Nga Maringlen ZHIVANI

Edhe pse është në moshën 37-vjeçare, duket se pak nga pak ka filluar të kapë formën e tij menjëherë dhe po spikat. Fjala është për mesfushorin shkodran, Alsid Tafili, i cili po kthehet në një futbollist kyç tek Basania me lojën dhe golat e tij.

Edhe në ndeshjen e fundit ndaj Albanëve, të luajtur dje pasdite në Bushat dhe të fituar 3-2 nga vendasit, ai arriti të shënojë njërin nga golat e fitores, por edhe të asistojë tek goli i dytë, duke qenë mjaft vendimtar në këtë sfidë me golin dhe asistin nga ana e tij.

Në fakt siç dihet, Tafili ka luajtur në rolin e mesfushorit të qendrës, aty ku së bashku me Kolën dhe Daijën apo dhe Xhahysën formojnë një treshe simpatike në repartin e mesit të fushës së kësaj skuadre. Në fakt, Alsid Tafili e kishte mbyllur me futbollin e luajtur, por ishte trajneri Haris Lika që këmbënguli për ta rikthyer edhe njëherë tjetër, pasi kishte besim në aftësitë e tij, teksa i ka besuar edhe shiritin e kapitenit.

Tafili është aktivizuar si titullar në të gjitha këto ndeshje të para të këtij sezoni dhe e ka justifikuar besimin e drejtuesve të Basanias dhe të trajnerit Haris Lika. 37 vjeçari ka vetëm dy muaj që i është rikthyer futbollit të luajtur dhe i duhet ende kohë për të kapur formën e tij maksimale, por duket se ajo do të vijë gradualisht nga ndeshja në ndeshje.

Me shumë siguri, prej Tafilit do të shihen gjëra edhe më të bukura në vazhdim, sepse aftësitë për ta bërë këtë gjë i ka, pavarësisht moshës, e cila duket se mbetet vetëm një numër për të. Ai do të tentojë të vijojë të bëjë sërish paraqitje sa më të mira edhe në ndeshjet e ardhshme, duke vijuar me takimin e rradhës në Lezhë ndaj Besëlidhjes./www.shkodrasport.com/