Sporti po kalon ditë të vështira, ku infrastruktura e mangët dhe e dëmtuar, si dhe mungesa e buxhetit të mjaftueshëm për veprimtaritë sportive, po shoqërohen dhe nga një menaxhim i dobët nga instancat, por edhe një ligji jofunksional deri tani që nuk i ka dhënë sportit mundësinë të shohë dritë në fund të tunelit.

Vuajnë si sportet kolektive, ashtu dhe ato individuale, ndërsa federatat nuk kanë buxhet të mjaftueshëm të organizojnë shumë veprimtari dhe t’i japin frymëmarrje disiplinave sportive përkatëse. Edhe boksi ka problematikën e tij, sikurse të gjitha sportet e forcës në Shqipëri.

“Tam-tam”-et e politikanëve të çdo ngjyre nuk pinë më ujë dhe ky vend ka nevojë më shumë se kurrë të punohet për një ligj sporti funksional, i cili t’u japë një mundësi sportistëve. Kështu mendon dhe Zef Gjoni, ikonë e sportit të boksit në Shqipëri, trajner i Vllaznisë dhe Kombëtares, me kontribut në edukimin sportiv e veçmas të boksierëve të rinj.

Gjoni thotë se ligji nuk i mbyll problemet dhe është skeptik nëse ai do të japë zgjidhje. Duke marrë shembull Kosovën, Gjoni nënvizon se është koha për një reflektim kombëtar në sport, në të kundërt vetëm sa i biem “fyellit” në një vrimë.

Pak ditë më parë sporti në Shqipëri u trondit nga një episod që ka domethënie të madhe për vendin dhe imazhin që kemi krijuar si shoqëri. Iu mbyll dera e stërvitjes ekipit përfaqësues të basketbollit, një superskandal. Të gjitha çështjet kanalizohen në një pikë: ligji i sportit, të cilin Shqipëria ende nuk e ka, paçka se po punohet që në shtator të kalojë në parlament. A jeni njohur ju si komunitet sportiv me ligjin? A u është marrë ndonjë mendim dhe çfarë mund të thoni rreth kësaj teme?

E vërteta është se ne as e kemi idenë se çfarë lëvizje është kjo. Prandaj me të drejtë i ngremë pyetjet: çfarë ligji është ky? Çfarë përmban kjo paketë, kujt i shërben? I shtrojmë këto pyetje sepse mungon zëri i specialistëve, apo i kuadrove të sportit, të cilët duhet të ishin njerëzit e duhur për të krijuar një platformë ligjore që i jep drejtimin e duhur sportit në Shqipëri.

Unë kam dyshimet e mia, sigurisht, sepse nuk mund të jenë parlamentarët që e dinë problemin. Cili prej këtyre parlamentarëve ka lidhje me sportin? Sa e njohin ata problematikën që ka sot sporti shqiptar dhe a janë njohur me shqetësimet e komunitetit të sportit? Ju flisni për një platformë, që përmblidhet në “Ligj Sporti”, por a nuk është domosdoshmëri që ajo më parë të diskutohet nga grupet e interesit dhe ky grup është vetë komuniteti sportiv.

Me kë e kanë biseduar, ku janë bazuar dhe çfarë do të zgjidhin nëpërmjet këtij ligji? Këto nuk janë pyetje që ngrihen si dyshime, por janë pyetje të ngritura nga një trajner me përvojë në sport dhe përgjigjen mund ta japin vetëm specialistët. Prandaj, unë dyshoj se e gjitha kjo do të jetë e pavlerë.

Përse jeni kaq skeptik?

Ju do të kuptoni dhe vetë pas pak javësh se e gjitha kjo ishte një lëvizje kot, sepse vetë njerëzit e sportit nuk e dinë çfarë është, ndërsa njerëzit që janë duke e përgatitur nuk kanë kurrfarë lidhje me sportin e as kuptojnë çfarë vlere ka sporti në tërësi. Këtu ndodhin gjëra nga më të pabesueshmet, prandaj dhe ligji do të jetë nul.

Ku janë presidentët e federatave, trajnerët, sportistët? Ku janë kuadrot e sportit që duhet të thonë fjalën e tyre rreth kësaj lëvizjeje? Ajo që ne kemi parë janë disa njerëz që flasin në televizion e asgjë më shumë. Duhet kapur problemi me themel, të flitet me sportistët e trajnerët e tyre, të njihen me kushtet, problematikën, nevojat etj, që ligji që do të dalë të jetë me vlerë, të jetë funksional, të japë shpresë. Kurse ky ligj, dyshoj, bëhet sa për të kaluar radhën.

Cila është situata e klubit të Vllaznisë, që përbën dhe bazën e ekipit kombëtar? Cili është kontigjenti juaj?

Dihet që Vllaznia është elitë e boksit në Shqipëri. Ne kemi katër grupmosha, duke nisur nga fëmijët, kadetët, të rinjtë e deri tek të rriturit. Vijnë, ikin, kthehen sërish…., pasi nuk kanë garanci për vazhdimësinë. Kemi një numër të madh sportistësh të Vllaznisë në palestra dhe kjo na jep kurajë.

Sportistët sprovohen në ring, pra në gara…

Përveç takimit që përmenda më lart, kemi dhe Kampionatin Ballkanik që zhvillohet më 26 tetor në Turqi. Është një shans për ne, gjithashtu, që të tregojmë sa vlejmë, por edhe të ballafaqohemi me boksierët e rajonit, pasi dihet që rajoni ynë ka boksierë elitë në Europë. Është dhe Kampionati Botëror i Boksit, në fund të këtij viti, por s’ka kualifikime, prandaj duhet të presim aktivitetet e pjesës së parë të vitit të ardhshëm për të shpresuar dhe mundësuar kualifikimin e boksit tonë në Olimpiadë.

Kjo historia e shpërblimeve të sportistëve po rezulton një “vrimë në ujë”, pasi edhe VKM-të nuk po respektohen si duhet në afate. Sa ndikon kjo në moralin e sportistëve?

Shpërblimet për rezultatet e arritura janë të domosdoshme, se i përkasin stimujve. Ne kemi pasur raste të nxjerrim nënkampionë në Lojërat Mesdhetare e nuk ka marrë asnjë shpërblim, sepse ligji i jep vetëm fituesit. Pra i dyti në rang Mesdheu nuk përfiton. Po çfarë ligjesh qenka këto?! Shqipëria është një vend i vogël, ka mundësi të kufizuara, të dalësh i dyti në Mesdhe është arritje e madhe. Si qenka hartuar ky ligj, merr i pari e s’fiton asgjë i dyti?! Edhe këtë rregull e kemi sa për të kaluar radhën.

Në tërësi rregulli thotë që mbështetja financiare për sportistët kalon nga Bashkitë, ato janë përgjegjëse…

Është e vërtetë që bashkitë japin diçka për skuadrat kampione. Nga ana tjetër, bashkitë ndihmojnë në ndonjë transport të bazës materiale etj. Ne si Vllazni na ka mbështetur bashkia, por ka kufizime. Pse, trajtim cilësor quani ju të marrësh 250 mijë lekë të vjetër në muaj?! Për të mos e banalizuar, kaq lekë nuk i dalin një sportisti për celular. Po vazhdoi gjatë kjo situatë, të gjithë sportistët do të tentojnë të ikin. Pse? Sepse nuk shohin zgjidhje. Trajnerët marrin 110 mijë lekë të vjetër në muaj. Më falni, po pagesë i thoni ju kësaj? A e dini se shumica e trajnerëve të sportit sot në Shqipëri drejtojnë vetëm prej pasionit?

Megjithatë, duhet të ketë vend për optimizëm…

Të shohim tani e prapa, nuk e di, por unë nuk jam optimist. E thashë dhe më sipër ligji që duan të fusin këta në zbatim nuk është diskutuar me grupet e interesit. Asnjë sportist e trajner, e asnjë kuadër sporti nuk di të thotë se çfarë zgjidh ky ligj. Ajo që ne dimë është se Kosova i dha një drejtim sportit të saj. Sepse bëri një ligj për sponsorizimet. Kosova ishte prapa nesh në çdo drejtim, kurse tani, me përjashtim të boksit e peshëngritjes, na ka kaluar në çdo disiplinë tjetër. Kosova në sport është në këtë moment më lart se Shqipëria, ky është fakt.

A ka boksi shqiptar shanse të shkojë në Olimpiadë?

Ka shanse, sigurisht, megjithëse duhet një punë e madhe dhe ndoshta pak fat. Ne ishim në Europian, të cilin dua ta marr si shembull krahasimi. Beqiri e Kajoshi na u dëmtuan, kurse Zeneli me rezultatin që regjistroi kapte kualifikimin. Unë kam besim se KOKSH-i do të na ndihmojë.

Europiani i ardhshëm është vendimtar për kualifikimin dhe ne përgatitemi rregullisht për të qenë gati për aktivitetet e rëndësishme që na shërbejnë si test për garat e ardhshme kualifikuese. Në Europian për çdo peshë kualifikohen disa sportistë. Në peshën e Zenelit kualifikohen 8, për atë të Kajoshit 7 e atë të Beqirit 6. Janë disa pesha që kualifikojnë 8 sportistët e vendeve të para.

Duke iu referuar numrave, mund të them se Europiani është mundësia jonë më e madhe të kapim kualifikimin në Olimpiadë. Të shohim se sa do ta realizojmë këtë objektiv. Shpresojmë, gjithashtu, që Bashkia e Shkodrës dhe institucionet e tjera të na ndihmojnë të marrim pjesë në Ballkaniadë si grup me pretendime, pasi Ballkaniku është një aktivitet me pjesëmarrje të gjerë dhe me sportistë kualitativë. Duke qenë një garë e fortë, u jep mundësinë boksierëve tanë të masin forcat me boksierët elitarë dhe të shohin mundësitë e tyre reale për garat e mëdha të muajve në vijim që kanë vlerë kualifikuese./sot.com.al/