Shkodra U-19 është rikthyer tek fitorja në kampionat, teksa mesditën e djeshme ka mposhtur me rezultatin 4-2 ekipin e Erzenit. Skuadra e Valdano Nimanit shënoi katër gola në pjesën e dytë, me anë të Hoxhajt e Agrajës dhe dopietës së Gurit.

Shkodra U-19, me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 51-pikëve, duke kaluar në renditje ekipin e Vorës. Këta të fundit janë në kuotën e 49-pikëve, ndërsa në vend të parë është Elbasani me 63-pikë, ekip me të cilin Shkodra U-19 do të ketë ndeshjen e fundit në “Elbasan Arena”.

Në rast fitoreje në këtë duel, Shkodra U-19 do të jetë në finalen e play-off për ngjitjen në Superiore. Gjithsesi, pavarësisht ngjitjes apo jo, duhet thënë se trajneri Valdano Nimani ka bërë një punë të mirë dhe serioze këtë sezon në krye të Shkodra U-19.

Një gjë të tillë e vërtetojnë edhe shifrat, teksa me vetëm 13-futbollistë në organikë, ka arritur që të jetë i dyti në renditje me ekipin e tij, duke treguar qartazi se rezultatet dhe ecuria e mirë tek Shkodra U-19 nuk ka munguar.
Maringlen ZHIVANI