Nejmar ka vendosur të zgjasë kontratën me Santosin. Kështu ka firmosur deri në dhjetorin e vitit 2025 me opsion rinovimi dhe për një vit tjetër.

Sulmuesi brazilian u duk mjaft i lumtur pas këtij vendimi. Kujtojmë se 33-vjeçari u afrua te Santos pas largimit nga Al-Hilal.

“E bëra zgjedhjen duke dëgjuar zemrën. Santos nuk është vetëm skuadra ime, është shtëpia ime, rrënjët, historia dhe jeta ime. Këtu isha një djalosh që u bë burrë dhe më duan me të vërtetë këtu. Këtu është vendi ku mund të jem vetvetja dhe i lumtur.

Këtu dua të përmbush ëndrrat që akoma mungojnë në karrierën time. Asgjë nuk do më ndalojë. Këtu filloi çdo gjë dhe ku nuk do të mbarojë kurrë”, u shpreh Nejmar.