Italia ka më në fund trajnerin e saj të përfaqësueses. Xhenaro Gatuzo ka firmosur dhe është edhe zyrtarisht tekniku i ri i të kaltërve, me konfirmimin që ka ardhur nga vetë Federata Italiane.

Nëpërmjet një njoftimi, ajo bëri të ditur se prezantimi i tij para mediave do të bëhej këtë të enjte në një hotel të Romës, duke nisur zyrtarisht epokën nën drejtimin e ish-mesfushorit të njohur italian i cili nuk ka pasur edhe aq shumë suksese në karrierën e tij të re në pankinë.

Aventurat në skuadrat e futbollit italian, mes të cilave Milan e Napoli, nuk u mbyllën me fund të lumtur e tre të fundit jashtë Italisë te Valencia, Marseja e së fundmi Hajduk Split, u cilësuan si dështime.

Ai dha dorëheqjen pak javë më parë nga Hajduk Split pasi nuk arrit të fitonte titullin kampion në Kroaci edhe pse me një skuadër të mbushur me emra të njohur mes të cilëve edhe Ivan Rakitiç.

“Gatuzo është një simbol i futbollit italian, ngjyra e kaltër për të është si një lëkurë e dytë. Motivimi, profesionalizmi dhe eksperienca e tij do të jenë thelbësore për të përballuar më së miri ndeshjet e ardhshme të përfaqësueses”, tha presidenti i Federatës, Gabriele Gravina në njoftimin për emërimin e Gatuzos.