Ilir Daja, trajneri i Dinamos, ka folur pasi u mposht nga Vllaznia. Dinamovitët u eliminuan në gjysmëfinalen e Final Four me disfatën 2 me 1.

Pas ndeshjes, Ilir Daja u shpreh:

“Jemi në 2025-ën, informacioni që përcillet është online. Të them të drejtën nuk e markoja Hamitin, më dilte tepër, atë nuk e kisha llogaritur. Në 2025-ën, me teknologji të zhvilluar, me VAR, duhet të flasësh për futbollin kur vjen ndeshja me Vllazninë, por kur një arbitër me stemën e FIFA-s, unë do i mbledh detajet e ndeshjes dhe do them kartonat e munguar nga Hamiti.

Është penalltia në minutën e 45-të, si dy kundër nesh, e pashë te dhomat e zhveshjes. Është penallti shumë e dyshimtë me Zabërgjën, që janë dy penallti. Janë mbi 10 kartona të munguar. Në këtë vit që jetojmë, në mes të “Air Albania”, të ketë kurajon një arbitër, të bëjë këtë sidomos në pjesën e dytë, nuk e imagjinoj dot. Tani me këtë teknologji, të bëjë atë performancë që bëri ai, bien poshtë të gjitha analizat. Ashtu si Vllaznia meritoi dy penallti, edhe ne kemi pretendimet tona.

Doja të komplimentoja djemtë, çfarëdo manovre, futbollistët kanë bërë 130 minuta para 3 ditësh. Sot, mund të ishte kursyer sepse nuk është vetëm Dinamo, por dhe Egnatia. Nuk mund të vendosësh të gjithë mundin e gjithë kampionatit, ne nuk mund të merrnim Kupën, gjysmëfinalen dhe mund të dilnim nga Europa. Nuk mund të përballojmë, sot u përballua nga sakrifica e djemve që asnjë moment nuk u tërhoqën, pavarësisht disavantazhin 0 me 2, derisa i nderuari e mbylli lojën pasi bëri gjithë atë paçavure. Fjalët do i vërtetoj pasnesër me video të montuar, do i nxjerr të gjitha nëse klubi nuk i nxjerr.

Në fund fare, përtej dozës emocionale, duhet të jesh i qetë, edhe Vllaznia ka merituar që ka ardhur në gjysmëfinale. Të dyja ekipet kishin raste, duke ditur që para 3 ditësh, 72 orë, ata do ishin më agresivë se e dinin që Dinamo nuk do kishte aq shumë energji për të përballuar ndeshjen. Nuk falëm gjë. Pjesa e parë u buzëqeshi atyre edhe me dy penallti, të qena, e pashë dorën e hapur të Mandelës. Përballja nuk ishte e drejtë. Nëse kthejmë rolet, ne duhet të përgatismin ndeshjen, ndërsa ne nuk kemi bërë asnjë ditë seancë taktike. Ne në start nuk jemi të barabartë sepse nuk kemi asnjë ditë për të përgatitur lojën.

Me të mbaruar ndeshja u them djemve ngrijeni kokën. Nuk e di sa mund të ketë qenë loja efektive në pjesën e dytë, ne shkojmë në Europë me 40 minuta një pjesë. Duhet të shkojmë me më pak rënie bilbili, me një arbitër që tradhton veten, është atje dhe jep karton të verdhë për stafin e Vllaznisë. Prapë duhet të qetësohemi, kemi një ndeshje për të mbyllur kampionatin, nuk e di çfarë qasje do i japim, por nëse duam të futemi në Europë duhet të përforcohemi.

Nuk e fal postimin, nuk do bëj koment, do jap material. Kam dëgjuar që jemi të parët për të ofenduar në rrjetet sociale, i fus një falënderim”, u shpreh Ilir Daja për RTSH.