Tifozlleku është ndjenjë si dashuria, dashuria e tifozlleku të dehin si rakia. Skuadra e zemrës është si gruaja dashnore e vërtetë, sportistët idhuj janë si fëmijët që i ke sjellë vetë në jetë, dhe sa më shumë kalojnë vitet aq më tepër rritet nostalgjia për të shkuarën që i përket historisë, prandaj historia është libri më interesant i jetës, prandaj vetë jeta është histori.
Në historinë e futbollit shkodran e shqiptar një emër që të ngjallë respekt e nostalgji është emri i Prekë Gjeloshit si një individualitet shumë i spikatur si një talent i veçantë në kolorin e asaj breznie inkandeshente të viteve 40-50 ku Shkodra pati më shumë yje se asnjë herë tjetër në gjirin e në këtë mozaik shum ngjyrësh fenomeni Gjeloshi mbetet gjithnjë origjinal e i pa imitueshëm.

Prekë Gjeloshi ishte një sportist i kompletuar me të dhëna fizike, teknike shumë të mira për kohën, kishte një trup mesatar të tjerrur hijshëm me një fibracjon muskulor shumë të fuqishëm, rezistent që rekuperohej shpejt nga dëmtimet dhe që i garantonte qëndrueshmëri e freski konstante dhe jetëgjatësi aktive në sport duke i kaluar kufijtë e 20 viteve karriere sportive tek Vllaznia e Shkodrës. Në sajë të talentit dhe stërvitjes së përkushtuar, Preka arriti të zotëronte një teknikë të lartë të përdorimit të topit qa sa mund t’ia kishte zili çdo sulmues, pavarësisht se ky ishte mbrojtës që luajti në çdo pozicion të mbrojtjes, por teknika e lartë e përpunimit të topit e bënte të ndihej shumë komod në fushë, duke i dhënë tiparet e një mbrojtësi sulmues, i cili në sajë të hapit të shpejtë i sprintit të fuqishëm ishte gjithmonë befasues, nuhatës e dinak që dinte të shënonte, po aq mirë sa një sulmues tipik. Luante shumë mirë rolin e stoperit pavarësisht se nuk isht trupgjatë, nuk ndihej asnjëherë inferior përpara çdo sulmuesi vigan, pasi Preka kishte kërcyeshmëri të lartë në luftën në ajër. Gjithmonë i vëmendshëm në mbylljen e korridoreve, i rreptë në markimin individual të kundërshtarit, i saktë në ndërhyrjet në çdo moment dublues i shkathët dhe i pagabueshëm me sparkatat e tija deçizive alla Gjeloshi, i vendosur në luftën për top, fitimtar në duelet këmbë për këmbë, i pakalueshëm dhe i qëndrueshëm si tankjer në hyrje të zonës Preka ishte kyçi dhe llozi i mbrojtjes, këmbë çeliktë dhe gurrç ilidhur nyje me të cilin kishin frikë të mateshin gjithë sulmuesit më të mirë të kohës duke filluar nga Riza Lushta, Naim Kryeziu, A. Parapani, H. Bakalli,L. Boriçi, V. Biçaku, K. Kraja etj., të cilët nuk gjetën vrimë ku të futeshin në mbrojtjen e skuadrës shkodrane ku Preka ishte gjithnjë violinë e parë. Preka sulmuesit i çarmatoste gjithë teknikë dhe nisej nga zona e vet turr e vrap duke i rënë fushës cep më cep kur ishte nevoja niste njëherë topin e gjatë me pas të përpikët vertikalisht, apo si me katapultë dërgonte topa pas shpinës së kundërshtarit direkt e në zonën e rreptësisë. Pas inkursioneve të gjata nga krahët e stadiumit gumëzhinte si kosherja e bletës vinte ose një harkim i rrezikshëm ose një pas i dhënë që përfundonte në gol, ose një goditje drithëruese që i shkaktonte kundërshtarit nokaut. Prekë Gjeloshi ishte frymëzues e virtuoz në fushën e lojës, fisnik, ashtu siç ishte në jetë, nuk ishte aspak në natyrën e tij loja e rëndë që aplikonin shpesh herë mbrojtësit. Ai mbrojtës që terrorizonte sulmuesit me faulla nuk është i denjë të luajë futboll, thoshte Prekë Gjeloshi, i cili nuk e dinte ç’ishte kartoni. Sa herë Preka i drejtohej zonës së 16-metërshit apo godiste goditje dënimi, britmat në stadium shpërthenin Preka, Preka, pasi me siguri pas goditjeve fatale sportdashësi priste të thërriste gol, gol. Në gjuajtjet standarte ishte mjaft i saktë madje kishte përqindje të lartë golash të realizuar nga këto goditje për të cilat ishte i specializuar më së miri dhe kishte një përvojë të gjatë. Ishte vazhdimisht lider në fushë, nuhaste mirë e me shpejtësi synimet e skuadrës kundërshtarenë sulm, duke marrë kundra masat e duhura, kishte një qetësi të admirueshme olimpike për përballimin e momenteve të vështira psikologjike, kurajoz, që u jepte kurajo edhe shokëve, këshillues i mirë e qortues i rreptë me qëllim që pësimi të bëhej mësim, punëtor e fjalpak me një lojë korrekte, triumfues mbi të gjithë kundërshtarët, dhe që nuk mbahet mend që të jetë ngatërruar as me shokët as me kundërshtarët, as me arbitrat. Prekës i dëgjohej fjala me respekt, fjala e tij, pas fjalës së trajnerit, zinte peshën kryesore në ekip. Në vitet e fundit të karrierës kur kishte lënë edhe mustaqet aimori një pamje edhe më serioze e më burrërore, aq sa edhe shokët i thërrisnin babushi, duke i shtuar edhe një epitet epiteteve që kishte, si këmbë çelikti, gurrçi, topuzi, teli me gjemba, kapedani, besniku, etj.

Preka ishte e mbeti idhulli i tifozerisë së zjarrtë shkodrane për faktin se asnjëherë nuk u largua nga Vllaznia, as në ditët më të mira, as në ditët më të vështira që pasuan pas vitit 1946, ku shumica e shkodranëve u rekrutuan nga Dinamo e Partizani. Në konstelacionin e yjeve shkodranë Preka rrezatoi dukshëm si njeriu që sakrifikoi e u dashurua vetëm me Vllazninë, të cilën e konsideronte pjesë të zemrës së tij. Preka refuzoi me këmbëngulje çdo ofertë të ekipeve të kryeqytetit, ishte anti-partizanas e anti-dinamovit i deklaruar, bile me ironi shumë shokëve të viteve 45-46 u thoshte “tradhëtarë”, të cilët edhe pse kryen shërbimin ushtarak, të joshur nga kryeqyteti nuk u kthyen më kurrë tek Vllaznia. Pal Mirashi, në kujtimet e veta thoshte, me Prekën ishim miq të vjetër, kur vija në Shkodër takoheshim e çmalleshim bashkë, por ama në fushën e lojës, kur luaja në sulm me Dinamon më konsideronte kundërshtar të betuar, armik të Vllaznisë, prandaj si mua si Boriçin e Partizanit, Preka nuk na ka lënë me ba hajër kurrë, kur jemi ndeshur me Vllazninë e tij as në Shkodër as në Tiranë, duke njohur shumë mirë stilin tonë të lojës dhe me një ego tepër sportive më duhet ta pranoj se na ka bërë zap shum mirë. Ndërsa Loro Boriçi është shprehur se unë i kam ndier shumë pasojat e mbulimit të këmbë-çeliktit Prekë Gjeloshi. Në vitet 50 u organizua një kupë në Tiranë, mes ekipeve të kryeqytetit dhe Vllaznisë, ishte një koinçidencë interesante që qëlloi katër kapitenët e skuadrave ishin shkodranë, Loro Boriç i Partizanit, Xhevdet Shaqiri i Dinamos, Isuf Pelingu i Tiranës dhe Prekë Gjeloshi kapiteni autokton i Vllaznisë, asaj fabrike futbolli që nxirrte kampionë dhe kapitena kampionësh. Djali i Prekës, Gjovalini riprodhon me saktësi bisedën e të atit me shkodranët e natyralizuar në Tiranë.

Tek pinin kafe te Dajti, u tha, Shkodra e ndien mungesën tuaj, titujt që po u jepni ekipeve të kryeqytetit ato po i mbajnë për vete, dhe me thumb shtoi, ma mirë shegertë me ekipin tuaj shkodran se kapedana në Tiranë. Prekë Gjeloshi ishte shpirti i ekipit, truri dhe mendja e mbrojtjes, ishte emblema e Vllaznisë, 13 vjet rradhazi kapiten legjendar i saj, rast unikal në historinë e ndritur të këtij ekipi. Shoku dhe trajneri i tij Rifat Rusi pohon: Për skuadrën dhe mbrojtjen shkodrane Preka ishte pika më e fortë, stërvitej maksimalisht, mbante regjim të rregullt sportiv, vullneti për të luajtur mirë dhe dëshira për fitore kanë qenë pjesë e karakterit të tij sportiv. Ndëra Muc Koxhaj, duke plotësuar portretin e tij, sqaron: Preka ishte kapiteni historik i Vllaznisë, trajnerët e kanë vlerësuar jo vetëm për klasin e tij të spikatur, por edhe për cilësitë e larta fizike, për lojën e fortë e burrërore, por edhe për aftësitë e veçanta taktike. Për prekën nuk kishte ndeshje të pa rëndësishme, ai luante me përgjegjësi maksimale si në Shkodër, Tiranë, Durrës, Kavajë, Korçë, Vlorë, Elbasan, etj. Preka, ndonëse i varfër ekonomikisht ishte vërtet bujar e zemërbardhë, njeri që nuk ankohej kurrë, antikonformist i vërtetë, me një thjeshtësi që ia rriste vlerat dhe e bënte sportistin më popullor të qytetit tonë. Në çdo prag ndeshje që zhvillonim në Shkodër, kujton Muc Koxhaj, të shtunave në darkë mblidheshim te njëri-tjetri dhe ia shtronim shumë shoqërisht dhe shumë thjeshtë njëkohësisht me ato që kishim, bukë e krypë e qejf. Shkonim tek Muhamet Dibra, tek Meta Vasija, tek Loroja,Bimoja, Adem Smajli etj., por tek Preka shkonim më shpesh se të gjithë të tjerët për të bujtur. Nëna e Prekës, një grua malësore, e kishte në gjak bujarinë me pak gjëra na bënte qejfin dhe ndiheshim lirshëm sikur të ishin në shtëpinë tonë e ajo të ishte nëna e jonë, e të gjithëve. Na thoshte gjithë dashuri, bujrum djema, hani he ju pastë nana, dhe duke bërë shaka shtonte, sonte do t’u jap edhe nga një saragë më tepër vetëm fitoni nesër. Preka ftonte në shtëpinë e tij edhe sportistët e ekipeve mike që vinin në Shkodër, aso kohe ishte dhe traditë e bukur shkëmbimi i vizitave të ndërsjellta shprehje shoqërie serioze sportive. Vetëm një herë Preka e ndjeu veten tepër të fyer kur pas një humbje poshtëruese të Partizanit me Punën e Shkodrës më 4 korrik 1952, dikush nga stafi i Partizanit, për t’u justifikuar, aludoi hipokrizisht se shkodranët gjoja u paskan hedhë diçka në pije, se nuk  kishte mundësi të humbiste ashtu 4:1 Partizani. Preka tha, miku nuk pritet në bukë, por ai që të ha bukën e të përmbysë kupën nuk është mik, kam frikë e partizanëve u ka ba keq grosha e ushtrisë prandaj u ka thimë barku.

Rinia e hershme dhe karriera sportive e Gjeloshit

Për koinçidencë Prekë Gjeloshi është bashkëmoshatar me Vllazninë. Vllaznia u krijua në vitin 1919, kurse Prekë Gjeloshi lindi më 27 tetor të po këtij viti, lindi në lagjen Kllogjen të Dushmanit në Dukagjin.

Në moshë fare të mitur mbetet jetim se i vdes i ati, dhe që nga ajo kohë kur Preka nuk i kishte mbushur akoma 4 vjeç, së bashku me ungjin e tij dhe të jëmën, vendosen në lagjen e vjetër Badra të Shkodrës. Si jetim që ishte me ndihmën e misionarëve të kishës regjistrohet në kolegjin e jezuitëve françeskanë, ku dhe mori mësimet e para, për të cilat ishte shumë inteligjent dhe i pasjonuar, ndërsa nga ana tjetër që herët në fëmijëri, si shumë bashkëmoshatarë, filloi të luante me topin e leckës e të llastikut rrugicave të lagjes së tij dhe pa vonuar topi do të bëhej pasioni numër një i jetës së tij në të ardhmen. Futbollin do ta fillonte me vëllezërit Mark e Loro Boriçi, Kin Bushatin, Latif Alibalin, Muhamet Ademin, Reshit Rusin etj. Ndeshjet pasonin njëra-tjetrën në rrugicat e qytetit dhe fushën e lagjes Gjuhadol, Rus të Vogël, Lamijej, Dudas, në Fushën e vjetër të zallit të Kirit, duke luajtur Prekë Gjeloshi do të shpaloste mes shokëve cilësitë më të mira teknike e fizike, prandaj edhe zë vend në shoqëritë sportive të qytetit, si me “Juventusin” dhe “Djelmninë shkodrane”, ose si thirrej fillimisht “Malet tona”. Gjeloshi duket tek Vllaznia që në vitin 1936 por vetëm në vitin 1937 mundi të zërë vend stabël në formacionin e të rriturve të Vllaznisë e cila këtë sezon futbollistik shpallet nënkampione e vendit pas Tiranës, me një golavarazh mjaft pozitiv 55 me 15, ndërsa Prekë Gjeloshi do të militonte vazhdimisht në radhët e kësaj viganeje të futbollit tonë në harkun kohor 1937-1957, kur do të varte me nostalgji këpucët në gozhdë. Gjatë viteve të okupacionit aktivizohet me shoqëritë sportive të qytetit, sidomos në radhët e Tigrit, ku së bashku me shoqëritë e tjera nuk e lanë të shuhet jeta sportive futbollistike në Shkodër. Në vitet e LNÇl, Preka nuk qëndroi indiferent, as duar kryq, ai mori pjesë aktive në LNÇl, ashtu si dhe shoku i tij i luftës dhe i sportit Dodë Tahiri.

Akoma pa hequr rrobat e luftës prej shtatit, Prekë Gjeloshi rikthehet në fushën e futbollit në kampionatin që rinis në vitin 1945. Tashmë Prekë Gjeloshi ishte jo vetëm lojtar i pjekur e titullar i ekipit, por edhe kapiten i Vllaznisë të cilën e udhëhoqi në luftën e vështirë drejt titullit në dy sezone të njëpasnjëshme në vitet 1945.1946, ku Vllaznia kurorëzohet pas 15 vitesh që e kërkonte këtë titull. Besnik Dizdari, tek libri “Historia e kampionateve kombëtare” thekson se 11-shja shkodrane e 1945 kishte jo pak emra të spikatur të viteve 30: Prekë Gjeloshi, Muc Koxhaj, Adem Smajli, Bimo Fakja, Ernest Halepjani, Loro Boriçi, Met Vasija, Latif Alibali, plot tetë nuk ishin pak, shto këtu edhe Dodë Tahirin që vinte nga kampionati i Malit të Zi. Vllaznia me 10 fitore, 1 humbje, edhe atë me aforfajt, vetëm me dy gola të pësuar nga SK 17 Nëntori, ishte bilanci i rezultateve të kësaj Vllaznie e cila kishte marrë atë që mendonte se i përkiste prej kohësh. Gazeta “Sporti” në gazmoren e vitit të ri 1946, kupërshëndeste kampionët e rinj të Shqipërisë, shkruante:

Prekë Gjeloshi populluer / lojtar i muejit kallnuer.

Do të vinte kampionati 46-të dhe përsëri Vllaznia do të shpallej kampione. Skuadra e kapedan Prekës ishte shumë e kompletuar, kompakte si kurrë ndonjëherë tjetër, me një mbrojtje të çeliktë, me një portjer shumë në formë të mirë, me një sulm të papërmbajtshëm, aq sa Vllaznia kishte tërësisht profil sulmues, duke shënuar 12 fitore radhazi me mesatare 3 gola për ndeshje, pa pësuar asnjë humbje dhe asnjë barazim dhe duke pësuar vetëm 3 gola, njërin prej të cilëve me penallti. Gjeloshi, si ndeshjen më mbresëlënëse kujton takimin me 17 Nëntorin në Tiranë, ku Vllaznia fitoi 5:1. për shkodranët 45 minutat e para qenë gjithë tension, ku pësuan një gol të pa evitueshëm dhe mbrojtja e portjeri Tahiri u gjendën për 44 minuta në shtetrrethim të plotë. Goli i barazimit i Adem Smajlit na dha frymë, ndërsa pjesa e dytë qe një rremoerë golash, plot 4 të tjerë për ne, kujtonte Gjeloshi, i cili duke bërë shaka me portjerin Tahiri, i thoshte bjeri fyellit se nuk të trazon më njeri për këtë ditë. Shtypi i kohës për Vllazninë e 46-ës shprehej: Tahiri, Gjeloshi, Dibra, Fakja, Osmani, Koxhaj ishin një gjashtëshe të cilën ashtu monolite nuk e kishin pa kampionatet e Shqipnisë.

Prekë Gjeloshi është një nga themeluesit e nacionales shqiptare, pjestar i atij njëmbëdhjetëshi historik që luajti më 22 shtator 1946 të parën ndeshje zyrtare ndërkombëtareme përfaqësuesen e Malit të Zi, ndeshje që filloi me një start shumë të mbarë 5:0. Në Ballkaniadën e vitit 1946, Prekë Gjeloshi ishte në 22-en selektive të trajnerit jugosllav të Shqipërisë Broçiç, por Gjeloshi ballkaniadën e ndoqi nga stoli, ndonëse sot e kësaj dite mbetet disi enigmatike lënia jashtë formacionit e Prekë Gjeloshit, Jankut, Bizhutës e Xhelal Jukës. Trajneri këtë qëndrim e mbajti në çastet e fundit, para fillimit të ndeshjes së parë, duke skualifikuar Gjeloshin, që nuk ishte aspak më poshtë se të tjerët që luajtën, por duke qenë lojtar me temperament të qetë, i ndërgjegjësuar përpara unit të trajnerit, ndoshta Gjeloshi e Juka u sakrifikuan për të ruajtur frymën kompaktive në ekip, gjithsesi këto janë ligjet e futbollit dhe Gjeloshi nuk ishte as i pari, as i fundit që sakrifikohet nga trajnerët në futboll. Preka do të përballej në sfidat e rëndësishme ndërkombëtare me Vllazninë duke mbajtur plot dinjitet shiritin e kapitenit, si me Buduçnostin 2:2, me Tivarin 7:0, me Kotorrin 3:0, me Prishtinën 6:0, Hajdukun e Splitit 2:1 e 0:3, Spartak i Moskës 0:3, me SK Llovcën 3:1, me Titogradin 1:1, me Prizrenin 3:2, me Divizionin 46 Jugosllav 4:0 e 2:0.

Kapiteni që nuk kishte as një biçikletë

I rritur jetim, i detyruar të braktisë shkollën vetëm për të fituar bukën e gojës, i pasionuar i tëri pas futbollit, Gjeloshi e kishte shumë të vështirë të përballonte nga njëra anë kërkesat rigoroze të një sportisti në formim e sipër, të sfidonte konkurencën mes një mori talentesh të spikatur të futbollit të kohës, dhe nga ana tjetër të ushqente gruan e fëmijët, t’i rriste e mirë edukonte ata. Është e paimagjinueshme për sot të thuhet se kapiteni i skuadrës kampione e lojtar i përfaqësueses, nuk kishte një biçikletë dhe rrugën për në stadium e bënte në këmbë nga fabrika e çimentos në rrëzë të Taraboshit e deri tek stadiumi. A ishte fyese, për të mos thënë diskriminuese, që një mjeshtër, një kampion me të cilin mburrej i gjithë qyteti, të punote në rolin e hamallit në fabrikën e çimentos dhe ashtu gjithë pluhur në mushkëri, punonte si motor diezel në fushën e lojës për të kënaq publikun e qytetit të tij çdo të diel ku stadiumi mbushej plot e përplot. A mund ta besojnë të rinjtë e sotëm për atë kohë kur sporti quhej pronë e masave, ndërsa përgjegjësi i turnit i jepte leje kapitenit të ekipit vetëm një orë përpara se të fillonte ndeshja. Ose pengohej qëllimisht kur kishte ndeshje me skuadrat e Tiranës, pasi i vini shumë makina në radhë nga Tirana të cialt duheshin ngarkuar detyrimisht. Preka në shumë ndeshje ka mbërritur në stadium vetëm në sajë të zemërgjerësisë së karrocierëve, të cilët donin ta kishin detyrimisht në kohë në krye të ekipit të tyre të zemrës. Burokratët e administratës së kuqe e përbuznin kapitenin Gjeloshi, e përçmonin si malësor, nuk ka si të shpjegohet ndryshe, këtë e tregonte edhe puna e rëndomtë që bënte, dhe ai nuk përulej as nuk e jepte veten, nuk dinte ç’është servilizmi, spiunllëku, hilet as ryshfeti. Nga ana tjetër me dyfytyrësi kuadrot e partisë u bënin moral të tjerëve, shikojeni Prekë Gjeloshin, shiheni si punon ai po ju mos jeni burra më të mirë. Prekë Gjeloshi ashtu i heshtur digjej përbrenda shpirtit të tij fisnik, vuante e përvëlohej por familja duhej mbajtur e duhej kujdesur pasi e konsideronte gjënë më të shtrenjtë.

Fisnik, i dashur, i qeshur, i thjeshtë, zemër bardhë mbeti gjatë gjithë jetës. Kur isha gjimnazist e njoha Prekën personalisht pasi ai punonte si ambulator përpara Gjimnazit “29 Nëntori”. Aty gjatë orëve të lira mësova shumë gjëra për futbollin e Vllaznisë së viteve 40-50, duke i ndier nga vetë goja e një protagonisti, që në atë kohë përmendej shumë pak nga gazetarët sportivë. Prandaj ndoshta sikur të mos kisha patur fatin të njihesha personalisht me Prekë Gjeloshin, sot do të isha i papërgatitur të shkruaja qoftë edhe për Prekën, Mucin, Dodën, Muhametin, Palin, etj., yje të asaj periudhe. Prandaj shkrimi im dua të jetë një homazh modest për mjeshtrin e futbollit shkodran e shqiptar, për qytetarin e nderit të Shkodrës, Prekë Gjeloshi e shokët e tij të paharruar, që i dhanë emër futbollit shqiptar pas Luftës së Dytë.

Prelë Milani