Ne arritëm finalen e atëhershme pa ndonje shkëlqim të veçantë në kampionat (si sivjet), por me një brez futbollistësh të shkëlqyer që mua më bën të jem krenar që pata fatin dhe nderin të jem në radhët e tyre. Po shkoj një hap më thellë në historinë e Vllaznisë së atyre viteve.

Në vitin 1979 ne ishim fitues të Kupës së Republikës dhe sipas të gjitha rregullave sportive duhej të merrnim pjesë në Kupën e Kupave të Evropës. Por nuk qe e thënë, mbasi nuk ishin rregullat e futbollit që përbënin ligjësinë në sportin e asaj kohe, ishin ato rregulla idiote ideologjike që si në çdo fushë, edhe në atë të futbollit “ja prunë në majë të hundës”.

E paharrueshme fytyra e lodhur e doktor Zyhdisë kur doli nga centrali primitiv telefonik në anë të fushës sportive në Razëm ku deri në ato çaste ne stërviteshim me aq dëshire, i paharruar zëri i tij i dobësuar që konfirmonte se “na ka rënë me Moskën”, të paharrueshme fjalët e të madhit Suad Durraj që mundohej të rrezatonte optimizëm.

Në bazë të vendimit të Partisë, ne si ekip në një mbledhje të posaçme kërkonim “vullnetarisht” të sabotonim ndeshjen ndaj revizionistëve që do të thoshte dënim disavjeçar ndërkombëtar për Shkodrën dhe futbollin e saj. Dhe bëhej fjalë për ekipin që luante futbollin më të bukur në Shqipëri, për ekipin që një vit më parë ishte kampion i vendit, për një gjeneratë të shkëlqyer futbollistësh që kështu u detyruan të luanin këtë lojë magjike pa të drejtë afirmimi në arenën ndërkombëtare.

Ishte ndoshta kjo goditje që la dyert e Kombëtares të mbyllura për emra të tillë si Astrit Hafizi, Seit Çanga, Lutfi Basha, Suat Duraj apo Ferit Borshi. Pra ishte kjo gjendje “shoku” akoma e freskët që goditi Shkodrën dhe futbollin e saj. Por futbolli është në shtëpinë e vet në Shkodër, ky sport është një pjesë e jetës së shkodranëve, është pjesë e kulturës së tyre.

Dhe Vllaznia e tyre do ta vazhdonte misionin e saj edhe pse e sakatosur. Ne luanim për Shkodrën, për qytetin tonë, për qytetin ku ndiheshim krenarë dhe që ndihej krenar për ne. Dhe kapja e finales së vitit 1981 ishte ringjitja e radhës e Vllaznisë.

Unë nuk kam forcë të përshkruaj atmosferën e atyre ditëve përgjatë dy ndeshjeve finale, çdo gjë sillej rreth futbollit, nuk kishte jo burrë a të ri, por as gra e plaka (vajzat po e po!!!) që nuk kishin kryefjalë fitoren e Kupës ato ditë.

Ndoshta ndikoi këtu që si tepër rrallë në finale nuk përfaqësohej kryeqyteti me ekipet e tij tradicionalisht të suportuara nga shteti dhe Federata me arbitrat e saj, por Kavaja me traditë, me ndoshta ekipin e saj më të mirë historikisht, atë të Allajt e Shtinit me shokë.

Dhe ishte ky ekip aq simpatik kavajas që prodhoi krahas nesh dy finale aq emocionuese. Ne e humbëm ndeshjen e parë në Kavajë 1-2 dhe disi të trullosur u kthyem në Shkodër ku entuziazmi pa e ekzagjeruar mund ta quaj popullor na vuri të gjithëve në shinat e fitores. Ishte e pamundur t’i shmangeshe emocioneve, megjithë kazernimin disa ditësh në Shirokë.

Rruga me autobuz për në stadium para ndeshjes duket se kalonte jo nëpër rrugë, por mes dhe mbi një masë të stërmadhe njerëzish. Ishte kjo masë gjigande që megjithë shitjen dyfish të biletave, dmth dy bileta për një vend (e pabesueshme sot ndoshta) nuk arrinte të sistemohej kurrsesi në stadium, i cili po të kishte gojë do të ulërinte nga “mbingarkesa”.

Frymëmarrja gulçuese e gjithë kësaj mase njerëzish dukej se lëkundte ajrin e mbetur pezull në pushimin e ndeshjes kur të gjendur nën trysnine e humbjes së kaluar dhe të një goli të pësuar në pjesën e parë na e vështirësonte tejet fitoren e Kupës.

Një tensionim i jashtëzakonshëm, një Esat Rakiq që i mbytur nga emocionet nuk ishte më në gjendje të jepte udhëzimet përkatëse, një stërmbushje e dhomës sonë të zhveshjes nga ata fatlumë që e kishin autoritetin dhe fatin të vinin deri aty, një ekip që donte të shpërthente, por deri në ato çaste me sa duket nuk e kishte fatin me anën e tij.

Kështu e filluam pjesën e dytë, por ndërkohë ne nuk kishim më përballë një ekip dinjitoz të Kavajës; avantazhi në gola kishte bërë të vetën, si shumë herë në këtë sport, duke harruar se loja nuk kishte mbaruar, duke u ndjerë jo vetëm fitues të parakohshëm, por edhe disi kapadainj në fushë.

Kjo na ndihmoi. Shënuam 5 herë në atë pjesë, pesë gola në një pjesë loje në finale të Kupës. E paharrueshme dhe e papërsëritshme. Akoma më dalin parasysh skenat e lojes, ata gola aq të bukur, ajo atmosferë festive “in ekstremis” në stadium. Fituam dhe në darkë mbas ndeshjes i gjithë qyteti festonte, festonte i porsa dalë nga një lodhje dhe tension disa ditor që e kishte mbërthyer.