur rastësisht pranë meje. Gjermania e tëra bionde: bionde në leshrat, bionde në sytë, bionde në mveshje, bionde dhe në zë po të duash, nuk ndenji dot pa më pyetur: “ëarum ëeinen Sie? Pse qani?” Nuk mori përgjigjen e vërtetë. Po e merr sot: “Nuk jemi duke u përgatitur si duhet në fushën sportive”.

Ishin çastet e ceremonisë së Olimpiadës së Berlinit 1936. Anton Mazreku e ka titulluar editorialin e tij “Mësimi i mosvalëvitjes së flamurit tonë në Olympiadën e Berlinit”. E vërteta është se Shqipëria ende nuk ka fituar asnjë medalje olimpike. Nuk fitoi as në këtë vit 2012 në Olimpiadën e Londrës, kur emocionet bënë punën e tyre edhe me mëtueset Majlinda Këlmendi dhe Romela Begaj. Ndonëse toka shqiptare ka një puls sportiv.

Lashtësia dhe e sotmja

Në Olimpiadën e 66-të të vitin 516 para erës së re qytetari Kleosten nga Epidamni ka fituar të artën në garën me kuadriga (karrocë me 4 kuaj). Ai është kampion edhe në pesëgarësh së bashku me Milonin e Krotonës, Timasitheon e Delfit e Tskyrosin e Himarës. Në Olimpiadën e 70-të, në vitin 500 para erës së re, Meneptolemi i Apolonisë është kampion historik në garat e fëmijëve, ndërsa në Olimpiadën e 77-të, të vitit 472 p.e.s. Aigiasi i Epidamnit është kampion olimpik në garën e vrapimit me armatim.

Është spektakolare fitorja e titullit olimpik në olimpiadën e 109-të në vitin 344 nga iliri Arybasi, sepse atëherë arrihet në një garë që të bën nder të madh sportiv: pesëgarëshin. Mbi 200 vjet më vonë, më 123 para erës së sonë, në olimpiadën e 161-të një tjetër ilir, Antipatri i bën historisë sonë një nderë edhe më të madh kur fiton në vrapim.

Duke hyrë në olimpiadat e sotme moderne, të këtij 100-vjeçari, rendis këto medalistë të Olimpiadave të kombësisë shqiptare: Shaban Sejdiu, Shaban Tërstena, Azis Salihu, Pirro Dhima, Luan Shabani, Leonidha Goga, Agim Xhelili, Viktor Mitru, Luan Krasniqi, Mirela Manjani – të gjithë këta shqiptarë kanë fituar medalje olimpike të arta, të argjendta ose të bronzta. Me përjashtim të Krasniqit, të gjithë i përkasin tokës sportive shqiptare dhe janë rritur e formuar si sportistë të klasës më të lartë olimpike prej trajnerëve shqiptarë! Kombi shqiptar i ka kështu medalistët e tij olimpikë, ndonëse juridikisht ata u takojnë shteteve të tjera. Ndonëse revista më e madhe sportive e botës “Sport Illustraed” e SHBA-ve na ka lënë këtë përcaktim për më të madhin, 3 herë kampionin olimpik Pirro Dhima, duke e quajtur “Luani i Himarës”. Sot ai konsiderohet një nga legjendat sportive të sportit olimpik mbarëbotëror. Është prodhim dhe formim i sportit shqiptar!

A është ky një lloj bilanci i 100 vjetëve të zhvillimit sportiv shqiptar? Them se po. Ose, më qartë, këto kulme përmes të cilëve ne u përshkuam këtu, janë kulmet e një lloj piramide sportive shqiptare “sui generis”, që ende nuk e ka thënë plotësisht fjalën e saj…