Ngjarja është e lidhur me tetorin e largët të vitit 1973, kur fenomeni virus, në ato vite e njohur si malarja, një epidemi e frikshme ishte përhapur në Afrikën e Veriut, Europë dhe në gushtin e 1973-shit godet Italinë e Mesme e të Jugut. Në një situatë të tillë shteti shqiptar organizon kontrolle në kufirin tokësor, atë ajror për pasagjerë e udhëtarë që vijnë në Shqipëri, ndonëse fluksi nuk ishte i madh.

Të gjithë janë të detyruar të dezinfektohen, të vaksinohen deri edhe të izolohen e të futen në karantinë gjatë qëndrimit në vendin tonë. Pikërisht në këtë kohë, të caktuar nga FIFA, vijnë në Shqipëri tre arbitra italianë futbolli për të drejtuar ndeshjen Shqipëri-Finlandë, për eliminatoret e Botërorit, e caktuar të luhet në “Qemal Stafa” me 10 tetor 1973. Ishin arbitri kryesor, Aurelio Angoneze, ndër të shquarit e Serisë A në ato vite, që së bashku e Menekucin e Serafinon, edhe ata të elites, do të ndodheshin papritur në rrethana befasuese.

Në kujtimet e tij, bashkë me ato të ndeshjes, veçohej karantina disa ditore në një vend larg Tiranës. Më pas, gjithçka e harruar, por jo nga Angoneze, pasi ajo ngjarje kishte lënë gjurmë në kujtesën e tij. Historia do të rikthehej për t’u rrëfyer nga vetë protagonisti shumë vite më vonë, kur në vjeshtën e 1995, katër arbitra shqiptarë, B. Pregja, S. Jareci, A. Dervishi dhe P. Pjetrushi ndodhen në Slloveni për të drejtuar takimin e kthimit Maribor-Skonto Riga në Kupën UEFA dhe vëzhgues i ndeshjes ishte pikërisht Aurelio Angonese.

Maribor, 22.08.1995, nga e majta, A. Dervishi, P. Pjetrushi, A. Angonese, B. Pregja, S. Jareci

Për “Panorama Sport”, Astrit Dervishi tregon: “Sa u takuam, ai na tha, me humor: shqiptarë ju? Kam një kujtim special kur kam qenë në Shqipëri. Sapo zbritëm, na dërguan në një qytet tjetër, na izoluan në një hotel me një emër italian”. Dhe për gazetën Dervishi ofron një foto me Angonezen fiksuar para takimit të tij me arbitrat shqiptarë.

Astrit, çfarë kujtonte Angoneze?

Për të dhe arbitrat e tjerë ishte hera e parë që vinin në Shqipëri. Kishin patur vështirësi në udhëtim, nuk kishte linja direkte. Ai ishte nga Venecia, ndërsa dy të tjerët nga Firence e Rexhio Kalabria. Pastaj qëndrimi i gjatë, shoqëruar me karantinimin e papritur. Komunikonim mirë italisht, Preka (Pjetrushi) sidomos.

Cili ishte motiv i udhëtimit?

Bëhëj fjalë, kur ai kishte qenë në Tiranë, në tetorin e largët të vitit 1973 për të drejtuar ndeshjen Shqipëri-Finlandë (1-0). Duke qenë se nuk kishte linja të shpeshta, avionët ishin një herë në javë, për këtë arsye duhet të qëndronin disa ditë në Shqipëri.

Dhe direkt në karantinë, apo jo?

Angoneze më tha: “Sapo zbritëm në aeroport me një automjet, pa takuar njeri, na dërguan në një vend larg Tiranës. Na sistemuan në një hotel dhe na mbajtën të izoluar për disa ditë. Një situatë e papritur, askush nuk na kishte informuar se çfarë na priste. Në të kundërtën do ishte mirë të mos niseshim”, kujtonte ai.

Pse, për çfarë arsyeje?

Në Itali në vjeshtën e atij viti kishte rënë malarja, sëmundje ngjitëse e rrezikshme. Sipas tij, siç i kishin shpjeguar më vonë, kjo ishte arsyeja që i izoluan në një hotel larg Tiranës. Fillimisht u shqetësuam, të vetmuar dhe me familjarët në Itali me ditë nuk mund të komunikonim.

Ruante ndonjë detaj?

Kujdesi kishte qenë i veçantë, sidomos ai shëndetsor dhe një mjek ishte i pranishëm gjithmonë. Nuk takonin njeri, ushqimin ia sillnin secilit në dhomë. Siç i kishin treguar, vendi ku ishin akomoduar kishte një emër italian. “Isola” (ishulli) quhej hoteli i ndërtuar nga një italian në kohën e luftës.

Sa qëndruan aty?

Shumë ditë, siç e kujtonte ai. Gati katër ditë pasi zbritën në Rinas dhe dy ditë pas ndeshjes i kishin dërguar sërish aty. Sipas tij, shoqërues kishte qenë një shkodran me mbiemrin Vigani, djalin e të cilit Angonese e kishte ndihmuar në eskodin e viteve 90-të.

Po për ndeshjen biseduat?

Sigurisht, duke na treguar se ndeshja u zhvillua në Tiranë, në mesditë, në një stadium që sipas informacionit nga shoqëruesi Myftar Vigani, përkthyesi i njohur i italishtes në Radio Tiran, ishte projektuar nga italianët para luftës. “Shqipëria fitoi 1-0 me një penallti që unë dhashë në pjesën e pare”, kujtonte Angoneze.
Uvil Zajmi