Kombëtarja e Shqipërisë U-17 do të luajë një tjetër sfidë miqësore mbrëmjen e nesërme ndaj Malit të Zi në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, në ora 20:30.

Grumbullimi i Shqipërisë U-17 ka nisur prej ditësh, teksa trajneri Bledi Shkëmbi në listën e tij ka thirrur për këto miqësore edhe sulmuesin shkodran që luan në Itali, Gabriel Kulla, i cili në fakt duhet thënë se bëri një ndeshje të mirë në miqësoren e parë ndaj Malit të Zi.

Në fakt, Kombëtarja e Shqipërisë U-17 ka disa ditë që është e grumbulluar në Velipojë, teksa stërvitjet e saj po i zhvillon në fushën sportive “Adriatik”.

Kjo gjë falë edhe gatishmërisë së Kishës Famullitare të Velipojës, por edhe presidentit të Adës, Alfred Pjetri, i cili ka dhënë një ndihmesë të madhe këto ditë në krijimin e kushteve optimale, sa i takon akomodimit dhe fushës stërvitore për Kombëtaren U-17, në mënyrë që stafi teknik, me në krye trajnerin Bledi Shkëmbi, të mbesin të kënaqur nga ky grumbullim i tyre në Velipojë.
Maringlen ZHIVANI