Humbja e keqe, e pësuar nga Milani në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve kundër Liverpool-it, bën që stoli i Paulo Fonseca të lëkundet sërish. Trajneri është në garë me kohën dhe rezultatet negative, pas fillimit të vështirë të sezonit, i cili ka parë që kuqezinjtë të fitojnë vetëm një ndeshje deri më tani, kundër një Venezia shumë të brishtë.
Në fund të sfidës së Ligës së Kampionëve, Fonseca u desh të merrej me pyetjet e komentatorëve televizivë, të cilët i kërkuan shpjegime për atë që u pa ndaj Liverpool-it. Një nga më të vështirët në analizë ishte sigurisht Zvonimir Boban: “Mister, ju nevojitet një lexim i sinqertë i situatës. Kjo është e vetmja mënyrë për t’u përmirësuar.
Ju luajtët me katër në mbrojtje në Romë dhe ishte pothuajse perfekt. Këtu, megjithatë, vuajtët shumë më tepër, pse? Reijnders nuk është një ‘6’, por ‘8’; Loftus-Cheek nuk është një ‘10’, por ‘8’. Nuk po mendoni të luani me 4-3-3, me të dy këto lojtarë në rolet e tyre natyrale? A keni në plan të bëni ndryshime apo dëshironi të vazhdoni kështu?”
Trajneri kuqezi në atë moment u përpoq të shpjegonte këndvështrimin e tij, duke përjashtuar një ndryshim të formacionit për momentin: “Unë respektoj të gjitha mendimet. Reijnders nuk mund të luajë pranë Fofana, Loftus Cheek mund të luajë si numër ‘10’ ose ‘8’. Më pëlqen skema 4-2-3-1, kështu krijuam situata më të rrezikshme”.
Para ndeshjes, për më tepër, vetë kroati kishte nisur një ‘përplasje’ me Zlatan Ibrahimovic. Duke folur për rolin e tij te Milani, suedezi iu drejtua ish-lojtarit dhe menaxherit kuqezi: “As Boban nuk e kuptoi…” “Askush nuk e kuptoi, të them të drejtën”, – iu përgjigj pastaj kroati.
Përgjigja e Ibrahimovic ishte gati: “Roli im është i thjeshtë. Unë jam në krye, punoj në heshtje, jam shefi dhe të gjithë të tjerët punojnë për mua”. Në atë moment, Boban e mbylli shkëmbimin e fjalëve, jo pa ironi: “Faleminderit për sqarimin”./telesport/